Ultimatumi i BE-së për krizën, PS drejt paktit, PD nuk e pranon

0
45

Shekulli Online, 11.06.2010

BRUKSEL – Hapje e kutive të materialeve zgjedhore dhe ngrirje të kutive të fletëve të votimit deri në një interpretim nga Komisioni i Venecias. Ky është kompromisi i ofruar, Parlamenti Europian dje për dy liderët kryesorë politikë shqiptarë për t’i dhënë fund krizës politike, që ka mbërthyer Shqipërinë që prej gati 10 muajsh.

Ndoc_Gjetja

Kreu i grupit parlamentar të PPE-së, Jozeph Daul, dhe kreu i eurodeputetëve të majtë, Martin Shulz, i kanë komunikuar dje pasdite në telefon dy krerëve të politikës shqiptare, kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, draft-marrëveshjen e plotë për zgjidhjen e krizës, por pa mundur sërish që të marrin pëlqimin e të dyja palëve.

E ndërsa mësohet se nga kreu i opozitës është gjetur gatishmëria për ta pranuar një zgjidhje të tillë, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me kreun e mazhorancës, i cili sërish nuk ka dhënë një përgjigje (ekzistenca e një drafti dhe një telefonatë të tillë nuk konfirmohet nga të djathtët), pavarësisht kushtit që i ishte vënë nga ndërkombëtarët për ta pranuar këtë zgjidhje brenda ditës së sotme, pra para se opinioni publik të angazhohej në ndjekjen e kampionatit Botëror të Futbollit që starton sot në mbrëmje.

Drafti
Parlamenti Europian ka përgatitur një draft zgjidhjeje për t’i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri dhe dje pasdite ia kanë paraqitur me anë të telefonit dy liderëve politikë shqiptar, kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, për ta pranuar, por pa gjetur mirëkuptimin e të dyja palëve. Grupimet kryesore politike të majta dhe të djathta në Parlamentin Europian gjatë një mbledhjeje larg vëmendjes së medias, kanë rënë dakord midis tyre duke përpiluar një draft për zgjidhjen e krizës politike, përmbajtjen e të cilit kreu i eurodeputetëve të djathtë, Joseph Daul, dhe kreu i eurodeputetëve të majtë, Martin Shulz, ia kanë bërë të ditur dje respektivisht Berishës dhe Ramës.

Nga burime pranë selisë rozë u konfirmua se bëhet fjalë sërish për të njëjtin draft që është debatuar edhe më parë. Më konkretisht, drafti i cili përflitet se iu është vënë mbi tavolinë Ramës dhe Berishës, ka në thelb të tij hapjen dhe hetimin e kutive të materialeve zgjedhore nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ketë shumicë dhe drejtimin e opozitës.

Ndërkohë që për sa i përket kutive të fletëve të votimit mësohet se drafti i hartuar nga përfaqësuesit e dy grupeve kryesore politike në Parlamentin Europian propozon që ato të qëndrojnë të bllokuara deri në një vendimmarrje të komisionit hetimor parlamentar, i cili nga ana e vet në varësi të hetimit të kutive të materialeve zgjedhore mund t’i sugjerojë kryetares së Kuvendit, ose Presidentit që të kërkojë interpretimin Gjykatës Kushtetuese ose direkt Komisionit të Venecias nëse duhen hapur ose jo.

Boshtinaru
Në rast se ky draft nuk do të pranohet nga drejtuesit politikë, atëherë, sipas zyrtarëve të PE-së, Shqipëria do të penalizohet për proces integrues dhe heqjen e regjimit të vizave. Këtë gjë e beri të ditur zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Viktor Boshtinaru. Sipas Boshtinaru, drafti i hartuar nga Parlamenti Europian kërkon miratimin e dy krerët e forcave politike shqiptare për të arritur në një marrëveshje politike. Nëse arrihet në këtë stad, sipas tij, dy grupet politike evropiane do ta firmosin draftin e zgjidhjes së bashku me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama.

Por, ai specifikoi qartë se nëse hidhet poshtë propozimi i Parlamentit Evropian, atëherë BE-ja do të ngrijë të gjitha proceset që ka me Shqipërinë duke filluar me anëtarësimin e vendit, përfshirë edhe ngrirjen e liberalizimit të vizave. “Nëse do të arrihet një marrëveshje, atëherë dy grupet politike europiane do ta firmosin atë me dy liderët, Kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist, Rama.

Por nëse këta dy liderë do të hedhin poshtë propozimin e Parlamentit Europian, nëse unë jam informuar mirë dhe besoj që e di mirë këtë situatë, të dy grupet politike europiane vendosin të ngrijnë të gjitha çështjet me Shqipërinë, përfshi dhe atë për regjimin e lirë të vizave”, – ka thënë Boshtinaru në një intervistë për televizionin Top Channel.

Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin në PE nënvizoi se liderët e forcave politike janë në dijeni të përmbajtjes së draftit që parashikon zgjidhjen, por, sipas tij, gjithçka do të varet nga vendimi që do të marrin secili prej krerëve politikë. Boshtinaru apeloi edhe një herë duke thënë se Rama e Berisha duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të ketë vendi në rast dështimi të marrëveshjes.

“Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian. Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes. Për mendimin tonë, ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t’u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin dy partitë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje”, – u shpreh ai.

Ndërkohë, sipas kryetarit të delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan, Parlamenti Europian ka bërë gjithçka ka mundur për të dalë nga kjo gjendje politike dhe tani u takon liderëve politikë shqiptarë që të zgjidhin këtë situatë. “Po bëjmë ç’është e mundur nga ana jonë për të zgjidhur ngërçin politik, sepse kjo po dëmton vendin, po dëmton të ardhmen e tij dhe progresin drejt BE-së. Ne bëmë gjithçka mundëm dhe tani u takon atyre që të arrijnë marrëveshje. Ne duhet t’i inkurajojmë e t’i shtyjmë ata me mirësjellje që të arrijnë një marrëveshje dhe kaq”, – ka theksuar Kukan.

Marrëveshja për krizën, Fyle: Topi në fushën e Berishës dhe Ramës

UPDATE – Kur ka skaduar afati dy javor për zgjidhjen e krizës politike, dhe liderët politikë shqiptarë nuk kanë arritur në një marrëveshje midis tyre, Brukseli kërkon zgjidhjen sa më të parë të situatës politike. Zyrtarët e Brukselit tashmë ua kanë adresuar zgjidhjen e ngërçit politik krerëve të forcave politike shqiptare, Rama e Berisha. Përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar për masa të rrepta ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë në rast të moszgjidhjes së krizës brenda dy javëve edhe pse komisioneri për Zgjerimin Shtefan Fyle, pas samitit të Sarajevës nuk e theksoi qëndrimin e BE-së kundrejt afatit të përfunduar.

Por ai specifikoi se liderët politikë shqiptarë duhet të zgjidhin krizën politike, pasi sipas tij, ata i kanë marrë parasysh sugjerimet dhe paralajmërimet e krerëve të dy grupeve kryesore në Parlamentin Evropian, Xhozef Daul dhe Martin Shulz në darkën e Strasburgut. Sipas Fyles, topi është në fushën e politikanëve shqiptarë për të arritur në një kompromis politik, ndërsa vuri në dukje se Bashkimi Evropian është i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij në këtë proces.

“Ata e kanë procesin në duart e tyre tani. Ata e njohin përgatitjen tonë për t’i ndihmuar sa më shumë që të mundemi. Ata janë në dijeni të kërkesave nga drejtuesit e dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian. Topi është në fushën e tyre”, – ka thënë Shtefan Fyle në një prononcim për mediat në Bosnje -Hercegovinë. Por, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe ofertave të ndërsjella në formën e varianteve midis opozitës dhe mazhorancës për daljen nga kjo situatë, dy drejtuesit e partive më të mëdha në vend nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të proceduar me mënyrën e kryerjes së transparencës së zgjedhjeve.

Opozita nga njëra anë këmbëngul në hapjen e kutive dhe shqyrtimin e fletëve të votimit, ndërsa mazhoranca nga ana tjetër i qëndron variantit të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, si dhe variantit për djegien e fletëve të votimit. Bashkimi Evropian ka bërë shpeshherë presione ndaj klasës politike shqiptare duke i bërë të ditur se Shqipëria mund të penalizohet në marrjen e statusit kandidat për në BE, si dhe mund të mos përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave nëse nuk arrihet një zgjidhje politike.

Për këtë arsye, në Samitin e Sarajevës vetë komisioneri për zgjerimin Shtefan Fyle specifikoi se drejtuesit politikë duhet të arrijnë në një konsesus përpara se Parlamenti Evropian të shqyrtojë çështjen e heqjes së regjimit të vizave, pasi europarlamentarët do të marrin një vendim politik mbi këtë proces duke u fokusuar edhe tek situata politike në Shqipëri.

25 Maj

Takimi Rama-Topi

Ka përfunduar rreth orës 13:45 takimi mes Presidentit Bamir Topi dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Biseda mes tyre ka zgjatur për më shumë se një orë dhe siç njofton zyra e shtypit ka qenë kokë më kokë.

Deri më tani nuk ka asnjë detaj rreth bisedës, pasi Rama nuk u prononcua për mediat kur doli nga Presidenca. I vetmi informacion është ai i zyrës së shtypit të Presidentit që thotë se “Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot me kërkesën e tij Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Situata më e fundit politike në vend ishte temë kryesore e bisedës kokë më kokë të zhvilluar në zyrën e Kryetarit të Shtetit”.

Takimi vjen pas kthimit të Ramës nga Strasburgu, ku u la një periudhë dy javore për arritjen e një marrëveshje me mazhorancën.