
Taulant Balla, 03.06.2010
Duket qartë tashmë se timonieri i rrangallës së kësaj mazhorance i është rikthyer zanatit të vjetër:
Po bën shurdhin përballë situatës së rëndë politike ku e ka futur vendin me papërgjegjshmërinë e vet.
Po bën sikur nuk i sheh e nuk i dëgjon shqetësimet, kërkesat e madje ultimatumet e miqve a partnerëve tanë ndërkombëtarë për zgjidhjen e kësaj krize.
Po na tregon përralla për arritjet e papara të qeverisë së tij duke shpresuar se kësisoj do të arrijë të mbulojë diellin me shoshë dhe duke vepruar kështu po e fut vendin në një qorrsokak me demë e pasoja të pallogaritshme për të gjithë shqiptarët!
Përse po i bën të gjitha këto?
Thjesht e vetëm për të ruajtur një sërë interesash klienteliste, personale e familjare, thjesht e vetëm për të mos lejuar transparencën kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit, nga frika se hapja e kutive do t’u provonte njëherë e mirë shqiptarëve atë që ata tashme e dinë:
Sali Berisha nuk është një kryeministër me votë, por kryeministri i votave të vjedhura, kjo mazhorancë nuk është një mazhorancë me votë, por një mazhorancë e manipuluar votash. Gjithsesi frika apo fobitë e Sali Berishës, janë problemi i tij dhe aspak i joni, e as i miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Kjo frikë e kjo fobi nga transparenca nuk përbën një arsye të pranueshme përse ne duhet t’i lejojmë timonierit të kësaj rrangalle të mbajë peng zgjidhjen e krizës në Shqipëri.
Sali Berisha e dëgjoi fare mirë ultimatumin e Strasburgut. Dhe ai i di mirë pasojat.
Në asnjë moment tjetër që prej fundmandatit të Saliut të Parë, mesazhet dhe pritshmëritë e partnerëve euro-atlantikë të Shqipërisë nuk kanë qenë kaq të forta dhe ultimative.
Miqtë europianë dhe amerikanë të Shqipërisë janë të shqetësuar për krizën politike, janë të shqetësuar për krizën institucionale, janë të shqetësuar për krizën e qeverisjes, janë të shqetësuar për krizën e transparencës në Shqipëri.
Prandaj i kërkojmë sot Sali Berishës të mos e përsërisë edhe njëherë gabimin e madh që bëri në 1996, duke injoruar kërkesat e partnerëve të Shqipërisë. Vetëm dy ditë më parë komisioni i jashtëm i PE vendosi të shtyjë votimin e rezolutës për Shqipërinë, ndërkohë që miratoi pa më të voglin hezitim rezolutën për Bosnjën. Mesazhi ishte i qartë: të zgjidhet kriza e transparencës, të zgjidhet kriza politike.
Zonja dhe zotërinj,
Parlamenti Europian si dhe parlamentet e vendeve anëtare janë institucione politike. E thënë kjo dhe vendimmarrjet apo votimet janë politike. Duhet të jetë e qartë për këdo se moszgjidhja e krizës rrezikon të shtyjë apo të ngrijë çdo vendimmarrje për procesin e aplikimit për statusin e vendit kandidat apo lëvizjen e lirë.
Zoti kryeministër udha e lëvizjes së lirë dhe e integrimit të vendit në BE është e gjatë, dhe falë keqqeverisjes suaj ajo është bërë shumë më e gjatë se çdo duhej të kishte qenë. Dështimi për të gjetur një zgjidhje për shkak të kokëfortësisë, papërgjegjshmërisë dhe frikës suaj për të lejuar hetimin e plotë dhe tërësisht kushtetues të zgjedhjeve të 28 qershorit, do t’u vononte shqiptarëve plotësimin e ëndrrës për të lëvizur të lirë në Europë.
Komisioni Europian i vuri Shqipërisë përsëri kushte për të marrë liberalizimin e vizave. Ku më kryesori ishte lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si mund ta luftojë korrupsionin një qeveri që me paratë e korrupsionit dhe dhunën e pushtetit, korrupton zgjedhjet!
Si mund të luftojë korrupsionin një qeveri që kulturën e mosndëshkimit e ka kthyer në atunë e identitetit të vet politik!
Si mund ta luftojë korrupsionin një kryeministër që karrierën e vet politike e ka bazuar mbi vjedhjen e votës!
Dhe sinqerisht, unë dyshoj se ju do të gjeni ndonjëherë vullnetin të luftoni korrupsionin siç ju kërkoi me të drejtë komisioni europian kur ju paraqiti 3 kriteret që kanë mbetur për të plotësuar.
Me pak fjalë, zonja dhe zotërinj, një gjë është e qartë tashmë:
Sali Berisha nuk do të gjejë kurrë forcën, vullnetin, integritetin, përgjegjshmërinë dhe pendesën për të luftuar korrupsionin e Sali Berishës. Sidoqoftë, do të ishte e udhës që të paktën njëherë të vetme në karrierën tuaj zullum-plotë politike, ju Sali Berisha të tregoheshit i përgjegjshëm e të pranonit një kompromis, të cilin na e kanë ofruar miqtë tanë ndërkombëtarë dhe të cilin Partia Socialiste tanimë e ka pranuar në emër të interesave të Shqipërisë.
Pranojeni zoti kryeministër këtë kompromis e hapini rrugë transparencës kushtetuese e normalizimit të jetës politike në vend, për ti hapur kësisoj rrugën lëvizjes së lirë dhe procesit të integrimit europian, të cilat miqtë e partnerët tanë i kanë kushtëzuar me zgjidhjen e krizës.
Kjo krizë është e papranueshme për komunitetin ndërkombëtar, sepse s’ka vend e shoqëri demokratike që të pranojë mungesën e transparencës si standard dhe mohimin e transparencës si një e drejtë e patjetërsueshme kushtetuese në demokraci.







