Spartak Ngjela, INTERVISTË, 09.11.2009
TIRANË – Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, beson se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta hedhë poshtë padinë e bërë nga gjashtë partitë opozitare për marrëveshjen e ujërave territorialë me Greqinë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Ngjela vë në dukje se përderisa, Gjykata Kushtetuese kërkoi materialet nga partitë politike, do të thotë që e ka pranuar çështjen për gjykim. Megjithatë, sipas avokatit vendimet e Gjykatës nuk duhen paragjykuar, pasi për këtë duhet parë ecuria e procesit të gjykimit të çështjes.
Lidhur me protestën e 20 Nëntorit, që do të mbahet në Tiranë, Ngjela thekson se u caktua kjo datë, për t’i dhënë kohë qeverisë, që të arsyetojë. I pyetur nëse mazhoranca dhe opozita do të tërhiqen nga qëndrimet aktuale për të gjetur një kompromis midis tyre, Ngjela shprehet se opozita nuk bën asnjë lëshim pa hapjen e kutive të votimit dhe nuk negocion me mazhorancën nëse kjo e fundit nuk i hap kutitë. Ngjela ka komentuar edhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze nga biznesmeni, Rezart Taçi. Sipas Ngjelës, akti i tij ndaj gazetarit, është politik.
Gjykata Kushtetuese ktheu mbrapsht ankimin e partive opozitare të majta dhe të djathta lidhur me marrëveshjen e ujërave detare me Greqinë. Cila ishte arsyeja e kthimit të këtij ankimimi nga Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtuese kërkoi statutin, programin dhe të gjitha materialet me anë të të cilave një parti politike ka në programin e vet, që mbron çështjen kombëtare dhe integritetin e kufirit kombëtar. Këto janë pjesë të statutit dhe të programit. Kjo ishte e domosdoshme ta kërkonte, sepse që të ketë akses një parti politike për të goditur diçka në Gjykatën Kushtetuese duhet të ketë interes direkt për atë çështje. Nuk është se kjo nuk dihej. Por, ajo kërkonte të gjithë dokumentacionin, njohjen nga Gjykata të partisë, legalizimin e saj, programin dhe të gjithë dokumentacionin, që i duhet për këtë çështje dhe është një gjë normale. Nuk ka as kthim mbrapa dhe as kthim përpara, ka procedurë përgatitore para se të hapet procesi.
A ka mangësi të tjera në përmbajtjen e tij dokumentacioni, që keni paraqitur në Gjykatën Kushtetuese?
Nuk ka asnjë mangësi. Nuk ka pse të ketë mangësi. Absolutisht! Në përmbajtjen e tij, ka esencialisht mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe kufiri është interes kombëtar.
A ekziston mundësia që Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë ankimimin tuaj dhe ta konfirmojë marrëveshjen si të ligjshme?
Jo, absolutisht! Gjykata Kushtetuese përderisa kërkoi materialet e ka pranuar në parim, por kërkon materialet, që të respektojë procedurën. Këto janë çështje formale. Ligji ka karakter formal, nuk ka karakter logjik. Pse nuk i kemi dërguar ne deri më tani? Sepse i dhamë Gjykatës Kushtetuese të drejtën ta analizonte. Për faktin që Gjykata Kushtetuese e pranoi mendimin tonë dhe kërkoi dokumentacionin për ta verifikuar, e ka pranuar çështjen për gjykim, nuk diskutohet. Ne deri më tani do të diskutojmë; do të hapet apo nuk do të gjyqi, kemi të drejtë të ndërmarrim një proces gjyqësor apo s’kemi të drejtë. Kjo është faza e parë. Pastaj është bindja e gjyqtarëve në njërin krah dhe argumentet që paraqesin të interesuarit në krahun tjetër.
A mendoni se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë lidhur me këtë çështje?
Nuk ma merr mendja që Gjykata Kushtetuese të jetë kundër interesit kombëtar. Është Gjykatë Kushtetuese shqiptare, nuk është Gjykatë Kushtetuese greke.
Cili do të jetë veprimi i mëtejshëm politik i partive opozitare nëse Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë ankimimin?
