Nuk ka falje për Presidentin

0
49

Afrim Krasniqi

Nga Afrim Krasniqi, GSH, 12.06.2010

Dy partitë e mëdha politike, PD e PS, nuk kanë bërë ende asnjë hap për arritjen e një kompromisi politik për krizën politike, por kur bëhet fjalë për marrëveshje të përbashkëta kundër të tretëve, ato përsëri janë gati për cdo kompromis. Më 2008 dy palët brenda pak orësh ndryshuan kushtetutën në disa cështje që sollën ndryshime edhe në sistemin politik. Kompromisi më i madh ishte ai kundër kryetarit të shtetit; nga një president konsensual, pra përfaqësues në spektrin e gjerë politik parlamentar, në president minorance, pra përfaqësues të partisë së radhës në pushtet. Kompromisi antipresidencial u acancua edhe në Kodin Zgjedhor.

Presidentit iu mohua një rol i mundshëm zgjedhor; atij iu hoq përfaqësuesi direkt ose indirekt në KQZ, e detyruan këtë të fundit të betohet para parlamentit (i vetmi institucion që betohej ishte vetë presidenti) dhe jo përpara presidentit dhe së fundi, por me rëndësi, i imponuan Presidentit dekretimin e zgjedhjeve plot 9 muaj përpara.

Në javën e parë të qershorit 2010 palët kryesore politike arritën kompromisin e radhës kundër të tretëve, dhe ironikisht, përsëri kundër Presidentit. PD e PS me konsensus i dhanë jetë ndryshimeve në ligjin për faljen, një kompetencë eskluzive dhe tradicionale e kryetarit të shtetit. Me Kushtetutën e vitit 1998 Presidenti “ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit”, por me ndryshimet e reja ligjore, kjo kompetencë bëhet tërësisht formale, madje humbet sensin dhe domethënien e saj. Me ligjin e ri presidenti nuk do të jetë më institucioni thelbësor, por pasues i Ministrit të Drejtësisë, një zyrtar politik i forcës politike të radhës në pushtet.

Qytetarët nuk do të adresohen më në Presidencë, por në ministri; ajo do përgatisë dokumentacionin, do ta dërgojë tek presidenti, dhe ky i fundit brenda 30 ditëve do të jetë i detyruar të shprehet nëse është dakord ose jo. Natyrisht ai nuk do të ketë të drejtë të shtojë emra, të vonojë përgjigjen, të kërkojë rigrupim faljes, psh, për festa kombëtare, apo të marrë nisma faljesh në ngjarje të shënuara. Duke krahasues këtë model me atë atë presidencial të vendeve të tjera më rezulton se në 90% të rasteve presidenciale (modele presidenciale, gjysempresidenciale dhe parlmentare) kjo kompetencë është thellësisht presidenciale dhe jo kompetencë ekzekutive.

Gjithësesi, edhe duke lënë menjanë modelet bashkëkohore të sipërcituara, ndryshimet e reja ligjore në raport me kompetencën presidenciale për faljen paraqesin në vetvete disa paradokse dhe kundërshti. E para, parlamenti ka të drejtë të hartojë ligje, por në rastin e kompetencën presidenciale nisma e tij shihet qartazi si e njëanshme, një formë presioni dhe pakënaqësie për shkak të rolit të presidentit aktual në krizën më të fundit politike. Pra, në qershorin e 2010-ës falja, kriteret dhe procedurat e faljes nuk ka arsye të ishin në krye të axhendës politike parlamentare; ato janë diku nga fundi dhe nëse pyeten qytetarët, në fakt janë të fundit fare.

E dyta, motivi i ndryshimeve doli qartë nga debatet parlamentare në komisionin e ligjeve. Deputetë të dy palëve thanë se presidenti ka abuzuar në faljet e fundit dhe me këtë justifikuan vendimin për kalimin e presidentit në shtojcë të axhendës së ministrit të drejtësisë. Ky arsyetim ka mungesë vlere politike dhe argumenti. Sepse një parlament serioz nuk merr vendime për ndryshime të ligjeve kushtetuese nisur vetëm nga një veprim formal i një presidenti. Nëse parlamenti ka prova për abuzime kushtetuta i njeh atij mundësinë ta hetojë dhe të nisë procedura për shkelje të kushtetutës ose thyrje të rëndë të ligjit. Natyrisht parlamenti nuk ka prova, dhe kur nuk ka prova, gabon shumë kur atakon presidentin dhe kur atakon presidentin, gabon akoma më shumë kur inatet personale shndërrohen në ligje kushtetuese e konsensuale.

