Myftaraj: Shqiptarët mund të besojnë tek Zoti pa pasur nevojë për këtë surrogat-fe të shkretëtirave, çka është Islami

0
47

Korrieri OnLine, 01 Qershor 2010

Tirane – Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ka bërë një kallëzim penal sot me dt. 31 Maj 2010 me nr. prot. 3613 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj z. Kastriot Myftaraj, për veprën penale parashikuar nga neni 265, “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”; neni 266, “Thirrja për urrejtje nacionale”, neni 267; “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, mbështetur në bazën ligjore, në Nenin 283 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, si dhe ne nenin 1/b të Kodit Penal.

KMSH i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Tiranë me cilësinë e institucionit më të lartë të përfaqësimit të myslimanëve në Shqipëri, i cili ka qellim fetar e bamirës dhe nëpërmjet besimit islam, të mbrojë dinjitetin, të drejtat dhe interesat e myslimaneve, të rrisë e zhvillojë ndjenjën e dashurisë e të besnikërisë ndaj fesë dhe atdheut, si dhe të ruajë e forcojë dialogun mes Komuniteteve Fetare Tradicionale në vendin tonë.

Në kallëzimin penal thuhet: Në përputhje me Statutin, Aktin e Themelimit dhe Rregulloren e Brendshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe pas miratimit të Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, paraqesim sot pranë Institucionit Tuaj, Kallëzimin Penal ndaj gazetarit të Gazetës se përditshme “SOT”, z. Kastriot Myftaraj, për veprat penale të Parashikuar nga neni 265 “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”, neni 266 “Thirrja për urrejtje nacionale”, neni 267 “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, te Kodit Penal te Republikës së Shqipërisë”.

Z. Kastriot Myftaraj ka konsumuar veprat penale të mësipërme të parashikuar nga Kodi Penal, nëpërmjet shkrimeve te tij të botuara në Gazetën e përditshme “SOT” të datave 27 maj 2010 dhe 28 maj 2010 me titujt: “Ylli i kuq i Moskës dhe Guri i zi i Mekës” dhe “Një formulë për matjen e shkallës së rrezikut të terrorizmit islamik në Shqipëri dhe Kosovë”.

Me anë të këtyre dy artikujve, z. Kastriot Myftaraj ka nxitur urrejtjen dhe grindjen fetare ndërmjet popullsisë shqiptare duke përhapur dhe botuar shkrimet e tij, gjë e cila vërtetohet në shkrimin e tij ku nënvizojmë:

“Është absurde që edhe sot të ketë shqiptarë, për fat të mirë një pakicë tek kombi shqiptar në dy anët e kufirit, të cilët ende besojnë tek një fe si Islami…. Islami prish koherencën nacionale shqiptare… muslimani praktikant nuk e quan veten shqiptar musliman, por musliman shqiptar. Kjo do të thotë se shqiptarizmi i tij është fiktiv…. Për mua muslimani shqiptar është armiku, me të nuk kam ç’ të diskutoj, dhe me të as mund të diskutohet. Ai shfaq një barbari të thellë. Unë e urrej atë, se ai është bartës i një feje që shfaq hapur armiqësinë ndaj kombit shqiptar.

Islami është armik i kombit shqiptar dhe bota islame e urren kombin shqiptar… Sot deislamizimi është sfida historike për shqiptarët, në dy anët e kufirit. Në trojet shqiptare duhet të zhbëhet çdo shenjë e Islamit. Islami nuk mund të ketë të njëjtin status si Krishterimi në hapësirën shqiptare se është fe e sjellë nga pushtuesi….

Ne shqiptarët duhet të ndahemi me Islamin me anë të një referendumi mbarëkombëtar, ku njerëzit duhet të pyeten për ndalimin e tij… Çdo njeriu që do të deklarohet si musliman duhet t’ i hiqet shtetësia e Republikës së Shqipërisë, eventualisht e Kosovës dhe të marrë statusin e emigrantit, duke u quajtur emigrant arab…. Shqiptarët mund të besojnë tek Zoti pa pasur nevojë për këtë surrogat-fe të shkretëtirave, çka është Islami….”

