BERISHA, XX VJET KUNDËR GJYQËSORIT

0
18

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Pasi Kryeministri Berisha rrëzoi në Kuvend kandidaturën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të juristit Vangjel Kosta është edhe ambasadori amerikan, Withers, që sapo ka dhënë alarmin për këtë refuzim “befasues” dhe të “pakuptueshëm” të shumicës. Dhe po Withers kërkoi edhe ndihmën e gazetarëve për të zbuluar nëse “u bazua ky vendim mbi arsyet apo ishte një tjetër shembull i ushtrimit të trysnisë politike mbi procesin e përzgjedhjes për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”?

Në fakt, për jo pak njerëz që jetojnë në Shqipëri të paktën 20 vjetët e fundit, nuk ka asgjë as të pakuptueshme dhe as befasuese në këtë ndodhi. Ndaj dhe përgjigjja vjen e drejtpërdrejtë për ambasadorin Withers: kemi të bëjmë, si përherë në këta 20 vjet tranzicion, me ripërtëritjen e presionit politik të autoritaristit Sali Berisha për të sunduar gjyqësorin dhe në këtë rast, edhe Gjykatën Kushtetuese. Befasuese dhe e pakuptueshme do qe sikur të mos ndodhte kjo që po ndodh pra, që Berisha të mos ushtronte trysni politike mbi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Dhe që frika e një trysnie të tillë politike të pritshme provohet nga paralajmërimet e bëra në media si edhe organizmi para pak kohësh i një tryeze të ish-presidentit Moisiu, me disa ambasadorë, juristë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, pikërisht për t’i dalë përpara rrezikut që po materializohet sot.

* * *

Kapja e të gjitha hallkave të pushtetit gjyqësor për ta shndërruar atë nga një mbrojtës në një zinxhir të skllavërimit dhe dhunimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, mbetet ylli polar i fiksuar i strategjisë politike berishiste. Berisha e demonstroi pasionin për kapjen e gjyqësorit në 6 vitet e para të qeverisjes. Dhe 6 vjet më parë, ata po e trukonin që të vinte në pushtet, kishin si refren “ndryshimin” e Berishës. Autori i këtyre radhëve nuk ka pasur kurrë iluzione të tilla. Ai ka ardhur me kohë në përfundimin se tendenca e fiksuar e Berishës për shkatërrimin e lirisë së pushtetit të drejtësisë, është shfaqje e karakterit, pra e pakorrektueshme, e asaj që, Erich Fromm, e cilëson si agresion malinj dhe që është prirja “për të shkatërruar dhe synuar kontrollin absolut”.

Agresioni i keq dhe shkatërrues është që e bën Berishën një lider dhe Kryeministër autoritarist shumë të rrezikshëm për demokracinë. Edhe në rastin e Vangjel Kostës, Berisha tregoi se nuk ka lidhje fare me të vërtetën dhe të drejtën. Praktikisht mbi juristin e njohur, Kosta, shumica berishiste aplikoi një lustracion të pabazuar në ligj, duke e akuzuar se ka dhënë dënime politike gjatë diktaturës komuniste. Po përse e bën këtë Berisha? Mos vallë i udhëhequr nga qëllimi i lartë që krimet e diktaturës të mos përsëriten më? Aspak! Është krejt e kundërta.

Sulmi ndaj Kostës bëhet në vazhdën e përpjekjeve patologjikisht të paepura të Berishës, për mbushjen e aulave të gjyqësorit (tamam ashtu si mbushet fshehtazi barku i një Kali Troje me ushtarë) me juristë servilë dhe të bindur ndaj pushtetit berishist. Dhe që pastaj Berisha të ketë mundësi të sillet si të dojë me njerëzit, me të drejtat dhe liritë e tyre, t’i nëpërkëmbë dhe dhunojë thelbësisht si dikur nën diktaturë, duke pasur edhe bekimin e “drejtësisë” dhe të gjykatave. Tashmë ka fakte se nuk është puritanizmi demokratik, por autoritarizmi si neokomunizëm, ai që frymëzoi edhe hedhjen poshtë të kandidaturës së Kostës. Sepse ka pasur raste të tjera gjyqtarësh që edhe pse kanë dhënë dënime me vdekje në komunizëm, janë promovuar nga Berisha në majat më të larta të pushtetit gjyqësor.

Përse? Sepse që të promovohesh nga Berisha ke si kusht thelbësor, shërbimin, servilizmin ndaj tij. Të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi. “Njollat në biografi” i përmenden si shantazh, vetëm atij që nuk pranon të shërbejë. Por nëse pranon të shërbejë, kushdo është i mirë, “demokrat”, edhe në qoftë vërtet kriminel. A nuk po mban Berisha në zyrat e tij jo vetëm individë të akuzuar për korrupsion, por deri edhe të akuzuar për vrasje? Por le t’i kthehemi standardit të dyfishtë që Berisha aplikon ndaj gjithkujt që akuzohet për krime gjatë kohës së komunizmit. Një rasti i tillë është ai i juristit Rustem Gjata, i emëruar vite më parë nga Berisha (s’është lapsus kur themi “i emëruar”) kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Për Berishën dhe berishistët Gjata, qe i denjë për këtë post shumë të rëndësishëm edhe pse në vitin 1973, ai kishte dënuar me vdekje priftin katolik, At Gjoni.

