JEHONA E GREVËS

0
51

Prof. As. Dr. Artan DUKA, 23.05.2010

Sapo dëshmuam dështimin e radhës kur për një vend të NATO, Kryeministri dhe lideri opozitës thirren nën një atmosferë ultimative jashtë vendit për të stabilizuar vendin e tyre (?!) Ndodh vetëm me ne dhe jo për herë të parë. Ky dështim për të dëshmuar vetëvendosje, veçse rikonfirmon pazotësinë tonë për komunikim normal mes nesh dhe kompleksin e inferioritetit e servilizmit ndaj të huajve prej të cilës klasa politike nuk po del dot. E thënë kjo, faji nuk është vetëm i yni.

Marrëzitë tona politike të shndërruara në zakon, deri diku kanë prekur dhe objektivitetin perëndimor që përballë kësaj klasa politike “plangprishëse”, ose na ka bojkotuar dhe ndëshkuar ku çmimin kryesor e ka paguar vetëm populli, ose ka ulur standardet e toleruar absurdin ndër vite, duke promovuar më tej irracionalitetin e politikës shqiptare.

ULJA E STEKËS
Licencimi “nëpër dhëmbë” që OSBE dhe ODHIR i bënë zgjedhjeve të Qershorit 2009, nuk ishte një vlerësim për ne, por nder për veten e tyre, sepse na “hoqën” qafe për të paktën 4 vjet duke na trajtuar ende si “kusi me presion” që për sa kohë kapaku është i puthitur mirë nuk kërcënon habitatin e tyre pavarësisht sa vlojnë gjërat brenda.

Ky certifikim jo bindës, nuk ndihmoi demokracinë e brishtë shqiptare, nuk inkurajoi transparencën dhe përgjegjshmërinë përpara ligjit, por dekurajoi besimin e votuesve të thjeshtë tek fuqia e votës dhe parimet universale të demokracisë perëndimore. Meqë ndodhi formalisht, përpjekjes fillestare të opozitës për sensibilitet demokratik për transparencë zgjedhore, perëndimi tashmë i zënë ngushtë, fillimisht i ofroi një reagim të vakët, klishe, mes shprehjeve bajate dhe tepër lakonike.

“Certifikimi” i absurdit shqiptar nën okelion “zgjedhje më të mira se të mëparshmet”, pavarësisht se bëhej fjalë për një vend të NATO, ishte premisë e thellimit të krizës, sepse pushteti tashmë kishte në dorë “tapinë” për të qeverisur dhe shpërfillur deri në ekstrem kërkesat e opozitës. “Qershia mbi tortë” e këtij licencimi ishte konstatimi se ndërsa 1/3 e qendrave të votimit ishin numëruar keq apo shumë keq, përsëri nuk kishte prova se rezultati nuk ishte ndikuar prej saj(!?). Përballë një “fakti” siç është 1/3 e qendrave të votimit, “perceptimi” se rezultati nuk ishte ndikuar është tepër i brishtë deri ireal dhe në analizë të fundit fakti si objektiv dominon ndaj perceptimit që mbetet në rrafshin subjektiv.

DEMOKRACI INVERSE(!)
Problemi nuk qëndron thjesht tek shmangja e kësaj krize të sotme, por se a do të mundemi ne si shoqëri që të mos biem përsëri në këto pozita njëkohësisht tragjike dhe qesharake, jo vetëm sepse krijojmë kriza të panevojshme për argumente dhe kauza që nuk duhet të na ndajnë por dhe se kur ndodh, nuk reagojmë me përgjegjshmëri demokratike mes nesh, por nxitojmë të lobojmë në botë për të gjetur mbështetje, duke përfunduar gjithnjë në tavolina komprometuese për dinjitetin e mbarë kombit. Shoqëria shqiptare nuk ia ka borxh dhunimin sistematik të dinjitetit të saj klasës politike. Ndërkohë që kjo e fundit ka përgjegjësinë kryesore, vetë ne, duke hyjnizuar partitë veçse verbojmë dhe shurdhojmë vetveten, mpijmë racionalitetin tonë kritik dhe absorbojmë si të mirëqenë gjithçka ajo ofron.

