AGRON GJEKMARKAJ, 19 janar 2015
Personalisht me Gilman Bakallin jam “takuar” pothuaj dy vjet më parë në faqet e gazetës “Panorama”, ku kemi polemizuar ashpër me njëri-tjetrin me iniciativën time dhe qysh nga ajo kohë shihemi vëngër në përballje rastësore, siç janë konferencat, promovimet, qokat e shumta të kryeqytetit tonë etj. Nuk jam penduar asnjëherë për qëndrimin tim e, me sa duket, as zoti Bakalli. Ai në punë të vet e unë në timen. Të dy kemi përdorur lirinë për të menduar ndryshe mbi të njëjtën çështje e mbi të gjitha për të marrë pozicionet tona publike, duke fituar apo humbur mbështetës. Madje, e kemi përdorur këtë liri edhe për të mos përshëndetur më njëri-tjetrin. Pas kësaj ndodhie, shoqëria shqiptare nuk është as më e mirë e as më e keqe, por e tregova shkurt këtë histori, sepse ndjeva shqetësim kur lexova se ai është kërcënuar për mendimet e tij të shprehura publikisht nga një numër jo i papërfillshëm njerëzish frekuentues rrjetesh sociale.
Liria e fjalës në vendin tonë përballet me risqe të ndryshme herë pas here, por së paku për tema globale e mendoja një standard të mundshëm të shoqërisë shqiptare. Me sa duket, kështu nuk është. Një shprehje thotë se, që të gjykosh më mirë, vendose veten në vendin e tjetrit. Jam i bindur që, ashtu si unë, edhe shumë të tjerë, të cilët kanë bërë zgjedhjen që të komunikojnë në mënyrë periodike me publikun përmes opinioneve të veta, sot janë të kërcënuar. Kur statusi i fjalës së lirë vihet në rrezik, përnjëherësh të gjitha statuset e tjera janë automatikisht të rrezikuara.
Pas shkrimit “Për botëkuptimin islamik nuk ka vend në këtë Europë”, Gilman Bakalli është përfshirë në një situatë aspak normale. Njerëz me emër dhe mbiemër në facebook e kanë kërcënuar, fyer, sharë duke e përjetuar në mënyrë vetjake artikullin e tij si një blasfemi. Në të s’kishte asgjë të tillë në terma teologjikë.
Për një sërë raportesh të cilat i kanë dhënë tradicionalisht kohezion shoqërisë shqiptare, kërcënuesit duhen konsideruar me preokupim. Këto personazhe mund të mburren si pionierët e parë që shfaqen hapur të fondamentalizmit në Shqipëri. Në miniaturë ata mund të krahasohen me atentatorët algjerianë, që shfarosën redaksinë e “Charli Hebdo” në Paris. Sot si skuadristë të vërtetë kërcënojnë, shajnë, fyejnë një njeri, i cili guxon të thotë publikisht atë çfarë mendon. Po nesër çfarë mund të bëjnë ata nëse sot i tolerojmë duke heshtur? Në Europë po kaq e shenjtë sa të drejtat e tjera konsiderohet edhe ajo për të blasfemuar, gjë të cilën autori nuk e ka konsumuar. Me fyerjet merret ligji. Raporti me ligjin përcakton edhe ndëshkim për lënduesin dhe zhdëmtimin për të lënduarin. Asgjë mbi dhe as nën ligjin. Kush ndihet i prekur në shtetin e të drejtës, ka mundësi ta kërkojë të drejtën, por jo ta tejkalojë atë duke projektuar vetëgjyqësinë. Kjo vlen edhe në Shqipëri qoftë për “të prekurit” nga Bakalli, qoftë për atë vetë.
Prej kontekstit tim kulturor të krishterë, ndonëse nuk jam praktikant besimi, etikisht nuk më takon të bëj vlerësime mbi drejtësinë dhe objektivitetin e shkrimit të Bakallit, por kjo nuk më pengon të them se në të ka gjëra me të cilat nuk jam dakord. Parimisht jam pro çdo debati, pa përjashtuar asnjë temë, sado delikate të shfaqet ajo.
Tabutë ngrihen për të mbuluar të vërtetën dhe, kur ajo mungon, fillon instrumentalizimi. Fjala është gjithmonë më e ndershme se heshtja. Ndaj një artikulimi publik ekziston gjithmonë mundësia e një përgjigjeje publike, qoftë edhe me tonalitet të lartë. Akti i shkrimit i ngjan një akti rrëfimi, ku secili ngulit të vërtetën e vet në trupin e kohës në shërbim të universales, padronanca e së cilës i mbetet Hyjit. Çdo formë tjetër reagimi është e papranueshme dhe e dënueshme, ndaj jam solidar me Bakallin, i cili ka shprehur mendimet e tij pa fyerje e sharje nëpërmjet një analize të debatueshme që shumëkujt ndoshta nuk i pëlqen.
Përfundimeve, konstatimeve dhe dyshimeve që dalin nga artikulli i tij do të ishte mirë që të gjithë ata të cilët mendojnë ndryshe, t’u përgjigjeshin me të tyret dhe ky konfrontim idesh do të ishte një vlerë e shtuar për ambientin tonë. Nëse nuk ndihen të dëlirur dhe të larë kësisoj dhe gjykojnë se “faji” i Bakallit shkel ligjet e këtij vendi, le t’i drejtohen një gjykate, po kurrsesi nuk duhet ta kërcënojnë atë. Reagimi i shfaqur në këtë formë synon te mbjellë dhe legjitimojë frikën në shoqërinë tonë. Si të tilla, kërcënimet ndaj Gilman Bakallit janë kambanë alarmi për të gjithë ne. Britmat që dalin nga asi ambientesh të turbullta e zemërake janë vrikëllimat e intolerancës, të cilat nuk pranojnë mendimin e lirë, laik dhe ateist.
Pikërisht artikuluesit e dhunës verbale ndaj publicistit, këta kavalierë të frikës, nuk kanë asgjë të përbashkët me Europën dhe Islamin, kjo fe e madhe e botës sonë. E para ishte fjala. Asaj i detyrohemi gjithmonë e të gjithë.