Përgjigja perfekte

1
22

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 26.05.2010

Sot priten të vijnë në Tiranë një grup ekspertësh të BE-së dhe të Komisionit të Venecias. Janë të gjithë juristë. Misioni i tyre ka të bëjë me gjëra që thuhen e tregohen, sikurse edhe me gjëra që nuk thuhen, por bëhen. Ata vinë për të ndihmuar ndërtimin e një dialogu në nivel teknik, që do të ushqente me zgjidhje dialogun politik midis qeverisë dhe opozitës në ditë në vazhdim.

Ata vinë për të mbuluar me autoritetin e Europës lëshimet që duhet të bëjë Berisha dhe Rama. Kryesorja, ata vinë për të gjetur një zgjidhje teknike të krizës, para se shefat e tyre politikë të zbresin edhe njëherë në kryeqytetin shqiptar për të asistuar nënshkrimin brenda muajit maj të marrëveshjes së kërkuar në takimin e Strasburgut.

Të gjitha këto janë gjëra që thuhen e tregohen. Ajo që nuk thuhet, por nënkuptohet është kalimi i krizës nëntëmujore shqiptare në skanerin e legjislacionit europian dhe shqiptar, përcaktimi me saktësi i pengesave reale dhe pengesave fiktive që mbajnë të bllokuar transparencën, sqarimi përfundimtar i ngërçit të krijuar, në dritën e referimit konkret të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Nuk gabojmë po të themi se ky është edhe qëllimi kryesor i vizitës së ekspertëve. E vërteta shpeshherë strehohet në të pathënën.

Nuk ka dyshim se ekspertët, politikanët dhe diplomatët europianë e amerikanë, që merren me Shqipërinë, nuk kanë pritur të vinë në Tiranë për të shfletuar Kushtetutën tonë, Kodin tonë Zgjedhor, vendimet e Gjykatës sonë Kushtetuese dhe aktet e tjera që ngërthejnë çështjen e kutive të votimit. Propozimet dhe sugjerimet e deritanishme të ndërkombëtarëve mbështetën në njohjen e kuadrit ligjor shqiptar.

Por, ardhja e ekspertëve kërkon ta thellojë në detaje dhe afishojë botërisht këtë njohje. Në qoftë se drejtuesit politikë shqiptarë nuk dinë t’i lexojnë drejt ligjet e tyre, i ndihmon Brukseli dhe Venecia t’i lexojnë siç duhet.

Në qoftë se dinë t’i lexojnë, por ua do puna t’i shtrembërojnë e t’i paraqesin tjetër për tjetër sipas qejfit, kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra.

Angazhimi i Europës në këtë shkallë përbën një hap të madh përpara në zgjidhjen e krizës sonë. Përmes pararojës së ekspertëve, Europa nuk do të qëndrojë më në pozitat e ndërmjetësimit pa qëndrim, por do të ketë qëndrimin e saj. Me fjalë të tjera, do ta arbitrojë këtë krizë, pavarësisht se për arsye etike kjo nuk do të thuhet shkoqur.

Europianët dhe amerikanët nuk do t’ia lejojnë më vetes të tallen nga shumica parlamentare e Kuvendit të Shqipërisë, siç i ndodhi me 19 mars komisionerit për zgjerimin, zotit Stefan Fyle.

Europianët dhe amerikanët nuk do të bëjnë më sehir ping-pongun e deklaratave, sikur transparencën e kutive nuk e lejon Kushtetuta, nuk e lejojnë gjykatat, nuk e lejon Kodi Zgjedhor! Tani ata kanë vendosur të futen brenda krizës, ta shohim me sytë e tyre ku është lidhur nyja dhe të na tregojnë si ta zgjidhim. Kjo është përgjigja perfekte për atë që pret në këtë moment vendi ynë nga Europa.

Në të vërtetë, siç e thamë më lart, ky kërkim ka nisur prej disa javësh, për të mos thënë muajsh. Por, qeverisë i ishte lënë koha e respektit për të hequr dorë vetë nga justifikimet, alibitë dhe spekulimet. Koha është në përfundim. Ose ka përfunduar.

