Çfarë e ndan Greqinë nga Europa

0
82

Nga Dietmar Pieper, 18 Maj 2012
Der Spiegel

Europa u detyrohet për shumë gjëra grekëve, për emrin e saj, filozofinë, demokracinë dhe shumë më tepër. Kur shtrohet pyetja nëse Greqia duhet të qëndrojë në eurozonë, atëherë argumenti historik del gjithmonë në pah. Në një vend që ka meritën e paçmueshme si djep i Europës, përdoren standarde të ndryshme përveç atyre fiskale.

Por a ka ndjekur Athina e demokratëve të parë si Sokrati, Platoni e Aristoteli një rrugë të drejtë deri më sot? Politikanët e mirëkuptueshëm, që flasin pro qëndrimit të Greqisë në eurozonë, mendojnë kështu. Por nuk është e vërtetë. Mes vendit të shkëlqyer antik dhe shtetit të sotëm qëndron një gropë e errët. Nga pikëpamja kulturore e historike, Greqia është një vend i Lindjes. Ky fakt është për forcat politike e shoqërore që veprojnë aty shumë më i rëndësishëm se fakti se ku gjendet Greqia sot në hartë.

Një histori e shkurtër e Greqisë tregon se pse te e bukura Greqi gjërat ishin shumë më ndryshe se tek fqinjët e BE.

Pas periudhës së heronjve, poetëve, mendimtarëve, shtetarëve dhe pushtuesve grekë, erdhi sundimi i gjatë romak. Superfuqia e atëhershme ushtarake ishte mjaftueshëm e zgjuar sa për të njohur arritjet superiore kulturore të grekëve. Këto njohuri dhe ky art u importua nga Athina në Romë. Kjo ishte faza e parë e një transferimi të madh intelektual drejt Perëndimit.

Kur perandoria u shpërbë, Greqia mbeti pjesë e Perandorisë Romake Lindore. Gjatë shkëlqimit të Konstandinopojës, Athina ishte thjesht një provincë. Perandori Justiniani i Parë, që ortodoksët e shohin si shenjt, bëri aty akademinë platonike duke e zhvendosur tashmë filozofinë në një vend tjetër, e jo aty ku ishte zhvilluar për herë të parë mendimi i zgjuar.

Pasuan shekuj kaotikë. Sllavët, frankët, venezianët dhe normanët kaluan, grekët kishin pak për të thënë. Edhe në Mesjetë, gjërat ishin të vështira për grekët, fqinjët nga Azia e Vogël morën komandon dhe për 400 vjet sunduan osmanët.

Gjatë Rilindjes, italianët, francezët, gjermanët dhe anglezët kishin zbuluar klasikët grekë, por zemra e tyre nuk rrihte për Greqinë. Antikët e shpëtuar nga tradita e lashtë tani kishin emigruar në Perëndim dhe në Veri, duke u shkëputur tërësisht nga rrënjët e tyre gjeografike.

Në fillim të shekullit 19, kur nisi koha e nacionalizmave, bota po shihte nga afër atë që ndodhi në Greqi. Beteja e tyre kundër turqve u bë simbol, dhe shumë vullnetarë nga vende të tjera u bashkuan me grekët. Mbreti i parë i Greqisë në vitin 1832 ishte Otto i Bavarisë. Pas largimit të tij, erdhi një princ danez në vitin 1863. Kandidatët nga Greqia nuk kishin asnjë shans.

Pas shumë peripecive erdhi edhe furia gjermane në Luftën e Parë Botërore. Që nga viti 1974, pas një diktature ushtarake shtatëvjeçare, Greqia është një shtet demokratik, i përket NATO-s.

Zinxhiri i shekujve të errët, kur grekët u sunduan nga fuqitë e huaja, ka lënë gjurmë të thella. Madhështia e Platonit dhe e të tjerëve është vetëm në muze.

Politika dhe ekonomia në Greqinë e sotme moderne janë oligarki, pushteti funksionon si dinasti, që trashëgohet nga familjet Papandreu ose Karamanlis. Lidhjet personale janë shpesh më të rëndësishme se rezultati i zgjedhjeve ose rregullat formale. Gjithçka është shumë bizantine.

Thellë në Evropën Lindore, grekët kanë edhe një çështje besimi. Krishterimi ortodoks është feja e shtetit. 97 përqind e popullsisë i përkasin kishës ortodokse greke. Pushteti i patriarkëve, mitropolitëve dhe priftërinjve ka lënë gjurmën e tyre në vend. Shizma e vitit 1054 mes udhëheqësve të kishës lindore dhe asaj perëndimore ka lënë një hendek të thellë në Europë. Dallime të tilla nuk zhduken pa lënë gjurmë.

A ekziston mundësia që projekti gjigand i një monedhe të përbashkët të funksionojë vetëm në ato vende që për mijëra vjet kanë pasur një histori të përbashkët? Në këtë Europë, e cila është formësuar që nga mesjeta si një trashëgimi e botës latine, grekët nuk kanë qenë aty. Nëse në të ardhmen ka një debat për euron dhe për shpirtin antik grek, duhet një paralajmërim: disa gjëra janë lënë shumë pas për t’iu rikthyer në të tashmen.