Rreziku real i fenomenit Baze-Taçi

0
41

Blendi Kajsiu

Blendi Kajsiu, 10.11.2009

Së pari duhet thënë që reagimi publik që shpërtheu pas dhunimit të gazetarit Mero Baze është për t’u përshëndetur. Pavarësisht se kush është apo se çfarë ka bërë Mero Baze, ushtrimi i dhunës ndaj një gazetari, sidomos nga persona afër pushtetit, dhe për më tepër në publik është një akt i shëmtuar që duhet dënuar me forcë. Në këtë aspekt dënimi i gjerë dhe publik që iu bë dhunës së ushtruar nga biznesmeni Taçi dhe bodigardët e tij ndaj Mero Bazes është një shenjë e mirë, se shoqëria shqiptare është ende e aftë të vendosë disa kufij përballë abuzivizmit. Fakti që kufijtë duhen vendosur edhe ndaj abuzimit me fjalën e lirë, nuk do të thotë se duhet injoruar abuzimi me gazetarët. Ndaj është e vështirë të mos solidarizohesh dhe përkrahësh reagimin publik kundër dhunës ushtruar ndaj gazetarit Baze. Problemi është se debati aktual rrezikon të riprodhojë pikërisht atë që dënon, fenomenin Taçi, duke legjitimuar logjikën ekonomike nga buron ky fenomen.

Me të drejtë një pjesë e mirë e debatit është fokusuar te dënimi i fenomenit të pasurimit të disa individëve që janë pranë pushtetit. Vetë gazeta “Tema” dhe Baze nuk kanë reshtur së denoncuari privatizimin e ARMO-s nga Taçi si produkt i korrupsionit të klientelizmit politik. Ideja është se nëse privatizimi i ARMO-s do bëhej në mënyrë korrekte dhe transparente, kompania me siguri do privatizohej nga ndonjë kompani e huaj e fuqishme. Dhe ndoshta është vërtet kështu, ndoshta në një proces transparent tenderimi jo Taçi, por ndonjë kompani e fuqishme nafte amerikane do ta merrte ARMO-n nën pronësi. Ashtu sikurse telefonia celulare, telefonia fikse, sistemi bankar, energjia elektrike dhe pothuajse çdo aset kombëtar shqiptar me vlerë, në fakt tashmë është në pronësi të kapitalit të huaj. Për faktin e thjeshtë se kapitali lokal nuk ka takat dhe as mbështetje nga qeveria për të marrë nën kontroll pasuritë tona kombëtare.
Denoncimi aktual i fenomenit Taçi në fakt legjitimon pikërisht këtë proces; privatizimin e të gjitha aseteve kryesore kombëtare shqiptare nga kapitali i huaj. Ama ky nuk është ndonjë proces që realisht zhvillon Shqipërinë në termin afatgjatë. Në fakt kemi të bëjmë me një proces që shpesh nxjerr jashtë Shqipërisë qindra milionë euro çdo vit, pa prodhuar ndonjë vlerë të shtuar. Fitimet që nxjerr kapitali i huaj në sistemin bankar apo telefoninë celulare shpesh dalin nga ekonomia shqiptare në vend që të stimulojnë prodhimin e saj. Madje në kuadrin e liberalizmit të tregjeve financiar qeveria shqiptare nuk ka as tagrin që të kërkojë ri-investimin e këtij fitimi në ekonominë tonë.

A do të thotë kjo se nuk duhet denoncuar privatizimi jo transparent i ARMO-s? Apo se nuk duhet denoncuar në përgjithësi marrëdhënia okulte politikë-biznes? Jo dhe jo. Natyrisht që fenomene të tilla duhen denoncuar, por për të tjera arsye. Fakti që ARMO është privatizuar nga një biznesmen shqiptar në vetvete është një lajm i mirë. Problemi nuk është thjesht se po pasurohet Rezart Taçi, problemi është se sa vende punë po hapen nga pasurimi i tij. Problemi nuk është se qeveria shqiptare po mbështet apo po krijon një biznesmen shqiptar. Problemi është se çfarë merr qeveria dhe shoqëria në shkëmbim të mbështetjes që i ofron një biznesi lokal? Punësim? Investim në ekonominë lokale? Apo ulje të çmimit të naftës për sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare? Me fjalë të tjera çështja shtrohet se si kontribuon nxitja dhe përkrahja e biznesmenëve lokalë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Sepse duhet të jetë e qartë që zhvillim të ekonomisë lokale pa fuqizim të biznesit vendas nuk ka dhe nuk mund të ketë. Pikërisht për këtë arsye qeveritë amerikane, gjermane apo japoneze e mbështesin hapur dhe fort biznesin vendas, dhe bëjnë çmos që asetet kombëtare të mbeten në pronësi lokale.
Ama që një mbështetje e tillë të ketë kuptim ajo duhet të bëhet në kuadrin e një plani të qartë zhvillimi. Pra, duhet të ekzistojë një strategji kombëtare zhvillimi që i jep përparësi sektorëve të caktuar të ekonomisë. Kjo përparësi mund të materializohet duke e mbrojtur produktin lokal në këto sektorë, duke lehtësuar kreditimin e tyre, duke i favorizuar nëpërmjet taksave, apo duke i ofruar një lëndë të parë me çmim të ulët, siç është nafta. Kështu privatizimi i aseteve kombëtare nga biznesmenë lokalë mund të justifikohet në kuadrin e një plani zhvillimi që nxit ekonominë lokale dhe sektorë specifik të saj. Në shkëmbim të mbështetjes që i jep biznesit vendas qeveria ka të drejtë t’i kërkojë atij edhe kuota dhe kushte të caktuara punësimi, prodhimi apo çmimi, në funksion të një plani të caktuar zhvillimi.