E treta, ishte e habitshme retorika partizane e opozitës socialiste ndaj Presidentit. Pak muaj më parë e njëjta opozitë dhe të njëjtit deputetë u ankuan tek Presidenti për përdorimin e të burgosurve në fushatën e fundit elektorale nga ana e ministrisë së drejtësisë. Tani opozita kalon në ekstremin tjetër, harron akuzën dhe me ligj ia atribuon ministrit të drejtësisë nismën dhe rolin themelor edhe në ushtrimin e faljes presidenciale. Më 2005 të majtët e përdorë ministrinë për leje pushimi elektorale për shumë elementë kriminalë, më 2009 të njëjtën gjë bënë edhe të djathtët, tani dy palët, të pranishme në komision, i japin të drejtë ministrit dhe vartësve të tij jo vetëm të japë leje elektorale, por edhe premtime të faljes së dënimit.

E katërta, parlamenti vendosi kritere të qarta, cilat kategori trajtohen në falje, cilat jo, duke përjashtuar apriori akuzat për vrasje dhe krime të rënda. Në fakt të njëjtit deputetë të dy palëve kanë formosur në këto vite dhjetra kërkesa për falje të veprave të tilla penale, psh, të grave vrasëse, të gjakmarrjes, të moshave të mëdha të akuzuara për trafikun e drogës, apo akte të tjera me përfitim publik dhe elektoral. Tani ata i thonë presidentit, keni gabuar që liruat ata që ju kërkuam ne, që sot nuk do të keni më të drejtë ta bëni dhe vetë ata marrin atributet e hartimit të listave të faljes.

E fundit dhe më thelbësorja nuk lidhet thjesht me aktin e fundit të kompromisit parlamentar, por me logjikën politike dhe juridike të nismave të tilla. Shqipëria e vitit 2010 nuk e ka më luksin të hartojë ligje që lidhen me individë të vecantë dhe sjellje të tyre të vecanta. Ligji i faljeve u ndryshua më 1993, u rishikua më 2010, dhe në 17 vjet janë ndërruar katër presidentë. Do të duhet të kemi edhe 3-4 presidentë të tjerë që ky ligj të rishikohet, ndaj do të duhej që ligji të mos hartohej me nxitim, duke u nisur nga një dekret i fundit presidencial, por të shihet në plan afatgjatë dhe në raport me institucionin e Presidentit.

Parë në thelbin e problemit, është i qartë fakti se politika shqiptare me një kompromis jo shumë të zgjuar dhe largpamës, e ka vënë institucionin e Presidentit të Republikës në një situatë paradoksale. Kur vijnë zgjedhjet presidenciale dy palët nxjerrin në tavolina 20-30 emra nga më të zakonshmit, për të krijuar idenë se kushdo mund të jetë president dhe kështu, për ta zhveftësuar shumë pozitën e tij morale dhe publike.

Kur presidenti merr një vendim kushtetues refuzues ndaj një ligji ndaj tij lëshohen akuza të ashpra, fyerje dhe komente denigruese, duke i thënë një goditje tjetër permanente institucionit. Kur politika ka krizë, ka mosmarrëveshje, ka ankesa ndaj njëra tjetrës, palët nxitojnë të shkojnë tek zyra e kryetarit të shtetit dhe të kërkojnë mbështetjen e tij ose së paku, ndërmjetësimin e tij. Por kur palët nuk marrin atë që duan, dalin në kanalin e parë televiziv dhe shfyjnë ndaj Presidentit si ndaj atij shoferit që u ka zënë rrugën në trafik.

Kur lexon kompetencat kushtetuese ato duken të plota, por kur lexon kuptimin real ë shprehjes “sipas ligjit” për cdo kompetencë, kushdo mund të shtrojë pyetjen, cfarë lidhje kanë këto kompetenca me Presidentin. Sepse presidenti dekreton por nuk mund të refuzojë ministrat, sepse dekreton por nuk mund të refuzojë kryetarin e akademisë së shkencave dhe rektorët, sepse presidenti emëron por nuk mund të emërojë gjyqtarët e lartë dhe kushtetues, sepse presidenti jep shtetësinë por nuk mund ta bëjë këtë pa miratimin e ministrit të brendshëm, sepse presidenti jep dekorata por kjo e drejtë u është njohur edhe disa ministrave në qeveri, sepse presidenti jep grada ushtarake por ato përzgjihen nga organet politike të qeverisë, sepse presidenti emëron e liron ambasadorët, por vetëm pasi ka bindur më parë kryeministrin, sepse presidenti ligj marrëvedhje dhe dekreton negociatorët, por në rastin e kufirit me Greqinë ai nuk u pyet, sepse presidenti cakton datën e zgjedhjeve por me Kod e kanë detyruar të mos dekretojë muajt e verës dhe të dimrit, sepse presidenti drejton Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por kompetencat e tij ndaj këtij organi janë më të vogla sesa të një kryetari komune.