E para, duhet pritur Gjykata dhe nuk mundet dot të paragjykohet vendimi i Gjykatës. Gjykata gjykon, nuk paragjykon. Në momentet kur të vijë procesi, do të jap konsideratën time sesi po ecën procesi i gjykimit. Pa filluar procesi i gjykimit, unë nuk mund ta jap konsideratën time.
Lidhur me protestën që do të mbahet më 20 Nëntor nga partitë opozitare që kërkojnë hapjen e kutive, çfarë do të sjellë kjo protestë nga protestat që janë zhvilluar deri më tani?
Kjo është një protestë masive, pasi u është bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijnë me çdo mjet në Tiranë dhe të kërkojnë hapjen e kutive. Të kërkojnë një të drejtë legjitime të cilën qeveria ua ka mbyllur.
Cila është e drejta legjitime?
E drejta legjitime është që çdo qytetar shqiptar, ka të drejtë të ketë në dispozicion çdo dokument zyrtar. Kutitë e votimit janë dokumente zyrtare, nuk përbëjnë sekret shtetëror. Jo më një komision parlamentar që ka të drejtë t’i kontrollojë fije për fije në funksion të vërtetësisë, të provës dhe të saktësisë së procesit zgjedhor por, çdo qytetar çdo gazetë, ka të drejtë të kërkojë hapjen e kutive të votimit për të kontrolluar dokumentacionin. Shteti që nuk hap arkivat e tij ka vjedhje brenda.
A do të tërhiqet mazhoranca dhe opozita nga qëndrimet aktuale për të arritur një konsensus midis tyre për të zgjidhur krizën politike?
Opozita nuk bën asnjë lëshim pa hapjen e kutive. Hapjen e kutive, deri më tani nuk e negocion. Kjo është deviza e opozitës dhe nuk ka pse të diskutohet. Zgjidhja e krizës politike në vend është artificiale. Kjo nuk është krizë politike. Ky është uzurpim politik. Një forcë politike, që nuk ka fituar zgjedhjet, tregohet intrasigjente për verifikimin e rezultatit. Fakti që tregohet këmbëngulëse kundër verifikimit të rezultatit, provon hapur që rezultati është i manipuluar. Fakti që rezultati është i manipuluar, qeveria është jo ligjore. Fakti që qeveria është jo ligjore, njerëzit nuk mund ta mbajnë. 20 Nëntori është lufta për drejtësinë e çështjes së votimit. Data 20 Nëntor është caktuar për t’i dhënë kohë qeverisë. Qeveria ka kohë deri më 20 Nëntor që të arsyetojë normalisht. Njerëzit në të gjitha mitingjet, nuk kanë pasur asnjë kërkesë tjetër, me përjashtim të asaj që kërkojnë verifikimin e rezultatit nëpërmjet hapjes së kutive të votimit. Janë përfaqësuesit e 750 deri 800 mijë të votuesve, që kërkojnë verifikimin e rezultatit nëpërmjet hapjes së kutive.
Asnjë forcë nuk mund t’i ndalojë. Nga 800 mijë, unë nuk e di sesa do të vijnë atë ditë në Tiranë. Kryeministri aktual, qeveria dhe mazhoranca aktuale duhet ta zgjidhin problemin përpara se ata të vijnë në Tiranë, në qoftë se janë për popullin dhe populli, në qoftë se janë skllevër të një pushteti të uzurpuar, përgjegjësinë e mbajnë ata. 20 Nëntori është ditë feste, do të kthehet në ditë feste. Unë e konsideroj ditën e madhe të kthesës për prosperitetin kombëtar të tërë shqiptarëve dhe demokracisë gjithashtu. Unë deklarova që zëri i tyre është zëri i Shqipërisë. Kush nuk ka veshë të dëgjojë, fatkeqësi për to. Ne presim që të vijë një numër rekord njerëzish në Tiranë.
Kjo krizë politike që është krijuar në Shqipëri ku mendoni se do ta çojë klasën politike shqiptare?
Nuk ka krizë politike. Absolutisht! Njëra palë ka bllokuar aktivitetin shtetëror sepse akuzon palën tjetër, që nuk është fituese e zgjedhjeve. Pala tjetër duhet të provojë që është fituese. Duhet të provojë të gjitha kërkesat e palës që pretendon se ka humbur. Çdo garë certifikohet dhe verifikohet. Është certifikuar, por nuk është verifikuar. Këtu nuk ka krizë. Këtu ka një keqdashje nga ana e kësaj qeverie ndaj popullit shqiptar.