Përndryshe mbështetja i jepet një individi dhe jo një sektori, një biznesmeni dhe jo një industrie. Dhe ky është problemi real në ekonominë shqiptare sot, çka prodhon edhe fenomenin Taçi. Strategjia jonë kombëtare që presupozon se zhvillimi buron vetvetiu nga tregu, dhe që e koncepton shtetin thjesht si shitës të pasurisë kombëtare e ka reduktuar biznesin vendas thjesht në klient të pushtetit, dhe jo në aktor të zhvillimit tonë ekonomik. Për pasojë privatizimi tek ne nuk shikohet aspak në funksion të zhvillimit të ekonomisë kombëtare. Pyetja se si privatizimi aktual do i shërbejë zhvillimit të ekonomisë shqiptare as nuk shtrohet, pasi zhvillimi ekonomik shikohet si diçka që ndodh vetvetiu nga tregu i lirë.

Pyetjet që shtrohen janë gjithmonë specifike; ‘kush e mori?’, ‘sa e mori?’, apo ‘kujt ja mori?’. Në fakt ky është edhe rasti konkret. Ne si qytetarë ende nuk e kemi të qartë se çfarë fiton ekonomia dhe shoqëria shqiptare nga privatizimi aktual i ARMO-s. Ajo që kemi të qartë është se atë e ka marrë Taçi, për pak lekë, dhe se ia dha Berisha. I gjithë diskutimi u reduktua te debati i kishte apo jo lekët Taçi për blerjen e ARMO-s. Aq sa ky i fundit filloi të deklaronte blerjen e Milanit dhe Bolonjës për të treguar se sa shumë para kishte.

Aq total ishte injorimi i interesit të ekonomisë kombëtare saqë përballë deklaratave të tilla asnjë media lokale nuk shtroi pyetjen; çfarë leverdie ka ekonomia shqiptare nëse një biznesmen lokal që sapo ka privatizuar naftën blen Milanin? Përgjigjja; as edhe një pikë interesi. Përkundrazi, nëse Taçi vërtet do blinte Milanin sot apo nesër, kjo thjesht do të thoshte se qindra milionë euro dalin nga ekonomia shqiptare drejt Italisë. Në një kohë kur qindra mijëra qytetarë shqiptarë jetojnë nën nivelin e varfërisë.

Ky është në fakt një nga fenomenet që ka varfëruar dhe po varfëron Rusinë, nga e cila dalin çdo vit qindra miliardë euro. Manjatët e tipit Abramoviç fitimet që nxjerrin nga privatizimi i naftës apo gazit rus i nxjerrin jashtë ekonomisë ruse, duke blerë ekipe si Chelsea në Britani apo duke blerë plazhe dhe troje në vende turistike. Ndaj çështja nuk duhej të shtrohej i ka apo jo paratë Taçi për të blerë Milanin? Çështja shtrohet a duhet lejuar një biznesmen lokal që fitimet që nxjerr nga pasuria kombëtare të cilën e ka përftuar me mbështetjen e qeverisë, t’i nxjerrë jashtë vendit? Në këto kushte media, por edhe qeveria shqiptare duhet të ishin të parat që duhet të denonconin deklaratat për blerjen e Milanit apo Bolonjës, jo sepse ato ishin të pavërteta, por sepse ato mund të ishin të vërteta. Ç’kuptim ka që qeveria jonë t’i japë një biznesmeni shqiptar pasurinë tonë kombëtare me të cilën ai blen për 800 milionë euro Milanin, kur me këto para në Shqipëri mund të hapeshin 100.000 vende pune (nëse pranojmë që hapja e një vendi pune kushton 8000 euro).

Fatkeqësisht një shqetësim i tillë as nuk u shtrua fare, pasi koncepti i ekonomisë dhe zhvillimit kombëtar është inekzistent në debatin tonë publik. Madje edhe vetë Taçi në vend që të na thoshte se si do ndihmonte ekonominë shqiptare me privatizimin e ARMO-s, na tha që do bëhej pronar i Milanit me lekët që nxirrte nga ARMO!? Ndaj nuk është rastësi që tek incidenti Taçi-Baze gjithçka u përqendrua tek individi biznesmen dhe arroganca e tij ndaj një gazetari veteran. Edhe pse ky biznesmen dhe arroganca e tij janë produkt i një sistemi që e ka katandisur biznesin lokal në klient dhe në mëshirë të pushtetit. Biznesit lokal i hidhet ndonjë copë tender apo ndonjë copë privatizim, nga ajo çka mbetet pas privatizimit të aseteve madhore kombëtare nga kapitali i huaj. Në shkëmbim i kërkohet financim i fushatave politike dhe i politikanëve të caktuar, dhe jo ndonjë kontribut në zhvillimin e ekonomisë kombëtare, e cila supozohet se zhvillohet vetvetiu.

Ndaj biznesi shqiptar gjithmonë e më tepër i ngjason një qeni që ose i lëpihet ose i leh pushtetit, shpesh nëpërmjet medias. Arroganca e biznesmenit shqiptar pjesërisht buron nga pasiguria që prodhon një situatë e tillë. Përndryshe është e çuditshme se si një “biznesmen i fuqishëm” mund të zihet me grushte me një gazetar në publik. Një incident i tillë mbi të gjitha reflekton nervozizmin dhe pasigurinë e biznesit shqiptar, që përkthehet në arrogancë dhe humbje kontrolli. Kritika që po i bëhet sot këtij biznesi duke injoruar modelin e zhvillimit nga ai buron, rrezikon ta riprodhojë atë nesër.