Në ushtrimin e këtyre kompetencave gati formale, përsëri politika kërkon të imponojë vullnetin politik të radhës në dëm të frymës kushtetuese dhe integritetit kushtetues të pozitës së Presidentit. Më 2004-2007 dhjetra konferenca dhe nisma politike adresuan kundër presidentit për një gjyqtar në KLD, por kur presidenti mbaroi mandatin, boritë dhe fjalimet politike pushuan dhe emri i gjyqtarit ka 3 vjet që nuk përmendet, edhe pse vijon të jetë në KLD. Më 1992, 1998, 2001, 2003, 2007 palët propozuan dhe votuan për në Gjykatë Kushtetuese gjyqtarë në të shkuar politike, më 2010 palët kanë ndërruar mendje dhe kërkojnë të kundërtën, dhe se askush nuk garanton se më 2011, 2012 apo më tej palët nuk do të ndryshojnë qëndrim, në përpjekje për të shpikur kritere që cojnë në kontrollin e gjykatës.

Kështu, më 2004 u refuzuan dekretet presidenciale për gjyqtar të lartë sepse gjyqtari kishte gjykuar një ceshtje në kohën e qeverisë tjetër (1993), më 2008 u refuzuan pesë dekrete gjyqtarësh sepse presidenti nuk ishte konsultuar me parlamentin, më 2010 disa prej këtyre dekreteve kanë kaluar edhe pse presidenti nuk u konsultua me parlamentin ndërkohë që një dekret u rrëzua sepse gjyqtari kishte gjykuar një cështje në kohën e qeverisë tjetër (1990). Po vijoi kështu, ndonjë ditë do të kemi dy norma kushtetuese paralele: një normë kushtetuese që ndjek presidenti dhe një normë ekstra kushtetuese që palët ndjekin ndaj presidentit.

Shqipëria ka nevojë për President, madje një President funksional. Kemi patur modele presidenciale të forta, president që drejtonin edhe parti edhe qeveri, presidentë që qëndronin në zyrë, presidentë që qëndronin mbi palët, presidentë aktivë, presidentë politike dhe apolitikë. Nuk janë problem mungesa e modeleve, por problem kryesor është vizioni që dy liderit dhe dy partitë politike kanë për kryetarin e shtetit. Ata duhet të jenë të qartë nëse duan të kemi president dhe nëse po, cfarë presidenti duam të kenë, a përputhet ky vizion me nevojat e vendit, frymën kushtetuese dhe pritjet qytetare. Janë shumë arsye të besojmë se mësimi prej këtyre modeleve nuk duhet të jetë shkuarja drejt modelit të ri, atij të presidentit noter e formal, por e kundërta, kalimi tek institucioni presidencial që përfaqëson jo vetëm formalisht qytetarin e parë të vendit.

Patën mundësi të ndërtonin një institucion presidencial funksional dhe të besueshëm; e patën dhe e humbën këtë mundësi më 2008 kur zgjedhjen presidenciale mund ta bënin direkt nga populli, sepse një president që del direkt nga qytetarët, pavarësisht kompetencave, ka forcë morale vepruese shumë herë më të madhe se cdo president që del nga selia e partisë së radhës. Palët patën mundësi që kompetencat presidenciale kushtetuese ti forconin, ti krijonin presidentit mekanizmat e mundshëm ligjor për monitorim nga afër të KQZ, për rol thelbësor në emërimin e gjyqtarëve të lartë e kushtetuës, për drejtimin real dhe jo formal të KLD-së, për rol balancues në KKRT apo në KD të RTV, për rol përcaktues në emërimet e larta në diplomaci, ushtri, polici e shërbim sekret, por palët menduan për veten, menduan për modelin e presidentit që ata duan kur janë ose kur do të vijnë në pushtet, dhe kështu, pasi e krijuan pemën presidenciale, filluan dalngadalë tia presin me gërshërë degët e vogla dhe të mëdha. Tani institucioni po rritet si pema pa degë, si noter formal, pa rol publik dhe asnjanës në cdo situatë politike, tamam sic realisht e dëshën dy partitë, krejt e kundërta me dëshirën e vetë qytetarëve dhe nevojave reale të vendit.

Shqipëria, gjithnjë e më shumë, ka nevojë për një president aktiv, qe votohet nga qytetaret dhe jo partite, nje president të cilit nuk i përcaktohen me ligj fjalët që duhet të thotë dhe hapat që duhet të bëjë, por që me ligj i krijohet hapësirë të flasë e të veprojë, ashtu sic e përcakton kushtetuta, si përfaqësues i unitetit të popullit, si kryetar i shtetit.