Astrit Veliaj*, 10.11.2009
Si një prej investitorëve më të mëdhenj në botën e arsimit të lartë privat në Shqipëri, dhe iniciues i debateve publike mbi këtë çështje, nuk kisha se si të rrija pa reaguar ndaj një prej lajmeve më të fundit të rektorit Kule.
Pengmarrja e botës akademike, kërcënimi ndaj angazhimit të pedagogëve në institucionet private të arsimit të lartë, përbën një nga antireformat më të mëdha në arsimin e lartë e frymëzuar pikërisht nga ata individë që duhet të ishin shembull për botën e dijes dhe zgjerimin e saj.
Këta individë kanë zgjedhur që nën petkun e administratorit (duke e ngatërruar veten shpesh me administratorët e universiteteve private) të një prone publike të frenojnë zhvillimin policentrik të stilit perëndimor në vendin tonë. Janë pikërisht të tillë figura që po bëhen antireformatorët mbi zhvillimet që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në arsimin e lartë shqiptar. Këto ide dhe vendime shkojnë ndesh edhe me atë politikë që arsimi ynë ka përqafuar prej vitesh (që në firmosjen e marrëveshjes në 2003) dhe pikërisht me Marrëveshjen e Bolonjës, e cila në thelb të saj ka mobilitetin e studentëve dhe stafeve akademike.
Qarkullimi i lirë dhe lëvizshmëria e elitave akademike, specializimet e kuadrove dhe studentëve, transferimi dhe shkëmbimet e kompetencës së specializuar ndërinstitucionale përbëjnë motorin e zhvillimit ekukativ global. Përgjatë dy dekadave falë këtij modeli liberal, Shqipëria përfitoi një thesar të çmuar, atë të kapitalit intelektual.
Por sigurisht rektori Kule si një akademik i vjetër duhet të dijë që me lindjen e dijes ka lindur dhe përhapja e saj. Që në Mesjetë ekzistonte një proces shumë i njohur që është pikërisht ai i mobilitetit të stafeve akademike dhe studentëve nga një anë e botës në anën tjetër, të etur për dije dhe edukim. Në shekullin e fundit ne jemi dëshmitarë të dhjetëra projekteve si ERASMUS, DELTA, PETRA, LINGUA, TEMPUS që i kanë mundësuar studentëve dhe akademikëve të shkojnë të edukohen dhe të japin dijet e tyre në të gjithë botën.
Është qesharake të ngrihet një debat i tillë sot, i cili na çon në një periudhë tashmë të kaluar, atë të komunizmit, kur profesorët të detyruar prej sistemit politik nuk mund të jepnin mësim dhe të angazhoheshin në aktivitete të tjera akademike veçse atyre që diktonte universiteti publik dhe aq më pak të mendonin për mobilitetin e tyre në universitete të tjera në rajon apo në botë.
Zoti rektor, ne të gjithë ishim dëshmitarë që periudha e centralizimit të mendimit e dijes, nuk na solli gjë tjetër vetëm se të ishim një nga vendet e vetëm të Europës me zhvillimin më të vonuar ekonomik ne fillimet e viteve ‘90-të.
Sot studentët shqiptarë, pa diskriminim meritojnë të përfitojnë nga eksperienca akademike universitarëve shqiptarë dhe të huaj.
Zoti rektor, ju keni qenë gjithmonë kundër hapjes së universiteteve private në Shqipëri, sepse fatkeqësisht e keni ndjerë veten gjithmonë pronarë të institucioneve publike, duke patur besimin e plotë që ju keni autorësinë për të shpërndarë arsim dhe dije. Dhe po sot, me një vendim të tillë ju po tregoni shenja feudalizmi duke dashur të centralizoni atë që nuk është e juaja, por është pronë e atyre individëve dhe profesorëve të nderuar që me mund dhe sakrificë e tyre dhe jo tuajën kanë arritur aty ku janë sot.
Askush në botën e sotme nuk duhet ta ndjejë veten pronar të dijeve të të tjerëve apo të frenojë nevojën intelektuale të atyre studentëve që kërkojnë t’i marrin ato.
Ne jemi të sigurt që orvatjet monopolizuese mbi kapitalin intelektual dhe frenimi abuziv i elitave në misionin e përhapjen e dijes do të dështojnë.
Fryma universale arsimore na sugjeron bashkëpunimin organik dhe jo përjashtimin, hapjen dhe jo izolimin, qarkullimin e jo paralizimin, respektimin e parimeve bashkëkohore dhe jo ringjalljen e shpirtit të shëmtuar komunist.
Investuam me idealizëm në formimin elitar për modernizimin, dhe do vazhdojmë të luftojmë me përkushtim për të eliminuar feudalizmin në arsimin e lartë shqiptar.
*Presidenti i U.F.O University