Emancipimi demokratik është ende pre e klisheve të vjetra në raportin shoqëri-lider, abuzivizmit të masmedias, objektiviteti i të cilës është në krizë, indiferentizmit dhe pamundësisë për të qenë aktiv përballë presionit të pushtetit, kuadrit ligjor dekurajues për pluralizmin politik, mungesës së tolerancës dhe vetëcensurës së lidershipit etj.

Shoqëria jonë është një shoqëri jo rrallë inverse-demokratike, e paradokseve të shndërruara në normalitet ku fëmijët e shkollave lënë mësimin për të shkuar në miting, ku njerëzit vijnë “vullnetarisht” të organizuar nëpër mitingje, ku personat publikë “kolektivizohen”, ku OJQ investigojnë opozitën dhe jo pushtetin për korrupsion, ku ministra të denoncuar për korrupsion ngelen po të tillë dhe në Gërdec votohet sikur të mos ketë ndodhur gjë, ku festohen dy data çlirimi, ku çdo shoqatë ka dy vula, ku ambasadorët çelin emisionet e lajmeve, ku copyright i Kushtetutës shpërfillet dhe presidenti si uniteti i kombit projektohet si uniteti partisë në pushtet etj.

MERITOKRACI PA LIMIT APO RIFRESKIM I MEDIOKRACISË
Që situata të tilla kaq absurde të mos përjetohen më, nevojitet vetëdijshmëria për të zbatuar ligjin dhe verifikuar zbatimin e tij. Klasa politike, larg arrogancës dhe marrjes si të mirëqenë të elektoratit, duhet të dëshmojë përgjegjshmëri dhe institucione të tilla si dorëheqja, pendesa publike, respektimi kundërshtarit, tavolinat e rrumbullakëta etj., duhet të jenë normalitet. Ndërsa ka vlerë dhe duhet të stimulohet “qarkullimi elitave”, ajo duhet të shoqërohet me garanci se ndërrimi emrave nuk do të ripërsëritë abuzimin me pushtetin.

Më shumë se për ndërrim emrash kemi nevojë për konsolidim rregullash votimi, transparencë dhe llogaridhënie efikase, ku për çdo gabim apo abuzim duhet të ketë një çmim. Apriori, kushdo mund të rrijë përjetë në politikë për aq kohë sa votohet përmes një procesi transparent, të barabartë dhe real. Qarkullimi i elitave nuk mund të jetë një qëllim më vete dhe përtej tij, kemi nevojë të afirmojmë meritokraci reale dhe pa limit përkundrejt rifreskimit të mediokracisë.

“RADIOAKTIVITETI” POST-GREVË
Greva e urisë nuk duhet të ndodhte, por kritikat rreth të ashtuquajturit ekstremizëm opozitar harrojnë të vlerësojnë se ajo ishte refleksion i ekstremizmit pushtetar ndaj një kauze parimore dhe lehtësisht të akomodueshme prej tij që në fillimin e aksionit opozitar. Tashmë që përfundoi fatmirësisht pa pasoja të rënda, rrathët e “valës” së saj ende përhapen duke arritur cakun më të largët të civilizimit perëndimor. Përballë një pushteti “akullnajë” që nuk tregoi predispozicionin e duhur për të merituar sakrificën e saj sigurisht duhej të ndërpritej.

