Berisha: Shqiptarët jashtë kufijve do e marrin pasaportën para zgjedhjeve (dhe natyrisht do votojnë këtu)

0
36

TemA, 10 Janar 2013

Sali Berisha ka ndryshuar qëndrim nga deklarimet e bëra në mbledhjen e qeverisë, mbajtur në Vlorë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, ku theksoi se do të miratohet projektligji për dhënien e shtetësisë të gjithë shqiptarëve jashtë kufijve pas zgjedhjeve dhe ka deklaruar dje se shtetësia do të jepet për shqiptarët e Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë, por edhe ata që jetojnë në vendet e BE-së, SHBA-së dhe Kanada para zgjedhjeve.

Duke folur për nënshtetësinë, kreu i qeverisë i ka dhënë një kthesë tjetër deklaratës së tij dhe tashmë pohon se projektligji do të hyjë në fuqi para zgjedhjeve, ndërkohë që e drejta e votës nuk do të implementohet pasi janë hartuar listat e zgjedhësve.

Por siç shkruhet në gazetën Shqip, kjo deklaratë është nonsens në aspektin juridik, pasi nëse jepet nënshtetësia, çdo shtetas shqiptar ka të drejtën e votës dhe këtë të drejtë, nëse i mohohet, mund ta fitojë edhe thjesht me një vendim gjykate.

Diferencat e deklarimeve të bëra më 4 dhjetor dhe atyre të djeshme janë se një muaj më parë u tha se do të hartohet një projektligj që kërkon 3/5 e votave, ndërsa dje Berisha theksoi se do të merret me vendim qeverie, që nuk ka nevojë për t’u miratuar në Kuvend.

E dyta, më 4 dhjetor Kryeministri deklaroi se ligji do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve, ndërsa dje në mbledhjen e qeverisë ai pohoi se shtetësia do të merret, por e drejta e votës hyn në fuqi pas zgjedhjeve.

Por, nëse shtetësia merret, asnjë qytetari nuk mund t’i mohohet e drejta e votës.