Gjithashtu me anë të shkrimeve te tij, z. Kastriot Myftaraj përhap informata të rreme, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit, gjë e cila vërtetohet në shkrimin e tij ku nënvizojmë:

“Grupi tjetër (lexo besimtaret myslimane) janë ata njerëz në shoqëri të cilët, për nga bindjet që kanë përbëjnë një forcë potenciale, e cila mund të ndërmarrë veprime të armatosura për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues dhe marrjen e mbajtjen e pushtetit me forcë….Në anën tjetër të peshores së sigurisë, përballë tyre gjenden rreth 10 000 njerëz me bindje militante islamike…. duket se jemi pranë arritjes së një ekuilibri force mes dy grupeve, atij të forcave të sigurisë, dhe atij të radikalëve islamikë….. radikalët islamikë në Shqipëri do të mbështeten me armë dhe para vetëm nga qendrat fundamentaliste në botën islame…… sipas formulës që ofroj unë, në të ardhmen e afërt është e sigurt se ky rrezik do të rritet duke kapërcyer shkallët……

Kështu që, në 3-5 vitet e ardhshme duhet pritur dyfishimi dhe trefishimi në numër i grupit aktiv islamik të rrezikshëm për sigurinë e vendit, derisa një pjesë e madhe e fëmijëve të tyre do të arrijnë në moshë aktive për veprime të dhunshme, shkurt kur mund të jenë moxhahidinë….. Në Shqipëri dhe në Kosovë do të vijnë të tërhequr si nga një magnet moxhahidinë nga vendet islamike, të cilët Greqia, Serbia dhe Maqedonia, do t’ i ndihmojnë të hynë në Shqipëri dhe Kosovë…”

Z. Kastriot Myftaraj ne shkrimet e tij shkon më tej, duke pasur si qëllim vënien në rrezik të paqes publike, si dhe duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë që besojnë në fenë myslimane, duke i fyer ose shpifur për to dhe përfaqësuesit e tyre, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, gjë e cila vërtetohet më së miri në rreshtat e mëposhtëm:

“Mënyra më efikase për zhvillimin e kësaj lufte është nxjerrja jashtë ligjit e fesë islame në Shqipëri dhe mbyllja e të gjitha objekteve të saj të kultit. Bashkësia Islame e Shqipërisë, siç quhet tash Komuniteti Musliman, mund të thotë se nuk është fajtore për atë se ka radikalë islamikë në Shqipëri, por është ekzistenca e fesë islame dhe e objekteve të saj të kultit në Shqipëri, që ka siguruar logjistikën e radikalizmit islamik në Shqipëri.

Pra, jo të gjithë muslimanët shqiptarë (me muslimanë këtu kuptoj praktikanët) janë terroristë potencialë, por të gjithë terroristët nesër do të jenë muslimanë…… Islami i ka shpallur luftë kombit shqiptar, duke synuar që ta mbajë të ndarë nga Perëndimi. Në këtë luftë xhamitë janë fortesat e ushtrisë armike, minaret janë tytat e topave të ushtrisë armike, islamikët praktikantë janë ushtarët armiq…. Ose kombi shqiptar do të ndahet nga Islami, duke u vetëdeislamizuar, ose Islami do ta mbysë kombin shqiptar……”

Fakti që brenda ditëve të njëpasnjëshme, autori z. Kastriot Myftaraj ka shkruar artikuj që sulmojnë besimtarët myslimanë, përfaqësuesit e Komunitetit të tyre dhe simbolet e fesë islame, tregon për një fushatë shpifëse-denigruese-kriminale-urrejtjenxitëse, e cila bie ndesh me legjislacionin penal në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Sigurisht që me shkrimet e tij z. Kastriot Myftaraj dhe cilido person tjetër në Republikën e Shqipërisë është i lirë të shprehë opinionet dhe mendimin e tij të lirë, por në rast se këto opinione konsumojnë elementet e një vepre penale, atëherë është detyrë e çdo personi që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, që ta kallëzoje atë pranë organeve të ndjekjes penale. Për më tepër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke qenë një organ përfaqësues i besimtarëve myslimanë shqiptarë të cilët ndjehen të prekur nga sulme të tilla të paligjshme, e konsideron detyrim ligjor dhe si shenjë të respektimit të legjislacionit shqiptar në fuqi t’i drejtohet me anë të këtij kallëzimi penal, për vlerësim dhe veprim ligjor nga ana e Organit të Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Nisur sa më sipër, në cilësinë e personit përfaqësues të Palës së dëmtuar nga veprat penale të kryera nga z. Kastriot Myftaraj dhe në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, paraqes kallëzimin tim për fillimin e procedimit penal ndaj z. Kastriot Myftaraj, i cili ka konsumuar veprën penale të Parashikuar nga neni 265, “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”; neni 266 “Thirrja për urrejtje nacionale”; neni 267 “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, thuhet në Kallëzimin Penal të firmosur nga kryetari i KMSH-së Haxhi Selim Muça.