Sfida e radhës për intelektualin dështak

0
60

Bledar H. Prifti

Bledar H. Prifti, 09.06.2010

Politika dhe intelektuali janë dy elementë të dështuar të shoqërisë Shqiptare. Politika konsiderohet dështake për vetë faktin se për dekada me radhë është udhëhequr nga grupime dhe elita politike që si prioritet nuk kanë pasur mbrojtjen e interesave të shoqërisë, por privatizimin e shtetit dhe vënien e tij në shërbim të interesave të pushtetit.

Intelektualët konsiderohen dështakë, pasi janë këta intelektualë që i kanë dhënë (dhe i japin) jetë pushteteve dhe politikave dështake si asaj të djeshmes së Enver Hoxhës dhe kësaj të sotmes së Sali Berishës.

Ky shkrim fokusohet tek intelektualët dështakë, jo tek ata intelektualë që janë në shërbim të pushtetit, por tek ata intelektualë që janë kundër pushtetit, por që me injorancën, naivitetin dhe paaftësinë e tyre i shërbejnë pa dashje pushtetit.

Ky shkrim është një sfidë që unë i bëj këtyre intelektualëve, duke i konsideruar ata “mish me dy sy” dhe individë me mungesë të theksuar intelekti dhe kapaciteti për të menduar në mënyrë kritike. Ky shkrim nuk ka qëllim për t’i ofenduar, por për t’i zgjuar nga kjo gjendje absurdi dhe apatie.

E kuptoj fare mirë që kjo përbën një akuzë të rëndë për intelektualët e këtij grupi, por me vullnet të plotë dhe të lirë ju bëj sfidë që të më vërtetoni të kundërtën e atyre argumenteve që unë do të analizoj pak më poshtë.

Kjo ide për të sfiduar këta intelektualë që janë kundër pushtetit, por që pa dashje i shërbejnë atij, mori shkas nga dy shkrime botuar pak ditë më parë (një i z. Shinasi Rama këtu në Shekulli) dhe nga një apati dhe mefshtësi e pashoqe e treguar nga ky grup në lidhje me krizën politike dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjithsesi, duhet të keni parasysh se kjo është një analizë që orvatet të analizojë fenomenin dhe jo thjesht individët e sipërpërmendur dhe mendimet e tyre personale.

Së pari, e përmenda Z. Shinasi Rama, sepse, ashtu si edhe shumica e intelektualëve të grupit të tij, ai deklaron në shkrimin e tij të fundit se protestat e opozitës Socialiste dhe kauza e saj për transparencë të plotë të zgjedhjeve kanë si synim ardhjen e saj në pushtet.

E konsideroj këtë deklaratë si një papjekuri intelektuale dhe mungesë e theksuar e të menduarit kritik. Gjithashtu, ç’është më e rëndësishmja, kjo deklaratë është (dhe synon) një ofendim dhe nënvlerësim ndaj principit bazë të demokracisë, transparencës dhe votës së lirë.

Lind pyetja: Si do të vijë Edi Rama në pushtet përmes transparencës së procesit zgjedhor? Përse protestat dhe transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit na sjellka Ramën në pushtet? Nëse numërohen votat dhe prej andej del se numërimi është i rregullt dhe Berisha i ka fituar zgjedhjet, atëherë si do të vijë Rama në pushtet? Nëse kjo është e vërtetë, Rama jo vetëm që nuk do të vinte në pushtet, por ai do të merrte fund si figurë politike.

Mos vallë, ashtu si edhe Fatos Lubonja, Z. Shinasi e bën këtë deklaratë nga bindja se transparenca do të zbulonte që Rama ka qenë fituesi real i zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe jo Berisha? Nëse vërtet Z. Shinasi mendon se ekziston skenari i dytë që opozita socialiste nuk i ka humbur realisht zgjedhjet, atëherë do të ishte e pafalshme për atë që të sulmonte protestat dhe kauzën opozitare për transparencë.

Është pa kurrfarë baze morale dhe etike të akuzosh apo insinuosh negativisht se Edi Rama po synon marrjen e pushtetit përmes transparencës së procesit zgjedhor, edhe pse ky i fundit e ka deklaruar hapur brenda dhe jashtë vendit se nuk synon marrjen e pushtetit. A e kuptoni se edhe Edi Rama është njëri si ne dhe ka të drejtën morale dhe të Zotit për t’i provuar opinionit publik të vërtetën dhe për të pastruar veten nga gjithë ajo baltë që është hedhur mbi figurën e tij politike?

Z. Shinasi (dhe të tjerët që mendojnë si ai), nëse do të ishit në të njëjtën situatë, a nuk do të ishte e drejta juaj humane që të paktën t’i provonit opinionit publik se keni humbur apo fituar? A nuk të duket se kjo nuk është kauzë për pushtet, por një kauzë për të zbuluar të vërtetën? A nuk mendon se e vërteta është më e fuqishme dhe më me vlerë se pushteti? A e kuptoni se sa të varfër jeni intelektualisht dhe në bagazhin e të menduarin kritik?

Diletantizmi dhe mungesa e theksuar e të menduarit kritik është shfaqur gjatë gjithë kohës kur kryeministri Berisha pretendonte për antikushtetutshmëri të hapjes së kutive të votimit. Në mënyrë të përsëritur për muaj me radhë, Berisha dhe Meta kanë theksuar me të madhe se hapjen e kutive të votimit nuk e lejon Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Për muaj me radhë, unë dhe shumë të tjerë kemi ofruar prova të pakontestueshme që kjo ishte një gënjeshtër e madhe dhe se neni 77 (2) i Kushtetutës dhe vendimi i Gjykatës sanksiononin transparencë të plotë. A ju kujtohet që Berisha i kërkonte opozitës ta çonte në Gjykatë çështjen e kutive? Po si more injorantë dhe të ngratë nuk e dini që Gjykata nuk mund të shprehet dy herë për të njëjtën çështje?!

