Mimoza Dervishi
Të thuash sot, që sistemi shqiptar i drejtësisë është i korruptuar, nuk është më lajm. Nuk ka raport apo sondazh ndërkombëtar që të mos i kushtojë pjesën më të madhe pikërisht korrupsionit të këtij sistemi, me shpresën se do kuptohet një ditë, që demokracia funksionon, vetëm nëse ligjet zbatohen. Në fakt, sot do ishte lajm sikur nëna e kryetarit të opozitës, të kishte fituar gjyqin ndaj Kryeministrit të Shqipërisë.
Nuk ndodhi, dhe as vetë Aneta Rama nuk priste që gjyqtarja e çështjes, që është nën ethet e garantimit të mandatit të tretë të burrit të saj si guvernator i Bankës së Shqipërisë, të ketë integritetin e duhur, aq sa të gjykojë dhe guxojë të japë vendime të drejta. Çështja u pushua me arsyetimin qesharak të mungesës së provave. Nuk ka dyshim që akti i shëmtuar i Gjykatës së Tiranës, është dhe një nga aktet e fundit të Berishës për të treguar ende dhëmbët.
I frustruar nga darka e hidhur e Strasburgut, ku për orë të tëra, zyrtarët e lartë të Europës i treguan vendin dhe i vunë para ultimatumit, Kryeministri i Shqipërisë, pasi ka humbur betejën e tij me opozitën, pasi ka pranuar të bëjë ato që për dhjetë muaj përbetohej që s’do t’i bënte kurrë, kërkon të përkëdhelë veten me “fitore” të vogla, siç mund t’i duket kjo çështje ndaj nënës së kryetarit të opozitës. Në fakt, veçse ka shënuar turpin e radhës për veten dhe njollën e re të turpit për sistemin e drejtësisë tërësisht në thundrën e tij, si një leckë me të cilën ai sot fshin këpucët.
Aneta Rama e ka fituar moralisht betejën me Kryeministrin e Shqipërisë, qoftë dhe duke provuar mjerimin dhe rrënimin e drejtësisë shqiptare. Ajo është e fituar në aspektin human dhe qytetar, si nëna krenare e një njeriu që tentoi dhe fitoi betejën e qytetarisë me një njeri që kur i është dashur të lërë pushtetin herën e parë, e ka tërhequr zvarrë Shqipërinë duke veshur me të zeza mijëra nëna shqiptare.
Opozita shqiptare e ditëve të sotme, që udhëhiqet nga djali që rriti dhe edukoi kjo nënë, proteston me qytetarinë shembullore të Europës dhe po provon që kontrasti me të keqen në pushtet, bëhet më mirë kur je qytetar, sesa shpellar. Është një betejë e qytetarisë. Për këtë nuk ka pikë dyshimi tashmë. Janë ende të freskëta 20 ditët e grevës së urisë dhe ndarja si me thikë e grave dinjitoze të grevës dhe deputetëve të Partisë Demokratike që nuk ngurronin të flisnin me fjalorin e rrugës.
Por të gjithë e kujtojmë histerizmin e asaj nate të errët parlamentare të pas 20 nëntorit, kur nga goja e Kryeministrit dhe më pas gjithë të tjerëve që i bënin eco, nuk mbeti më gjë pa dalë, dhe kur një grup i tërë parlamentar u shndërrua si vetëm Berisha di të të shndërrojë, në përfaqësues dinjitoz të ordinerizmit të përdalë. Të gjithë gjithashtu kujtojmë, se kur paditë u rreshtuan kundër Kryeministrit, shqiptarët ishin në një mendje se këto çështje teknikisht ishin të humbura, për sa kohë gjyqësori është thjesht një marionetë në duart e Berishës.
Por në një botë të qytetëruar, secili duhet të bëjë detyrën dhe pjesën e tij. Në një botë që tenton qytetërimin, aq më shumë është detyrë e secilit të paktën të provojë të bëjë detyrën e tij. Këtë bëri Aneta Rama, u përpoq të japë shembullin se respekton shtetin ligjor, pavarësisht besimit që ka tek ai sot.
Nuk ka rëndësi se cili gjyqtar dha vendimin për të pushuar çështjen në fjalë, dhe as të analizojmë pse gjyqtarët e lëshojnë kaq shumë veten dhe bëhen kaq qesharakë.
As që ia vlen të analizosh sentencën, që për këtë çështje nuk ka prova, kur ato janë me zë dhe figurë dhe kanë për dëshmitarë miliona shqiptarë. Aq më pak do ishte humbje kohe të gjykosh se a përbën provë apo jo, kur dikush e sidomos Kryeministri i një vendi, i “hyn” në shtëpi oponentit të tij dhe shpik e sajon histori që të bëjnë të skuqesh. Por ia vlen të ndalesh tek integriteti i munguar i gjyqësorit shqiptar, që po keqedukon dhe instalon mungesën e integritetit të gjithë shoqërisë.
Pushimi i çështjes së Aneta Ramës kundër Sali Berishës, është një goditje e rëndë për çdo qytetar që mendon se e drejta dhe privatësia e tij nuk mund të preken dhe se Kushtetuta e Shqipërisë ia garanton këtë të drejtë. Ashtu sikur Berisha i jep zemër me fjalorin e tij të egër gjithë atij kontingjenti ordiner që ekziston kudo në një shoqëri ende në tranzicion, ashtu dhe sot ai po tregon se korrupsioni i pushtetit vendos ligjin dhe jo ligji vendos drejtësinë. Sot pushteti gjyqësor u zhvesh në sytë e nënës së kryetarit të opozitës, duke u treguar shqiptarëve, se jetojmë në kohën e antivlerave dhe lufta është më egër se kurrë.
Kur një çështje kaq publike me dëshmitarë gjithë botën, nuk llogaritet si çështje, mendoni për një çast se çfarë mesazhi i shkon një qytetari të thjeshtë për të pretenduar të fitojë një gjyq me shtetin, apo qoftë dhe për t’u dëgjuar të paktën diku. Është fakt sot që shumë qytetarë e kërkojnë dhe fitojnë të drejtën e tyre në Strasburg, duke njollosur gjykatat shqiptare që nuk dihet pse ekzistojnë. Sot me çështjen e pushuar të Aneta Ramës, thjesht kemi në dorë një provë më shumë të një sistemi të tërë që nuk funksionon, të një sistemi qeverisës në krizë.







