Zef Loro Luka, In memoriam

0
43

ROMEO GURAKUQI, 21 maj 2012

Më datën 6 maj 2012, ndërroi jetë në Cleveland të shtetit Ohajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zef Loro Luka, bir i një familjeje të vjetër shkodrane, një prej personazheve më të veçantë të djelmnisë qytetare të ish kryeqendres së Shqipërisë, që nga kolegjet shkollore të Jezuitëve dhe Françeskanëve shqiptarë dhe rrethet kulturore dhe shoqnore të Shkodrës, u angazhua në përpjekjet për çlirimin me armë të Shqipërisë. Ai ka qenë ndër personazhet legjendë të brezit të dhunuar të Shqipërisë së viteve 1940, që nuk u pajtua në mënyrën më të spikatur e më të vendosur me regjimin diktatorial, të importuar në Shqipëri me 29 nëntor 1944.

Anëtar zyrtar i Legjionit Amerikan, Veteran i nderuar nga Kongresi i ShBA, për merita të veçanta për mbështetjen që ai i dha lirisë dhe zhvillimit të demokracisë në vendin e tij të dytë, Zef Luka ka qenë pjesë e mërgatës politike shqiptare, që nuk u nda asnjë çast nga përpjekjet për përmbysjen e regjimit diktatorial në Shqipëri, ka qenë një prej atyre burrave të Shqipërisë që nuk e ndau veten nga vuajtjet e popullit shqiptar, vuajtjet e bashkëqytetarëve të tij, të vendosur nën terrorin e rrethimit dhe gulagut komunist.

Zef Luka ka qenë një prej atyre të rinjve që u burrëruan në vuajtje dhe përpjekje, që luftoi, përveçse politikisht me elitën e emigracionit shqiptar (grupuar më së shumti përkrah pjesës liberal-demokrate të mishëruar në Bllokun Indipendent. Ai ka qenë në miqësi e bashkëpunim me profesor Martin Camaj dhe piktorin e madh shqiptar Lin Delia), edhe me armë në malet e Shqipërisë së Veriut, kundër forcave famëkeqe të Sigurimit të diktatorit të Shqipërisë.

Emri i tij u kthye në legjendë, për shkak të qëndrimit të paepur, burrëror, luftarak dhe rezistencës së pandame ndaj forcave ushtarake të diktaturës, për rrëzimin me armë të regjimit të Enver Hoxhës. Ai ishte pjesëtar i grupit e 100 djelmve të Shqipërisë, që më mbështetjen e shërbimeve të specializuara perëndimore në mbrojtje të institucioneve demokratike dhe të lirisë (CIA dhe Mi6), erdhën me sjellë lirinë në vendin e zotëruar nga shërbëtorët e kuq të Beogradit dhe Moskës, dhe nga të paktët që u shpëtoi “Forcave të Ndjekjes”, që të ndihmuar nga shërbimet sekrete ruse dhe Kim Philbi, vranë pjesën më të madhe të tyre.

Kësisoj ai ka qenë, deri më sot, ndër dëshmitarët e fundit që e kanë treguar besnikërisht këtë epope të panjohur, të një pjesë të ndryshme të djelmnisë shqiptare, ndaj forcave të errësirës komuniste, një pushteti diktatorial, të ngritur dhe të mbajtur në këmbë mbi gjakderdhjen masive të bijve më të mirë të kombit shqiptar. Dëshminë e tij e gjejmë të plotë të botuar në ditarin e titulluar “Njiqind Shqipe që erdhën me prue lirinë”, botuar në Shkodër me parathënie të dr. Injac Saraçit.