Për sa i përket dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, si mendoni, a është i lidhur pushteti politik me klanet e biznesit në këtë rast?
Fakti që një pseudo-kapitalist godet një drejtor gazete, pse ai ka paraqitur fakte në gazetën e tij kundër këtij pseudo-kapitalisti, tregon që ky kapitalist ka ardhur në këtë rang me ndihmën e shtetit, me paratë e shtetit, me paratë e klaneve pranë Kryeministrit. Atëherë natyrisht që akti i tij merr karakter politik. A është pranë qarqeve të Kryeministrit ky biznesmen? Gjithë Shqipëria thotë po. A ka fituar gjëra të padrejta? Gjithë opinioni thotë po. Të gjitha këto të çojnë në mendimin që ai ka lidhje me rangje të larta të shtetit. Ju bashkë me gazetat e tjera e keni trajtuar si një njeri pranë Kryeministrit aktual. Askush nuk e ka përgënjeshtruar. Një herë thotë do të blejë Bolonjën dhe një herë thotë do të blejë Milanin. Ai ishte një injorant i ndërtuar nga shteti. Çfarë duhet më shumë se kaq. Gazetarët kanë mbajtur qëndrimin e tyre dhe unë i përkrah.
* * *
ARKIV 05.04.06 –
Teksti i plote i debatit Berisha-Ngjela, qe solli ngrirjen e antarsise per Ngjelen dhe kerkesen e tij per doreheqje te Berishes
Zbardhet biseda e plotë mes kryeministrit Berisha dhe avokat Ngjelës, e bërë dy ditë më parë në zyrën e kryeparlamentares Topalli. Veç Berishës dhe Ngjelës, kanë qenë të pranishëm edhe Topalli, Topi, Rusmali, Beja, Bode dhe Olldashi. Ja teskti i debatit te ashper midis tyre me akuza dhe kunderakuza
Berisha – U përpoqa që të bisedoja privatisht, por ishte e pamundur për arsye që ti i di vetë. Unë do të jem fare i hapur me ty, duke respektuar kontributin tënd, respektuar sakrificën tënde. Kam qenë dhe mbetem i mendimit që deklaratat, mendimet duhet të jenë të tolerueshme në mënyrë që të mos…
Tani veprimtaria e Komisionit të Ligjeve që kryeson, që për mua ti abuzon, sepse në qoftë se ti je kryetar komisioni, je njëri nga anëtarët e komisionit në kuptimin e fuqisë vendimmarrëse. Je përpjekur të bësh më tepër sesa kërkohet dhe këtë e ke bërë në kundërshtim me përcaktimin qeverisës
Ngjela – Cilat janë?
Berisha – Presidenti
Ngjela – Po, pa fakte!
Berisha – Këtë e ke bërë në kundërshtim me përcaktimet e qeverisë. Së dyti, largimi yt demonstrativ nga parlamenti, përsëritja e idesë së Fatos Nanos ndaj Ilir Metës, ishte një gjest fatal për ty, sepse vendi yt është në grupin parlamentar dhe me largimin që bëre, tregove se ti nuk i përket grupit parlamentar. Nëse ti mendon se mund të krijosh skena, ose skenarë si Fatos Nano, gabohesh …Ajo ngritja jote për të mos votuar dhe …
Ngjela – Unë e kisha shpallur mosvotimin
Berisha – … prishe kuorumin
Ngjela – Kuorumin nuk e prisha unë, e prishën këta që nuk zbatojnë rregulloren që thonë po, je në sallë dhe s’merr pjesë.. Jo, o vëlla, s’ka. Ika, sepse këta nuk zbatojnë dhe respektojnë ligjet. E dyta, se nuk mund të të dëgjoj pa fund. Unë nuk kam bërë asnjë kundërvënie dhe jam marrë vetëm me ligjet. Ligjet janë për faqe të zezë, paçavure dhe nuk është faji im se janë paçavure. Ligji ka një teknikë legjislative dhe duhet respektuar. Teknika legjislative është shkencë dhe ne nuk mund të dalim dot jashtë kësaj shkence. Unë të paktën kam folur krejtësisht si një individ, sepse një votë kam, por atë nuk mund ta ndaloj dot, sepse, ohu, kam shumë … Duhet të më japësh mua argumente se cili është kundër programit. Ke tetë tentativa dhe unë jam matur dhe unë duhet të kisha denoncuar edhe penalisht, ka tetë atentate kundër Kushtetutës, shtatë. T’i numëroj unë.
