TemA, 5 Qershor 2013
Nuk ka asnjë dyshim se Lulzim Basha po projektohet si lideri i ardhshëm i Partisë Demokratike.
Njeriu që premtonte se nuk do përfshihej në fushatë, jo vetëm që është zhytur kokë e këmbë, por sipas gazetës Shqip, ai drejton fushatën e Partisë Demokratike, jo nga selia blu, por nga një godinë afër, e quajtur Torre Drini.
Njësoj si në vitin 2011, edhe kësaj here zyrat janë të zhvendosura tek Torre Drini, në katin e tretë dhe të nëntë.
Në katin e tretë janë zyrat e Lulzim Bashës, njëkohësisht drejtues i fushatës së demokratëve. Ai organizon mbledhje të përditshme për të përcaktuar axhendën e fushatës. Përveç kësaj, Basha koordinon edhe opinionistët e djathtë në media.
Në katin e nëntë është një strukturë në formë redaksie. Ngjitur me të është zyra e këshilltarit amerikan të kompanisë së lobimit Podesta. Ai quhet Abraham dhe të gjithë e thërrasin “Abby”. Po ashtu gjendet edhe një zyrë për sondazhet e brendshme, që realizohen nga një staf prej 350- 400 personash, të shpërndarë në terren./ep