Po si more injorantë dhe të ngratë nuk e lexuat nenin 77 (2) dhe interpretimin e tij nga Gjykata dhe të shihnit se aty as që përmenden fare kutitë e votimit?! Ato janë fakte bruto dhe nuk kërkojnë interpretim, “janë e zezë mbi të bardhë”. Si more injorantë dhe të ngratë nuk e kuptuat se hapjen e kutive nuk e ndalonte Kushtetuta dhe Gjykata, por Sali Berisha?!

Ja ku i keni nenin dhe vendimin e Gjykatës: (1) Nenin 77(2) i Kushtetutës thekson se Parlamenti “ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.

Përfundimet e tyre NUK JANË DETYRUESE PËR GJYKATAT, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore”. (2) Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.

18, datë 14.5.2003 thekson se “çështje të veçanta konsiderohen ato çështje, që hetohen në aspektin e kontrollit të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeve, apo veprimtarive dhe, që nxisin iniciativat për propozime, mendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”.

Kam të drejtë morale që t’ju sulmoj për mungesë intelekti dhe të menduarit kritik, sepse vetë Sali Berisha i vërtetoi pretendimet e mia dhe sepse koha po zbulon varfërinë tuaj intelektuale. Sot, Sali Berisha nuk deklaron se hapjen e kutive e ndalon Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës. Sot, ai deklaron gënjeshtrën e radhës se hapjen e kutive e ndalon Kodi Zgjedhor. A e kuptoni more injorantë dhe të ngratë sa viktima që keni qenë?

A e kuptoni more injorantë dhe të ngratë se si ka luajtur me ju Sali Berisha? Sa nga ju e kanë pyetur Berishën dhe Metën se çfarë u bë me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës që ndalonte hapjen e kutive?! A nuk e kuptoni se Berisha duhet në fillim të japë përgjigje se ku shkoi pretendimi i tij disamujorësh se hapjen e kutive e ndalonte Kushtetuta dhe Gjykata?

Po hajde se po e lëmë këtë mënjanë dhe le të merremi me pretendimin e radhës. Sa nga ju e kanë analizuar pretendimin e radhës së Berishës? Sa nga ju e dinë që Kushtetuta është ligji suprem i vendit? Neni 4(2) i Kushtetutës thekson se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”. Prej këtej duhet të kuptoni se Kushtetuta qëndron mbi Kodin Zgjedhor dhe nenet e Kushtetutës triumfojnë mbi nenet e Kodit.

Pra, Neni 77(2) i Kushtetutës qëndron mbi Nenin 178(6) të Kodit. Por le ta lëmë edhe këtë mënjanë dhe le të fokusohemi tek Neni 178(6) i Kodit, i cili thekson: “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.”

Besoj se e keni lexuar nenin të zezë mbi të bardhë. A e kuptuat? Bazuar tek Neni 178(6), kutitë e fletëve të votimit digjen “pas përfundimit të afatit për ankimet”.

A e dini se afati i ankimimeve ka mbaruar afro që në muajin Gusht të vitit 2009? Atëherë, përse nuk janë djegur fletët e votimit sot në qershor të vitit 2010? Është shumë e thjeshtë: Neni 178(6) nuk vendos asnjë afat kohor për djegien e fletëve të votimit.

Jo më kot, fjalia në lidhje me djegien e fletëve të votimit është e vendosur veças pa lidhësen “dhe”. Neni thekson se “Të gjitha fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.” , por ai nuk vendos kohën se kur bëhet kjo djegie.

Në rastin tonë, koha e djegies së fletëve të votimit kondicionohet nga neni 77(2) i Kushtetutës, i cili sanksionon hetim të plotë parlamentar të një çështje të veçantë, procesit zgjedhor. Po ashtu, edhe Sali Berisha nuk ka asnjë detyrim ligjor dhe kohor për të djegur fletët e votimit. Si mendoni, do ta hani përsëri ashtu si e hëngrët me pretendimin e parë të Berishës?

Mos e harroni se kemi ngelur tek neni 178(6). Intelekti dhe të menduarit tuaj kritik gjenden përsëri përballë një sfide (tallje) të radhës së bërë nga kryeministri Berisha. Mënyra se si ju do të reagoni do të tregojë se sa e hapur dhe e sofistikuar është bota juaj intelektuale.

Në shkrimin e mësipërm, unë sfidoj intelektin dhe të menduarin tuaj kritik përmes mendimeve që ju mund t’i konsideroni edhe fyerje; ajo varet nga ju. Por nuk ishte ky qëllimi im. Qëllimi im i vërtetë ishte që të zgjoja sadopak tek ju dëshirën për të vërtetën, të drejtën, të mirën dhe të zgjuarën. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një njëri sesa të uzurpohet nga injoranca dhe mungesa e të menduarit kritik.

Situata aktuale është një pasqyrë, e cila tregon më së miri dështimin e politikës dhe të intelektualit shqiptar. E drejta dhe e vërteta mund të mohohen dhe mbulohen për jetë ose për një farë kohe, por kurrë nuk mund të thuhet se dështojnë!