Aktiviteti i Zef Loro Lukës për përmbysjen me armë të regjimit të kuq është shtrirë intensivisht në fundin e viteve 1940 dhe në fillim të viteve 1950, kur ai për gati tri vite luftoi me armë në dorë, më së shumti në malet e Mirditës. Aktiviteti i tij luftarak është zhvilluar në rrethanat historike të flirtimeve antishqiptare të regjimit të Hoxhës me komunistët e Beogradit që shtypnin egërsisht shqiptarët e Kosovës, e Malësisë dhe ato të Maqedonisë, dhe kur më pas sjelljen e tyre ata e konvertuan në një lidhje strategjike me Rusinë staliniste.

Shqipëria në fundvitet 1940 dhe fillimin e viteve 1950 ka qenë realisht hallka më e dobët e të gjithë sistemit komunist në Europën Lindore, në pikëpamje të nivelit të zhvillimit ekonomik dhe të pozicionit të saj gjeopolitik mjaft të izoluar. Situacioni i Shqipërisë së asaj kohe ngjante më së shumti me situacionin e BRSS në vitet e para të vendosjes se diktaturës staliniane.

Aq është e vërtetë kjo, sa shërbimet perëndimore filluan të binden se Shqipëria ishte pjesa më e dobët e zinxhirit të Europës Komuniste, e cila në qoftë se destabilizohej, mund të precipitonte trazira edhe në vende të tjera komuniste, në formën e një efekti domino përmbysjeje të regjimeve. Përndryshe, për regjimin, e vetmja mënyrë për të mundësuar mbijetesën, siç duket, ka qenë mbajtja permanente e dhunës dhe e ndjenjës së frikës ndaj kundërshtarëve potencialë të regjimit dhe mbështetja mbi një fuqi shumë më të madhe ekonomike të jashtme, siç ishte BRSS.

Pikërisht në këtë kohë regjimi komunist filloi një valë të paparë dhune dhe terrori mbi pjesën e mbetur të elitës së këtij vendi. Përndryshe, për shqiptarët që guxuan, e vetmja mënyrë për ta përmbysur të keqen që kishte pllakosur vendin, ishte lufta pa kompromis për të eliminuar kokat e sistemit diktatorial. Në këtë mënyrë Bep Luka ishte nga ata që guxoi të vihet në shërbim të kombit dhe misionit çlirimtar nga robëria e shumëfishtë. Por sipërmarrja e tij dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë idealistë të asaj kohe të ndërlikuar ka qenë e destinuar të mos përfundonte me sukses për një seri rrethanash të mirënjohura të brendshme dhe të jashtme.

Sot Shkodra do të përcjellë për në banesën e fundit, në Varrezat e Rrmajit, me nderim të veçantë, birin e saj që e përfaqësoi me burrëri, trimëri dhe nderim, në përpjekjet e pangjashme çlirimtare ndaj okupimit komunist. Ai do të jetë kështu pranë etërve dhe mësuesve të tij të mëdhenj që e edukuan me dashurinë për lirinë, për njeriun dhe për atdheun e shtrenjtë, dhe për këtë u flijuan po aty, nën breshëritë e armëve të reparteve të diktaturës.

Zef Luka u largua nga ne duke lënë pas një trashëgimi që do të duhet të lexohet qartë, u largua duke na lënë pas një lutje e një kërkesë që do të duhet shqyrtohet drejt: Shqipëria politiko-institucionale duhet të njohë dhe dënojë njimendësisht krimet e djeshme të diktaturës, nëpërmjet një procesi të lirë të njohjes së të vërtetës diktatoriale, mbasi përndryshe ajo në tërësi do të vazhdojë të flejë ende me ndërgjegje të randueme.

Mospranimi në tërësi në të gjithë spektrin politik shqiptar i dënimit të krimeve të komunizmit, mbetja në strukturat më të larta publike edhe, më tutje, e ushtruesve të diktaturës së djeshme, do të pengojë vendin tonë të jetë i çliruar njimendësisht, njëlloj si vendet e tjera ish-komuniste, nga trashëgimia komuniste dhe të bëjë distancimin me atë. Vetëm duke njohur të vërtetën do të mund të ketë falje për pjesën e dhimbshme të së shkuarës.