Me besimin e madh se miqtë dhe partnerët tanë euro-amerikanë nuk do t’i braktisin aspiratat perëndimore të popullit shqiptar, autori i këtyre radhëve ka paralajmëruar e parashikuar me kohë se do të vijë dita kur Brukseli, Strasburgu apo Venecia do të kërkojnë t’i lexojnë të përkthyer nenin e kushtetutës dhe vendimin e gjykatës kushtetuese që ndaluakan hetimin e kutive; do të vijë dita kur pushteti do të përballet me gënjeshtrën e vet.

Vetë dinamika e krizës do të çonte pashmangshmën në këtë zhvillim. Ekspertët që do të vinë sot në Tiranë do të mbarojnë punë shpejt me Kushtetutën.

Ata do të shqyejnë sytë nga habia kur të shohin se si janë shkelur nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor për rinumërimin nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor. Te ajo shkelje e ka zanafillën ngatërresa dhe kriza që ka ndaluar Shqipërinë. Rindërtimi i saj është gjithashtu në agjendën e ekspertëve.

Përfundimi i gjithë këtij shqyrtimi besoj do të jetë ky: Shqipëria i ka pasur dhe i ka ligjet për të hapur kutitë. Nuk ka dashur deri tani. Por nuk ka luksin të vazhdojë të mos dojë. Pasojat e refuzimit të zgjidhjes do të jenë të rënda për vendin dhe për gjithë politikanët që do të guxojnë të shtyjnë dhe sakrifikojnë ëndrrat e shqiptarëve për interesat e tyre.

Kësaj radhe nuk do të flitet si më parë, duke e lënë përgjegjësinë e palëve në peshoren e publikut apo në shamatoren e mediave. Do të këtë adresime konkrete të përgjegjësisë dhe fajit. Nuk përjashtohet mundësia të përmenden emra. Është një zhvillim shumë i veçantë që thërret në kauzë si rrallë herë kthjelltësinë e politikanëve, analistëve, vetë publikut.

Kryetari i PS-së, Rama, e ka kuptuar. Prandaj po lëviz si njeriu i dialogut, i zgjidhjeve, i institucioneve, i transparencës. Me këtë rast, ai po heq presionin nga supet e tij dhe opozitës. Po bën atë që duhet në situatën e caktimit të një afati për zgjidhjen e një krize, që do të hapë një kapitull të ri në historinë e demokracisë shqiptare.

Unë dhe shumë të tjerë si unë nuk kemi lejuar që lëvizja e dhjetorit të mungojë në këtë zhvillim të madh. Vazhdoj të përsëris pa pushim se kauza e transparencës nderon të gjithë ata që janë përpjekur e kanë sakrifikuar për të, por nuk meriton të jetë monopol i opozitës. Këto dhjetë ditë janë shansi i fundit që qeveria, shumica dhe kryeministri të bëjnë më në fund me të mirën për këtë kauzë të përbashkët.

1 COMMENT

  1. FATKEQESISHTE ESHTE DREKE DHE NUK PO ME VJENE TE FLE GJUME, mbase po te ishte darke.
    Une nuk kuptoj nje gje: s’ke çfare te besh gjithe diten dhe shkruan perralla me bisht, apo te detyrojne te shkruash keshtu?
    Thua ne menyre te paturpeshme: “Une dhe shume te tjere si une nuk kemi lejuar qe levizja e dhjetorit te mungoje ne kete zhvillim te madh”.
    Ti dhe shume te tjere te paguar si puna jote e kane çuar kete popull ne kete gremine, qe s’po del dot.
    Duke dashur qe te hyjme ne keshtjellen e Europes me idealet e socialdemokracise, neve, populli, shoqeria publike ja deleguam aspiratat, ndjenjat, problemet, deshirat, endrrat “perfaqsuesve” tane; dhe rezultati duket. Persa kohe qe ne vetem do te votojme ata qe vetezgjidhen apo qe vendosen ne lista nga te tjere, gjendja s’ka per te ndryshuar kurre edhe sikur te vijne Obama, Sarkozy, Berluskoni apo te tjere ne Shqiperi per ta zgjidhur kete problem.

Comments are closed.