Berisha – Çfarë je ti, more, që më tregon Kushtetutën? Kujt i tregon Kushtetutën?
Ngjela – Pse, cfarë do të të tregoj?
Berisha – Ç’më tregon Kushtetutën? Tregoja Mark Abdisë Kushtetutën.
Ngjela – Ja, të të them edhe ndonjë gjë tjetër, që ti nuk e ke firmosur atë të.. Nuk e ke firmosur, sepse nuk të lejon Kushtetuta, ta kalova, do të ta kthej prapë. E ka firmosur ky (e ka fjalën për zëvendëskryeministrin). Kushtetuta nuk të thotë që ta delegosh firmën.
Berisha – Jo, e delegoj.
Topalli – Jo, kam kaluar Namik Doklen (flet për rast të delegimit të firmës)
Ngjela – Ç’ke bërë ti, nuk e di.
Topalli – Jo, i ka kaluar edhe ato.
Ngjela – Ç’më duhet mua me ato, mor vëlla. Kjo është shkelje Kushtetute. Pse unë do t’i them ato të gjitha.
Berisha – S’ka ligj që më ndalon mua t’ia delegoj zëvendëskryeministrit.
Ngjela- Ore, nuk e di unë, Kushtetuta nuk të lejon.
Berisha -Po, s’e ndalon.
Ngjela – S’e lejon. S’e ndalon. Dhe unë përkundrazi, e kam zbutur.
Berisha – Ti vetëm trillon. Nuk ka ligj që nuk kalon në Ministri të Drejtësisë.
Ngjela – Unë jo, nuk kam asnjë.
Berisha – Nuk të vijnë ty, më vijnë mua.
Ngjela – Nuk e di. Unë nuk kam asnjë shenjë që të vijë ministri i Drejtësisë dhe të mbrojë një ligj.
Berisha – S’është fare detyrë të vijë te ty ministri i Drejtësisë.
Ngjela – Nuk e di. Unë atje nuk kam asnjë shenjë të ministrit të Drejtësisë. Atje vijnë ligje që mbrohen nga qeveria dhe dalin me iniciativë nga brenda. Atje kanë ardhur ligje që janë “porcheri”.
Berisha – Po pse, do t’ia heqësh të drejtën ti kryeministrit për të bërë ligjshmëri?! Kujt i thua “brenda” ti, çfarë kupton ti me “brenda”?
Ngjela – Kush po ia heq? More, zotëri, ka një teknikë legjislativi.
Në parlament, ne, për fat të keq, nuk kemi drejtori kodifikimi, nuk kemi celulë të specializuar për të bërë ligje. S’kemi, ashtu siç e ka gjithë bota. Dhe ne të vetmen që kemi e kemi në qeveri. Po të mos kalojë nga këto struktura, ai vjen ashtu siç kanë ardhur të gjitha ligjet. Ligjet që kam bërë unë, kanë qenë të gjitha me 20, 30 ndreqje minimumi, edhe ligji i KLD-së, vetëm se isha në Romë. Nuk do ta kishte rrëzuar Gjykata Kushtetuese, do të ishte rregulluar. Unë ika në Romë, ata e kaluan, iku, u prish. E morën një për një këshilltarët, u bindën këshilltarët. Të mora, të thashë: “ligji për legalizimet ka probleme kushtetuese, do të ta kthejë me çdo kusht presidenti; në mos presidenti, ta kthen Gjykata Kushtetuese”. S’ma pranove. Çfarë të bëj unë? Është luks i madh për një vend që kryeministri është kardiolog, është shumë luks, megjithatë, duhet të kesh atje 30 ekspertët më të mirë të vendit.
Berisha – Unë jam krenar që jam kardiolog.
Ngjela – Por lëre, po flasim për ligj këtu.
Berisha – Ti të japësh dorëheqjen që sot.
