Arjan Th. Kallço
Dikur kam përgatitur një material që bën fjalë për parkun letrar të njërit prej poetëve më më mëdhenj italianë, Nobelist, Ungaretit. Në tetor në Itali miqtë tanë në Morra de Sanctis, kishin fituar një projekt për një park të tillë letrar që do të mbante ermin e nëjrit prej letrarëve më të shquar të krahinës dhe Italisë. Tek ne ky fenomen letrar ende nuk ka asnjë emër, bazë dhe traditë. Le të krijojmë një traditë të tillë në vend, duke përzgjedhur emrat më të shquar të letërsisë sonë kombëtare dhe ndërkombëtare, të atyre që kanë qënë pjesë e jetës sonë dikur.
Kjo ide nuk ka asgjë të përbashkët me kopjet të cilat duhet t’i sjellim edhe t’i ngrejmë tek ne, por i shtohemi numërit të vendeve që synojnë që të përhapin një traditë të vyer, duke kujtuar figura të ndritura të letërsisë. Meqë tek ne vlerat askush s’po i mbron dhe aq më pak t’i vlerësojë, koha do kalojë dhe do të shohim, sesa largpamës kemi qënë, duke u marrë me ide të translaptuara pa bereqet, si të shkatërrimit të asaj kulture apo tradite që me aq mund u krijua në vite.
Në këtë fundjavë në një emision tek RAI pashë mrekullinë e mendjes njerëzore që në 10 vite pune, rekuperuan me restaurime një Versajë italiane në Torino, secili mund ta shikojë në internet, duke e sjellë në të gjithë shkëlqimin e dikurshëm. Një përpjekje jo për ta shkatërruar të shkuarën, por për ta mbrojtur dhe bërë të njohur për të gjithë, edhe për turistët e shumtë. Kam përshtypjen se tek fjala turizëm kulturor ne jemi shumë prapa, pasi janë të paktë ata që e praktikojnë, edhe pse nuk e njohim dhe nuk kemi dëshirë që ta njohim kulturën tonë.
Çudia e këtyre vlerave të vërteta dhe jo false, u shfaq hapur nga disa miq italianë që shpesh nëpër Shqipëri, muzetë dhe monumentet e kulturës i gjejnë gjithmonë bosh. A mund të mos interesohet njeriu për kulturën e vet? – është pyetja që bëhet shpesh në takime me miq artistë, por që përgjigjen e marrim shpejt, kur shohim apo mësojmë se disa prej tyre prishen në dritë të diellit. Ditën e fundit të fundjavës tek pazari i Korçës pamë një traditë që dikur ruhej nga shteti, restaurohej, por për fat të keq ka filluar që të prishet. Bëhet fjalë për Hanin Elbasani që gjendet pikërisht tek hyrja e pazarit që tash është shndërruar në një treg, por kjo nuk do të thotë që ta braktisim dhe ta lëmë pasdore, për t’ia dhënë ndonjë privati që të ndërtojë ndonjë pallat “gjigand” në vend të tij.
Po përse zgjodha emrin e poetit Jorgos Seferis?
Mendova këtë emër, duke kujtuar edhe ndonjë mik që sa herë takohemi ma sjell në kujtesë poetin dhe “turpin” që nuk po e nderojmë dot, besoj se duhet ta kemi në nderin tonë që Nobelisti grek të jetë gjithmonë mes nesh, çmim që e mori në vitin 1963, sepse punoi dhe jetoi në qytetin tonë, me detyrën e Konsullit të Greqisë, duke e përjetësuar edhe në veprën e tij. A ka nder më të madh për Korçën? Logjika ma do se jo, pavarësisht mendjeve të nxehta që do të shohin tek ky rast, shembullin e qartë të një kritike nacionaliste, se doli zogu në shteg. Rrini të qetë sepse nuk kemi nevojë për komentet tuaja bajate dhe “patriotike” sa herë që përmenden disa vende, midis të cilëve dhe Greqia. Ne nuk e ngatërrojmë kurrë kulturën me politikën apo me njerëz që në mendje kanë aspirate të tjera dhe jo kombëtare.
Seferisi është poeti i botës dhe jo vetëm i Greqisë, por këtë madhështi nuk e kuptojnë dot njerëzit e vegjël. Meqë është ide që po hidhet për herë të parë tek ne dhe më vjen mirë që po e paraqes i pari, do të desha të shpjegoja disa koncepte që lidhen me parkun letrar.
Çfarë është parku letrar?
Parku letrar është një hapësirë fizike apo mendore, vende që i frymëzuan veprat e shkrimtarëve të mëdhenj të një vendi dhe të botës dhe që nuk kanë kufij. Park letrar mund të jetë një vend me rrënoja të vjetra, këto vështirë se mund t’i gjejmë tek ne pasi janë betonizuar, shtëpi ku kanë jetuar dhe banuar këta mendimtarë të shpirtit, qendra të tëra historike të cilat i kemi, por të shpresojmë që të mos eliminohen çdo ditë, rrugë të vjetra brenda dhe jashtë qendrave të banuara. Synimi i një hapësire të tillë është të shpëtohen përvojat vizive dhe emocionale të autorit që i ngjizi në vepra, me veprimtari të shumta që stimulojnë kërshëri dhe fantazi tek njerëzit dhe tek turistët.
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një mendim kulturor, por nëj veprimtari e shumëanshme, bile dhe ekonomike me lëvizjet e njerëzve brenda vendit, por edhe jashtë. Fitojnë të gjithë pa asnjë dallim, pasi do të vihen në lëvizje potenciale të mëdha ekonomike, kulturore, gastronomike, hoteliere etj. Një fakt domethënës është punësimi edhe pse sezonal i shumë të rinjve që kohën e vrasin kot kafeneve apo rrugëve të qyteteve. Natyrisht një monument, një pllakë përkujtimore dhe disa nga vargjet më të bukura duhen ekspozuar diku në këto hapësira që edhe brezat që do të vijnë të kenë rast që të njohin të shkuarën tonë me të gjitha arritjet dhe gabimet tona.
Pa këtë ballafaqim vështirë se do të bëjmë shumë hapa para drejt qytetërimit. Kjo do të na jepte dorë që të rilidhim kujtimet e shkrimtarit apo poetit, çastet e frymëzimit të tij, duke mbajtur parasysh mjedisin, historinë dhe traditat tona. Kjo ide mund të diskutohet kudo tek ne, në të gjitha qytetet dhe vetë bashkitë apo zyrat e tyre të vrasin mendjen për një organizim sa më të mirë të këtyre ngjarjeve.
Hapi i parë i domosdoshëm është që kjo ide të mos kthehet si qëllim në vetvete, por të përzgjidhen figurat më të mëdha të çdo qyteti dhe të kombit. Një shoshë e tillë duhet të funksionojë fuqishëm, pasi nuk dua që ideja të degjenerojë në emra që nuk e meritojnë aspak këtë nder. Ta hedhim hapin dhe të shohim më pas rezultatet, që besoj se do të jenë tepër frytdhënëse, edhe për disa nacionalistë të thekur mjeranë.