
Mustafa Nano
Zululand
Teoria e demokracisë u njeh zgjedhjeve të lira e të ndershme dy funksione bazë: kontrollin popullor periodik mbi të zgjedhurit, dhe krijimin e një qeverie/qeverisjeje legjitime. Zgjedhjet shndërrohen në një lodër të ndyrë e në një gënjeshtër të rrezikshme, nëse ne, së pari nuk kemi mundësi të ushtrojmë një kontroll real periodik mbi të zgjedhurit, veçanërisht mbi mazhorancën apo pushtetin, e së dyti nuk arrijmë të kemi një qeveri/qeverisje të miratuar e të mbështetur nga shumica e popullsisë.
Prandaj, votat duhen numëruar kokërr më kokërr; prandaj nuk ka asnjë të keqe t’i rinumërojmë ato; prandaj nuk ka asnjë kuptim, që si shkak të refuzimit të kërkesës për t’i rinumëruar ato, të nxirret respekti ndaj ca institucioneve, që ekzistojnë veç në letër; prandaj është poshtërsi të thuash apo të lësh të kuptohet, se “më mirë të vidhen votat, sesa të lejohet të vijë në pushtet një zuzar e maskara”.
Duke thënë këtë të fundit, antiopozitarët tanë shenjtërojnë një opinion (Rama është zuzar e maskara) përballë një parimi (votat duhen numëruar një më një). Dhe harrojnë se opinionet janë opinione, d.m.th duhet të jemi të lirë për t’i shprehur, ashtu siç duhet të jemi të lirë për t’i kundërshtuar, ndërsa parimet janë parime, d.m.th duhet të jemi të lirë të mos i pëlqejmë, por nuk mund të jemi të lirë të mos i respektojmë. Përndryshe, nëse nuk pyesim për parime pra, vjen natyrshëm një moment, kur nuk do të jemi më të lirë të shprehim apo besojmë një opinion.
Po e kthej “thikën” nga vetja. Unë besoj fuqimisht te demokracia, rrjedhimisht te zgjedhjet e lira e të ndershme. Por në të njëjtën kohë, unë kam dhe një bindje: Sali Berisha është një i sëmurë psikik. Nuk ka diskutim, që ky i dyti është një opinion i pastër. Ndërsa të parat, d.m.th zgjedhjet e lira, janë një parim, mbi të cilin ngrihet sistemi i demokracisë liberale. Në këto rrethana nuk do ta lejoja veten të përligjja ata, që do duan të vjedhin votat me qëllim që të pengojnë një të sëmurë psikik të vijë në pushtet.
Po ta bëja këtë, nuk do të besoja te demokracia. Mua nuk mund të më pengojë kush të them se x-i është i sëmurë psikik (për sa kohë jam i bindur për këtë gjë), por nuk është detyra ime të pengoj një të sëmurë psikik të vijë në pushtet. Kjo është detyra e shumicës së votuesve (këtë e thotë parimi i demokracisë, tek e cila unë besoj fuqimisht).
E nëse shumica nuk ka të njëjtin opinion me mua, nuk është se do të jem i lumtur. Përkundrazi. Por do të jem i qetë amá, sepse votat janë numëruar ashtu si duhet. Për pasojë, do jem gjithë kohën me idenë, se pas katër vjetësh, tok me shumë të tjerë, do të kem një shans tjetër, për të mos e lënë një të sëmurë të rrijë në pushtet. Nuk është ngushëllim i paktë. Ndërsa dhunuesit e parimit të lënë pa ngushëllim.







