Kush është Tomisllav Nikoliç?

0
94

Nga Enver Robelli, 24 maj 2012

Me Tomislav Nikoliçin si kryetar Serbia ka nisur një eksperiment politik. Dikur vojvoda i çetnikëve kërkonte – bashkë me mentorin e tij politik Vojislav Sheshel – që shqiptarët e Kosovës të infektoheshin me sidë. Kështu, sipas tyre, do të zgjidhej çështja e Kosovës. Një president të tillë e ka merituar Serbia, që ende nuk është e gatshme të ndahet nga demonët e së kaluarës. Një president të tillë e ka merituar edhe Bashkimi Evropian me politikën e tij joparimore ndaj Serbisë.

Në çastin e triumfit të tij më të madh në karrierën e gjatë politike, presidenti i ri i Serbisë u përpoq të luajë rolin e pajtimtarit; si me vështirësi ai tentonte të dukej i përzemërt. Tomislav Nikoliçi menjëherë bëri të qartë se vendi i tij nuk do të largohet nga shtegu proevropian. Ai nuk foli për ripushtimin e Kosovës, por për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë – e cila për Serbinë mbetet krahinë, për shqiptarët, për shumicën e pakicave dhe gati 100 vende të botës shtet i pavarur.

Paksa me ton aventurier, Nikoliçi premtoi se do të krijojë vende të reja pune dhe do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, dy fenomene, sipas tij, të toleruara nga presidenti i deritanishëm Boris Tadiçi. Paralajmërimet populliste të Nikoliçit mund të duken atraktive në shtresat e varfra të popullsisë serb.

Por, ky politikan deri më sot nuk ka dhënë dëshmi se është demokrat që beson në shtetin juridik. Retorika e tij tingëllon e moderuar, po ashtu ai nuk kërkon më krijimin e Serbisë së madhe. Por Nikoliçi ende nuk është distancuar bindshëm nga e kaluara e errët serbe, ndërkohë që përpiqet të dëshmojë se e ka përmbyllur shndërrimin e tij prej ultranacionalisti në proevropian. Ndryshe nga presidenti i deritanishëm Tadiç, Nikoliçi kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet e bashkëkombësve të tij.

Zgjedhësit serbë të dielën, duke votuar për Nikoliçin, vendosën të nisin një eksperiment politik. Ishte dëshpërimi për gjendjen e rëndë ekonomike, që i shtyri jo pak serbë t’i japin votën Nikoliçit. Fitorja e tij e komplikon pozitën e Serbisë në politikën e jashtme dhe të brendshme. Presidenti i ri në vitet 90-të ka qenë një nacionalist i pëgërë dhe bashkëprovokator i luftërave në Ballkan, jo vetëm me retorikë primitive.

Mentori i atëhershëm politik i Nikoliçit, i akuzuari për krime lufte Vojislav Sheshel, synonte të pushtonte më shumë se gjysmën e territorit të Kroacisë dhe kërkonte t’ua nxirrte sytë kroatëve me lugë të ndryshkura. Për të zgjidhur çështjen e Kosovës ai propozonte që shqiptarët të infektohen me virusin e sidës. Nikoliçi me vite të tëra e ka përfaqësuar këtë politikë. Tek në vitin 2008, ai themeloi Partinë Përparimtare Serbe (SNS), e cila befas proklamoi se e përkrah integrimin e Serbisë në BE.

Në politikën e brendshme të Serbisë, tani kartat e lojës janë përzier rishtas. Me Nikoliçin si president, Serbia gjendet para një kohabitacioni me president nga një parti tjetër dhe me qeveri që pritet të përbëhet nga partitë kundërshtare. Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 majit demokratët e Tadiçit dhe socialistët e autokratit të dikurshëm Slobodan Milosheviçit u pajtuan të vazhdojnë bashkëqeverisjen. Por Nikoliçi sipas Kushtetutës ka të drejtë të propozojë edhe një funksionar të partisë së tij për krijimin e një kabineti të ri.

Boris Tadiçi, humbësi i madh dhe deri më tani i preferuari i Perëndimit, ka deklaruar se është kundër kohabitacionit. Zgjedhësit e dënuan Tadiçin jo vetëm për shkak të stagnimit ekonomik, por edhe për mungesën e gatishmërisë për të kufizuar ndikimin e oligarkëve. Ata u pasuruan gjatë sundimit të Milosheviçit përmes privatizimeve kriminale dhe arritën të ruajnë ndikimin edhe pas kthesës së ashtuquajtur demokratike në tetor 2000, duke financuar partitë politike.