Të paktën kështu thonë raportet e Helsinki Watch. Dhe ndryshe nga Kosta, që duke punuar si gjyqtar në kohën e diktaturës është orvatur të zbutë dënimet për njerëz që kishin tentuar të arratiseshin, Gjata është treguar i zellshëm ndaj regjimit komunist duke i dërguar në plumb a litar “armiqtë e popullit”. Sipas një raporti të “Human Rights Watch” të publikuar në vitin 1996, gjatë zhvillimit të gjyqit të At Gjonit “prokurori i kësaj çështjeje kërkoi një dënim prej 15 vjetësh burg, kurse Gjata e ktheu në dënim me vdekje”. Që Berisha dhe qeveritë apo bashkëqeveritë me të nuk kanë asnjë lidhje me ndëshkimin e krimeve të komunizmit, provohet edhe nga fakti se edhe kur familja e martirit At Gjoni paraqiti pretendimet e saj në prokurori nga fundi i vitit 1995, prokuroria nuk veproi. Përse? Sepse e kish kapur ish-Presidenti Berisha dhe ajo nuk mund të hetonte mëkate të kryera nga njerëz që i shërbenin pushtetit të tij neokomunist me po të njëjtin zell që i kishin shërbyer atij komunist.

* * *

Pra pse nuk u pranua kandidatura e Kostës nga shumica “demokrate”? Mos vallë për krimet që paska kryer nën diktaturë? Jo, por për shkak se nuk jep shenja se mund të përdoret nga Berisha për maskimin me vendime gjykate të padrejtësive që ai planëzon. Veç incidenti me Kostën është vetëm një nga hapat që pritet se do të ndërmarrë Berisha për të thelluar kapjen e pushtetit gjyqësor. Në këtë moment, Berisha është shumë pranë një kapjeje totale të pushtetit të drejtësisë.

Ky është alarmi. Shenjat dhe gjurmët e kësaj kapjeje të frikshme janë sheshit. Me anë të infiltrimit të juristëve të tij në gjykata, ai ka mundur të pezullojë, ndalë dhe zvarrisë gjykimin dhe ndëshkimin e skandaleve kriminale sikundër janë ato të korrupsionit me paratë publike të rrugës Durrës-Kukës, çështjen “Fazlliç”, apo tragjedinë e Gërdecit. Në sajë të kësaj kapjeje të gjyqësorit, ministra dikur nën akuzë për korrupsion e trafiqe armësh, sot janë përsëri ministra. Në sajë të kapjes së gjyqësorit që e ngre “stekën” vetëm aq sa i thotë Berisha, drejtësia merret vetëm me “zhan van zhanët” e krimit, ndërkohë që bosët e tij “qeverisin” Shqipërinë. Edhe vendimi i sapomarrë nga Gjykata e Lartë për të hedhur poshtë akuzën për fyerje të ngritur nga Aneta Rama kundër Kryeministrit, është një sinjal që denoncon këtë kapje alarmante.

Kjo do të thotë që nëse Berisha arrin të ketë edhe në Gjykatën Kushtetuese një shumicë gjyqtarësh të kallëpit të Gjatës, pra të zellshëm për t’i shërbyer Berishës dhe planeve të tij autokratike e jo drejtësisë, atëherë shteti ligjor do të jetë përfundimisht një utopi në Shqipëri. Pastaj Kryeministri do ta ketë fare të lehtë të bëjë të gjitha prapësitë autoritariste, të shesë detin, tokën dhe ajrin e Shqipërisë për të marrë me të mirë të huajt në funksion të qëndrimit sa më pafundësisht në pushtet, dhe askush të mos ketë ku të ankohet. Sepse edhe po të ankohen në Gjykatën Kushtetuese se Kryeministri po shet Shqipërinë, kjo e fundit do t’i japë të drejtë Berishës.

Dhe ky i fundit ndërsa bën pazare me detin, ajrin dhe tokën e Atdheut, do të mund t’i mbrojë veprimet e tij, dhunën dhe korrupsionin duke u thënë jo vetëm kundërshtarëve, por edhe Amerikës dhe Europës: “Edhe gjykata është dakord”. Dhe a nuk është pushtet absolut pikërisht ai, vendimet e të cilit nuk atakohen dot askund? Do të jetë e njëjta skemë si kjo me Kolegjin Zgjedhor, ku dhunimi i ligjit dhe i transparencës, vjedhja e votës maskohen me vendim gjykate dhe me Kushtetutë, duke na futur në një krizë që nuk po ka mbarim. Ky është plani absolutist i Berishës që fshihet pas rrëzimit të kandidaturës së Kostës nga marionetat e tij në Kuvend. Një plan që këmbëngul, për të keqen e demokracisë dhe integrimit të Shqipërisë në Europë, tash e 20 vjet.