Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Kryeministri Berisha po përpiqet të mbaj të bllokuar arritjen e një marrëveshjeje për hapjen e kutive, përmes interpretimit personal që i bën Kodit Elektoral lidhur me materialet e zgjedhjeve dhe fletëve të votimit. Thënë shkurt, zoti Berisha kërkon të ofrojë materialet zgjedhore jo si nevojë hetimi, por si nevojë studimi dhe informimi. Por në bazë të legjislacionit shqiptar, kjo e drejtë është e garantuar dhe zoti Berisha nëse do të zbatonte ligjin duhet të kishte djegur tanimë fletët e votimit. Ai nuk e ka bërë këtë pikërisht sepse kriza politike kërkon hetimin e tyre.
Nëse Berisha mendon se procesi i shqyrtimit të materialeve zgjedhore është proces studimi dhe informimi, atëherë ai nuk ka pse përfshihet në negociata, por le të zbatojë ligjin. Nëse mendon se duhet të jetë proces hetimi, atëherë ai nuk ka se si të asgjësojë provat e kësaj vepre penale që po hetohet.
Në këtë aspekt Berisha po përpiqet të mbajë të bllokuara dhe bisedimet me ekspertët e BE që kanë mbërritur ndërkohë në Tiranë. Shpjegimi i pak minutave më parë prej tij, sillej sërish rreth nenit 138 të Kodit Zgjedhor që parasheh fatin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit në një proces normal ku nuk kërkohet hetim. Ekspertët e BE-së natyrisht që kanë ardhur këtu për të bërë interpretimin e tyre, por ka disa pika të qarta që Berisha duhet t’i përgjigjet.
Së pari, duhet të sqarojë se ky është një debat 9-mujor dhe se Berisha është detyruar për herë të parë të mbrohet me Kodin Zgjedhor vetëm 9 ditët e fundit, ç’ka dëshmon për rrudhjen e argumenteve që ai ka kundër hetimit të zgjedhjeve. Së dyti, Berisha duhet të sqarojë se përse kur vjen fjala te përgjegjësia për hartimin e Kodit Zgjedhor thotë se është e përbashkët me PS, ndërkohë që edhe për parregullsitë që mund të gjenden në kuti mund të thoshte të njëjtën gjë.
Kjo tregon se ai është frikësuar nga personalizimi i manipulimit në favor të PD-së nëse hapen kutitë e votimit. Dhe së fundmi, Berisha duhet të sqarojë ndërkombëtarët përse flitet gjithnjë e më tepër ndryshimi i rezultatit në rast hetimi, pasi opozita ia ka njohur fitoren dhe mandatin e pushtetit. Ekspertët e BE-së kanë mbërritur në Tiranë pikërisht për të lexuar në mënyrë evropiane legjislacionin shqiptar me qëllim transparencën e kutive.
Nëse legjislacioni ynë bëhet pengesë për këtë objektiv madhor, më lehtë është të ndryshohen ligjet se sa të ndryshohet parimi i transparencës së zgjedhjeve që është i shenjtë për një vend demokratik. Por Berisha është i trembur pikërisht nga fakti se transparenca garantohet dhe nga ligjet ekzistuese dhe po përpiqet ta lexojë Biblën e zgjedhjeve, sipas Berishës, dhe jo sipas ligjit.