Me Tadiçin, Serbia humb një president pak më racional se Nikoliçi. Përkundër të gjitha dështimeve Tadiç ka disa merita: ai arriti të përmirësojë imazhin e keq të Serbisë në botë dhe për dallim nga politikanët e tjerë, pati guximin t’i ekstradojë në Hagë Radovan Karagjiçin dhe Ratko Mladiçin, dy fajtorët kryesorë për krimet masive në Bosnjë.

Bashkimi Evropian, i cili viteve të fundit ka zhvilluar një politikë joparimore ndaj Ballkanit dhe ka shpërblyer Serbinë me statusin e kandidatit pa ndonjë meritë, duhet ta masë Nikoliçin sipas veprave të tij. Që nga marsi Serbia ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse nuk ka bërë asnjë hap drejt pranimit të asaj që është evidente: pavarësia e Kosovës.

Me vite të tëra, Tadiçi është përpjekur t’i bindë bashkëkombësit e tij se anëtarësimi në BE dhe lufta për “rikthimin e Kosovës” janë dy postulate të përputhshme. Kjo politikë kundërthënëse nuk ka ardhmëri. Sa më shpejt që këtë e kupton Nikoliçi, aq më e lehtë do të jetë rruga e Serbisë drejt Evropës së civilizuar. Si lider opozitar Nikoliçi është treguar i pakompromis ndaj Kosovës.

Nëse na thonë se ne mund të hyjmë në BE, por Kosova nuk na takon neve, atëherë ne themi ‘jo, faleminderit, mirupafshim. Ne kemi rrugën tonë’”, ka deklaruar Nikoliçi. Se nga do ta çojë Serbinë kjo rrugë, mbetet e paqartë. Dikur Nikoliçi thoshte se Serbia mund të bëhet “krahinë ruse”. Sot ai propagandon anëtarësimin në BE, jo pse është demokrat dhe evropian i bindur, por pse e di se shumica e investimeve vijnë nga Perëndimi. Por ngjallja ekonomike mund të arrihet vetëm nëse Serbia bëhet shtet funksional dhe normal, i cili gjen paqen me vetveten dhe me fqinjët.

Nikoliçi është përpjekur viteve të fundit të duket sa më i afërt me popullin. Ai shpesh flet për nipat dhe mbesat e tij, tregon se si pjek raki në fshatin e tij të lindjes në Serbinë qendrore dhe si kërkon kërpudha. Si president ai nuk do të pranohet me lehtësi nga fqinjët. Fundja para dy dekadash ai si vojvodë i çetnikëve ka marrë pjesë në luftën kundër Kroacisë. Partia e tij e atëhershme (Partia Radikale) ishte shpesh më radikale se vetë Milosheviçi. Jo vetëm ndaj fqinjëve. Në fund të viteve 90-të Nikoliqi u zgjodh zëvendëskryeministër, kur regjimi ngushtoi lirinë e shtypit dhe futi nën kontroll universitetet, të cilat ishin qendra të opozitës antiqeveritare.

Për shkak të punës së tij të dikurshme si shef i varrezave në Kragujevc, Nikoliçi nga mediat serbe është përshkruar si varrmihës i demokracisë. Nikoliçi ka kandiduar dy herë – më 2004 dhe 2008 – kundër Tadiçit në betejën politike për të marrë postin e kryetarit të Serbisë. Dhe ka pësuar disfatë. Për shumicën e serbëve ai nuk ishte i pranueshëm derisa fliste për Serbinë e Madhe dhe lavdëronte kriminelët e luftës, duke i quajtur heronj. Tek pas disfatës së dytë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 Nikoliqi ra në konflikt me partinë e tij radikale për shkak se mbështeti afrimin me BE-në.

Për pasojë ai u përjashtua nga Partia Radikale dhe themeloi Partinë Përparimtare Serbe. Pas metamorfozës së tij Nikoliç madje u prit në Bruksel. Kur gazetarët ia kujtojnë atij të kaluarën e tij dhe pallavrat e përgjakshme për Serbinë e Madhe, ai reagon me nervozizëm. Për të larguar vëmendjen nga ky kapitull, ai më shumë flet për gjendjen e rëndë ekonomike në Serbi, ku rroga mesatare është rreth 350 euro dhe papunësia ka arritur në 24 për qind.

Koha Ditore