Vuvuzelat dhe çeku 400 milionë

0
63

Rudina Seseri

Rudina Seseri, 15.06.2010

Ideja e hedhjes në bursë të eurobondeve të qeverisë shqiptare u trumbetua nga qeveria si një ngjarje historike për Shqipërinë, pas shmangies me shumë sukses të krizës ekonomike, me një taktike që i la gojëhapur vendet e paditura perëndimore.

Eurobondet tona do të listoheshin në bursën e Londrës si një shuplakë për opozitën, për FMN-në dhe për Bankën Botërore. Kjo fushatë mburrjeje u përgatit nga kori i vuvuzelave shqiptare, që paguhen me paratë e taksapaguesve, i përbërë nga nëpunës e qeveritarë të të gjitha niveleve që manipulojnë shifrat, i kryesuar nga INSTAT dhe i pakontestuar servilisht nga Banka e Shqipërisë.

Medi Belortaja - Struci fut kokën në rërë

Korit iu bashkuan edhe disa “ekspertë” ndërkombëtarë, që njëlloj si grupet marksiste të dikurshme, paguhen nga buxheti i shtetit me disa vendime skandaloze qeveritare që mbeten ende të pahetuara.

E kapur në ngërçin e rritjes së deficitit buxhetor, të një perspektive gjithnjë e më të zymtë mbi të ardhurat tatimore dhe të thellimit të recesionit (të papranuar) ekonomik, të denoncuar në vazhdimësi nga ekspertët e opozitës, qeveria angazhoi dy banka prestigjioze për ta ndihmuar të ngrejë 400 milionë euro.

Struktura financiare do të ishin eurobondet, të cilat dallohen nga kreditë tipike, sepse listohen në bursë dhe janë likuide, që do të thotë se investitorët mund t’i shesin, pra të marrin mbrapsht paratë e tyre, kur të dëshirojnë pasi eurobondet shiten e blihen çdo ditë në bursë.

Tentativa e parë për të gjetur investitorët fillestarë u bë vjeshtën që shkoi, por u la thuajse menjëherë, pasi në mes të krizës botërore, oreksi i bursave për të absorbuar listime të reja nuk ekzistonte.

Tentativa e dytë, këtë radhë serioze, rinisi në fillim të vitit dhe qeveria kishte shpresë se do të mund ta siguronte çekun 400 milionësh, pasi tregjet ndërkombëtare të kapitalit ishin zhbllokuar disi.

Vuvuzelat kishin filluar nga puna për të mbuluar presionin e përkeqësimit të ekonomisë, mungesën e të ardhurave dhe krizën e thellë politike. Kjo u shoqërua me një “arritje”, pasi dy kompanitë ndërkombëtare të vlerësimit të rrezikut kreditor, Moody’s dhe Standard & Poor’s, dhanë vlerësime shumë më të larta nga ç’meritonim realisht.

Sigurisht, u kuptua shpejt se qeveria i kishte ofruar këtyre kompanive të dhëna tërësisht false mbi gjendjen ekonomike.

Madje, në një shkrim të botuar posaçërisht për këtë temë, jam shprehur se në qoftë se vlerësimet e këtyre dy kompanive për rrezikun e Shqipërisë si huamarrëse do të ishin të sakta, Shqipëria do të kishte mundësinë të merrte kredi me interesa të tipit 7% apo 8%, duke dhënë mendimin se kjo ishte tërësisht e pamundur.

Por qeveritarët kishte besim të patundur tek strategjia e tyre. Ata arritën “t’ia hidhnin” kompanive të vlerësimit, pse të mos ia hidhnin edhe investitorëve të huaj?! Kështu, krenarë dhe mospërfillës, qeveritaret e lartë shqiptare morën rrugën për në Londër për t’i bindur huadhënësit potenciale t’iu japin para.

Normalisht, këtë proces e drejton zëvendësministri ose e shumta ministri i Financave, por në rastin konkret korin e dirigjoi vetë kryeministri, i cili mori rrugën për në Londër për t’u dhënë të gjithëve mësimin e radhës, këtë radhë në fushën e marketimit të eurobondeve, pa ditur as mësimin e parë që huadhënësit e kanë të qartë se «mallin e mirë e shet djali dhe të keqin, vetë babai».

Në këto takime, u trumbetuan arritjet e lavdishme ekonomike të Shqipërisë të tipit fanar ndriçues për gjithë botën, siguria e pakrahasueshme e eurobondeve shqiptare në krahasim me ato greke dhe më gjerë, aq sa këtu, ndërkohë që opozita protestonte dhe ishte në grevë urie, po ngrihej euforia se në Londër huadhënësit po grindeshin në radhë kush e kush te blinte i pari.

Por investitorët qartazi nuk po e hanin sapunin për djathë, duke kërkuar që eurobondet e Shqipërisë të kishin një interes shumë më të lartë; një interes që reflektonte rrezikun aktual të Shqipërisë.

Dhe kur qeveritarët u kundërpërgjigjen me këngën e vlerësimeve pozitive të Moody’s apo Standard & Poor’s, bankieret ju kujtuan mbrapsht që vlerësuesi më i saktë është tregu. Atëherë, ati i qeverisë luajti asin nën mëngë, apo kartën e fundit në dëm të popullit të vet: duke vendosur rritjen e interesit nga 7.5% ne 8.5%.

Nën trysninë e nevojës për çekun 400 milionësh dhe duke shpresuar se greva e urisë e kishte ç’orientuar vëmendjen e opozitës, qeveritarët vepruan me efikasitet të paprecedentë për të ndryshuar ligjin e hedhjes në treg të eurobondeve.

Me shpejtësi të paparë, Presidenti e miratoi ligjin e partisë së tij, duke i dhënë Ministrisë së Financave të drejtën ta rrisë interesin deri në 8.5% që do të thotë t’i rrëmbejë popullit të varfër edhe disa milionë euro të tjera.

Por as kjo nuk mjaftoi. Interesi duhet të ishte të paktën dy shifrorë për t’i tërhequr investitorët e huaj, një vlerë të cilën as vuvuzelat e zhurmshme, vendase e të huaja, nuk do të mund ta fshihnin apo zbukuronin dot. Për më tepër, edhe dritarja e bursave filloi të mbyllej sërish dhe qeveria shqiptare e humbi shansin e saj për të ngritur fondet. Ati i qeverisë u rikthye në Tiranë i shoqëruar nga një humbje spektakolare.

S’kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe ekonomistet e financierët më të paaftë e kuptojnë që borxhi publik shqiptar është mjaft i lartë, struktura ekonomike shqiptare është shtrydhur deri në limitet e saj, reforma të mirëfillta ekonomike nuk ekzistojnë, mungesa e transparencës është dominuese dhe, si për të vulosur gjithçka, paratë që kërkohen nuk do të përdoren pre investime të mirëfillta, por për financime rutinë të deficitit buxhetor.

Konkluzioni i sagës së çekut 400 milionësh është vetë-tregues. E gjithë kjo histori është një shembull më shumë i paaftësisë menaxhuese të qeverisë.

Por realiteti i hidhur është se ajo po vazhdon të kërkojë rrugë të reja për të siguruar këtë çek. Kësaj radhe duket se burimi do të jenë bankat që operojnë në vend dhe për këtë duhet që edhe Banka e Shqipërisë të bëjë vuvuzelën. Në këtë mënyrë, qeveria jo vetëm do të ketë ca para me shumë për të keqshpenzuar, por do të vazhdojë të dëmtojë biznesin vendas, sepse do të thithë kapitalet financiare që i nevojiten shumë më tepër sektorit privat.