Përfundimi i grevës dhe i darkës në Strasburg, nuk na sollën përsëri në pikën zero. Vërtet hendeku mbetet por tashmë ai ka përfshirë të tjerë aktorë dhe të dyja palët kanë lëvizur nga pozicionet e mëparshme. Rrjedhimisht outputi i grevës është evident teksa (a) demonstroi përkushtimin dhe seriozitetin e opozitës ndaj një kauze, për të cilën nuk do të ketë më kthim pas, sepse tashmë është vulosur me sakrificën njerëzore të grevës së urisë, (b) dëshmoi se opozita nuk po bënte bllof para 9 muajve kur paralajmëronte për transparencë të panegociushme ndaj kërkesat dhe deklarimet e saj në vijim nuk mund të injorohen më, (c) ekspozoi precedentin e papranueshëm në një vend demokratik të injorimit dhe karshillëkut ndaj institucionit të grevës së urisë që nuk duhej të provokohej dhe nëse ndodhte duhej të trajtohej me prioritet nga shteti ligjor, (d) sensibilizoi mbarë opinion publik dhe më tej duke pohuar emancipim demokratik se njerëzit mund të futen në grevë urie dhe për kauza që u shërbejnë dhe kundërshtarëve të tyre, (e) sensibilizoi komunitetin ndërkombëtar se ne jemi një vend ku liria dhe demokracia merren tashmë seriozisht dhe që meriton respekt për këtë, (f) zhvlerësoi një traditë të abuzimit dhe spekulimit të mirëqenë dhe të imunizuar prej vitesh rreth proceseve zgjedhore, duke tronditur statukuonë e alibive të tipit “zgjedhje më të mira se herën e kaluar”, (g) krijoi precedentin e dyshimit demokratik në transparencën e institucioneve dhe ndjekjes deri në fund të realizimit të saj duke promovuar kurajën civile për ta kërkuar atë, (h) afirmoi rëndësinë e votës dhe sensibilizoi interesin e qytetarit deri dje rëndom shpërfillës ndaj fatit të saj si rrjedhojë e statukuosë së indiferentizmit zgjedhor dhe pamundësisë për feedback etj.

Shkurt, greva e urisë me efektin zinxhir që krijoi, i tejkaloi objektivat, për të cilat ajo u iniciua, të cilat të deklaruara sigurisht ishin “fabrika” e kurajës dhe frymëzimit të individëve që me koshiencë rrezikuan gjithçka. E zhvendosur jashtë vendit nga ekstremiteti i grevës, kriza tashmë ka vënë për shpatulla pas murit klasën politike shqiptare që është e dënuar të konvergojë.

HAPIN E PARË
Hapin e madh sigurisht duhet ta hedhë pushteti, alibia juridike e mostransparencës zgjedhore, e të cilit tashmë nuk sugjestionon më perëndimin. Tashmë që kutitë pranohet nga të gjithë se fshehin parregullsi serioze, alternativë e vetme për të mos kompromentuar imazhin e tij dhe më tej të vendit është shmangja e hapjes së tyre me çmimin e zgjedhjeve të reja.

Zgjedhjet e reja si propozim i shumicës nën pretekstin juridik të mos’hapjes së kutive, jo vetëm do t’i kursente asaj një diskreditim eventual të pasuar me zgjedhje të paevitueshme dhe rrënuese për të, por do t’i mundësonte asaj pretendimin për qëndrimin në qeveri deri në ditën e zgjedhjeve dhe përdorimin e kartës së liberalizimit të vizave si një aset për një shans mbresëlënës në fushatën e ardhshme elektorale, pa përmendur manovrimet e kamuflueshme të tipit mediatik, alokim zërash buxheti, përdorim administrate etj., që edhe nëse abuzive mund dhe të “anashkalojnë” ende radarin demokratik në radhën e prioriteteve të tij.

RINUMËRIM APO RIMBUSHJE!
Ndërkohë që opozita nuk mund të mjaftohet thjesht me aksesin tek kutitë e materialeve zgjedhore që gjithsesi janë të arritshme si pjesë e fondit të arkivit. Qëllimi saj duhet të mbetet transparenca integrale për të fituar betejën morale dhe në pamundësi zgjedhjet e reja nën një qeveri kujdestare me një kod zgjedhor të ri që promovon pluralizmin dhe imunizon transparencën.

Nëse bihet dakord për zgjedhje të reja, kutitë e votimeve, në analogji me dosjet e spiunëve, ndoshta është më mirë të trajtohen si fenomen, sepse të gjithë biem dakord që në Shqipëri është abuzuar gjithnjë direkt apo indirekt me votën ndaj para se të fillojmë një fushatë, ku nuk është çudi që shumëkush do të jetë prokuror dhe i pandehur, pasi të garantohet se pësimi është bërë mësim, të gjitha palët të bien dakord për të kthyer një faqe të re dhe festuar pas 2 vjetësh me krenari 100 vjetorin e pavarësisë, duke dëshmuar se jemi vërtet të tillë në marrjen e përgjegjësive të fateve tona.