Ngjela – S’jap dorëheqjen.
Berisha – Po s’dhe dorëheqjen, je i shkarkuar.
Ngjela – E si do të më shkarkosh?
Berisha – Të komunikoj shkarkimin.
Ngjela – Hidhe në votë.
Berisha – Në votë për çdo njeri, në votë je i shkarkuar.
Ngjela – Hidhet në sallë ajo, kush më shkarkon dot njeri mua.
Berisha – Je i komunikuar.
Ngjela – Ore, zotëri, më ke marrë mua, më ke nxjerrë në elitën e partisë me punistin këtu, e ke marrë këtë në koalicion, njeriun më komunist në Shqipëri.
Berisha – Je i shkarkuar.
Ngjela – Po s’shkarkohem unë.
Berisha – Shko me Nikollë Lesin, ti.
Ngjela – Jo, jo, me Nikollë Lesin. E di mirë ti, e di mirë ti, kush më ka denoncuar mua, prandaj lëri këto muhabete.
Berisha – Je i shkarkuar. Mbaje mend këtë.
Ngjela – Po nuk më shkarkon dot ti mua, ore zotëri. Nuk ka zot në botë që në sistemin tim të më shkarkojë mua. Ky s’është sistemi yt. Jep dorëheqjen. Jep dorëheqjen, se ti ke bllokuar edhe tregun, edhe shtetin. Je i bllokuar krejtësisht, lëre atë shkarkim.
Berisha – Je i shkarkuar dhe po ta them unë … dhe, e dyta, je i pezulluar që sot si sekretar për marrëdhëniet publike në PD.
Ngjela – S’çaj kokë fare për këtë. Mbaji vëth në vesh këto që të them unë. Nuk më njeh mua ti. Nuk kam bërë tri orë arrest unë, kam bërë 13 vjet arrest, ore zotëri, jo tri orë. Unë kujtova se ti kishe ardhur të diskutoje.
Berisha- Të nxjerr nga grupi
Ngjela- Po ku pyes unë për shkarkime.
Berisha – Je i shkarkuar.
Ngjela – Por lëre more se është politik. Unë jam deputet, kam marrë vota. Hidhe në sallë, kjo është gjuha që unë do të mbrohem.
Berisha – Jep dorëheqjen.
Ngjela – Hidhe në sallë, në parlament, kjo është gjuha që do të mbrohem.
Berisha – Jep dorëheqjen.
Ngjela – S’jap dorëheqje. Po ke shkarkim, kjo është menjëherë pas asaj, do të pres interpelancë, këto do të t’i them edhe në interpelancë … Ja, po të them që nuk ka rast në histori që kundërshtarin ta mbash në qeveri dhe liderin politik ta mbash jashtë. Vetëm ti e ke bërë këtë. Ti e ke marrë kundërshtarin tonë më të madh, majtist, komunist, enverist, jeni tre komunistë në qeveri, ndërkohë që e gjithë bota thotë rishikoni komunistët. Ehu, ne të kemi toleruar shumë madje, je shumë i toleruar dhe unë kam faj që të kam toleruar.
Berisha – Je i shkarkuar.
Ngjela – Hidhe në sallë, ke betejë të gjatë në sallë, patjetër.
Berisha – Po, në sallë.
Ngjela – Pse, çfarë kujton ti, se jam vetëm unë? Më kujton vetëm, ti?
Berisha – Vetëm je.
Ngjela – Po unë nuk kam pyetur për dishepullin tënd. Unë nuk kam pyetur për idhullin tënd. Unë kam akuzuar Enver Hoxhën për tradhti kombëtare në sallë. Ti ka treguar të gjitha ai Bujar Rama, që ma vije mbrapa, që m’u rrëfye mua atje? S’e çaj kokën fare unë për atë. Ku pyes unë për ata, mo, zotëri.
Berisha – Jep dorëheqjen.
Ngjela – Absolutisht, s’jap dorëheqjen unë.. Hidhe në sallë, bëj çfarë të duash.
Berisha – Dakord.
Ngjela – Je mësuar me këta kristianët që i bie në një faqe dhe të kthejnë faqen tjetër. Unë jam me moral hebraik. Me mua s’ka, dhëmb për dhëmb.