Argita, një faturë 30 milionë euro

0
33

Argita me familje

Nga Tema

Gazeta “TemA” boton sot një dosje të zgjeruar se si e bija e kryeministrit, Sali Berisha, Argita Malltezi, negocion me një biznesmen të huaj nga Lindja e Mesme për t’i garantuar atij një koncesion.

Letërkëmbimi mes studios ligjore të Malltezit dhe biznesmenit Zafar Ansar, i cili kërkon të ndërtojë një termocentral në Shqipëri, nxjerr në pah qartë se është Malltezi ajo që qëndron pas blerjes së tokave në Porto Romano, për t’i rishitur ato me çmime të kripura te biznesmenët e ndryshëm. Kjo tregon qartë se serbo-boshnjaku, Damir Fazlliç, është përdorur si sekser i familjes së kryeministrit, kur në të vërtetë pas blerjes së këtyre pronave është studio e Argita Malltezit.

Ky skandal bëhet edhe më i rëndë, për shkak se letërkëmbimi tregon se studio ligjore e Argita Malltezit, e cila është regjistruar si një person fizik, d.m.th., si biznes i vogël, lëshon fatura shumë të majme, madje kërkon që të marrë tre për qind të vlerës së investimit si pagesë suksesi. Duke ditur se suksesi është i garantuar, me një përllogaritje të thjeshtë i bie që për koncesione të tilla prej qindra miliona eurosh studio e Malltezit të marrë disa milionë thjesht duke ndikuar me emrin e babait.

Letërkëmbimi

Fillimisht, Zafar Ansar kërkon nga studio ligjore e Malltezit disa të dhëna të shpejta në lidhje me zonën ku do të ndërtohet TEC-i prej 120 MW. Në përgjigje, studio ligjore i deklaron atij se duhet të bëjë një pagesë prej 8150 eurosh, për 42.5 orë pune. Kështu, në formularin e pagesës, një avokat i studios së Malltezit paguhet 200 euro në muaj, ndërsa një ndihmës avokat me 130 euro (FAKSIMILE 1).

Më pas, në vijim të letërkëmbimit, ortakja e Malltezit i bën të ditur se pagesa që do bëhet në vijim të punës për marrjen e koncesionit do jetë 1 mijë euro në muaj si pagesë e detyrueshme, dhe më pas do paguhet çdo orë pune. Në rast se marrja e kontratës për ndërtimin e TEC-it do përfundojë me sukses, studio e së bijës së kryeministrit i kërkon një pagesë prej 3 për qind, që në këtë rast mund të jetë një pagesë edhe në vlerën e 3 milionë eurove, në rast se investimi do jetë të paktën 300 milionë euro.

Studio e Malltezit është e regjistruar si person fizik dhe këtë e vërtetojnë dokumentet që boton gazeta “TemA” (FAKSIMILE 2 dhe FAKSIMILE 3).

E thënë ndryshe, Argita në dokumentet e shtetit figuron si avokatja e vetme e kësaj zyre avokatie që ushtron veprimtarinë ekonomike me objekt: “Shërbime avokatie dhe konsulence”, ndërkohë që në të punojnë shumë të tjerë.

Regjistrimi i saj në gjykatë, por dhe në organet tatimore është si “person fizik”, pra si biznes i vogël që xhiron në një vit jo më shumë se 80 milionë lekë të vjetra. Në rast të kundërt, nëse kjo zyrë avokatie do të regjistrohej si biznes i madh, sikundër funksionon realisht, pasi në të punojnë më shumë se dy avokatë, kuptohet që detyrimet fiskale karshi shtetit do të ishin më të mëdha. Aktualisht xhiroja vjetore që Argita deklaron nga kjo veprimtari llogaritet në rreth 76 milionë lekë të vjetra, prej të cilave 4 milionë lekë të vjetra, sipas saj, janë fitimet e vetme.

Koncesioni

Pasi biznesmeni nga Lindja e Mesme paguan shumën e majme për disa orë bisede, madje edhe për e-mail-in paguan 100 euro, në lojë hyn Argita. Letërkëmbimi fillimisht ishte mes biznesmenit dhe ortakes së Malltezit, Flutura Kola. Por më pas është momenti për Malltezin, e cila nga e-mail-et shpalos qartë aftësinë e saj për të negociuar me KESH për të përshpejtuar procedurat. Në e-mail-in e fundit bie qartë në sy se Malltezi ka një nxitim për të marrë një përgjigje nga biznesmeni, për shkak se ajo kërkon që të procedojë sa më shpejt me blerjen e tokave. Kjo është dhe shumë e rëndësishme, pasi, sipas Malltezit, agjentët e saj në terren duhet të vijojnë me marrjen e pronave. Malltezi i jep disa opsione biznesmenit nga Lindja e Mesme, dhe duket qartë se bëhet fjalë për zonën industriale në Porto Romano. Komunikimi i saj me biznesmenin nis edhe me disa urime me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit, një sinjal afrimi i saj, por dhe një sinjal se ajo është një njeri që ka të njëjta bindje fetare me njeriun që kërkon të marrë koncesionin.