Kriza dhe integrimi

0
66

Skënder Minxhozi

Skënder Minxhozi

Kush shpresonte se darka e Strasburgut do të sillte paqen dhe harmoninë e përjetshme, pas nëntë muajve tensioni politik, u zhgënjye. Por gjithashtu u zhgënjye edhe ai që besonte dhe vazhdon të besojë se politika shqiptare është një tokë e djegur, ku s’mbin asgjë e mirë. Darka e Krokodilit s’është as Darka e Fundit e Librit të Shenjtë dhe as Darka e Gabuar e Kadaresë. Ajo është thjesht një stacion, në rrugën e gjatë të gjetjes së një zgjidhjeje për një krizë të vështirë dhe komplekse, e cila ndërthur të sotmen e politikës shqiptare, me temperamentin e saj të përjetshëm, ku dominojnë pasionet mbi logjikën dhe ekuilibrin.

Berisha dhe Rama u ulën për herë të parë ballë për ballë, që nga takimi tek presidenti Topi, në shkurtin e kaluar. Formati i këtij takimi të dytë, klima në të cilin ai u mblodh dhe trysnia që ushtrohej mbi aktorët kryesorë, ishin shumë më sofistikuar se demarshi i ndrojtur i kreut të shtetit, ku elementi më i rëndësishëm rezultaun batutat dhe kundërvënia mur me mur. Kësaj rradhe është e sigurtë se batuta nuk pati, gjuha ishte e moderuar dhe palët koshiente për riskun që marrin përsipër. Qeveria u paraqit në takim me paralajmërimin e rëndë mbi krye, të pezullimit të procesit të integrimit të vendit, deri në gjetjen e një formule për krizën elektorale. Opozita nga ana e saj hoqi barrikadën njerëzore në bulevard dhe pranoi të negociojë pa presionin e grevës së urisë. Letra e Doll dhe Shulz për Berishën dhe Ramën është ndoshta elementi më i rëndësishëm i asaj që ndodhi para dhe gjatë darkës së Strasburgut.

Tashmë BE i ka lënë edhe formalisht mënjanë apelet dhe ftesat verbale për zgjedhjen e ngërcit. Letra e mësipërme është në fakt një ultimatum dhe një spostim i hapur i europianëve nga gjuha e tyre e matur e diplomatike me një vend që ende nuk është anëtar i Klubit. Kërcënimi i hapur me pezullim të procesit, ka qenë në fakt karta që Brukseli, i ndarë natyrshëm në qëndrime që pasqyrojnë edhe ngjyrimet politike, evitoi ta luante, duke shpresuar se kriza e Tiranës do të kishte një fund. Degjenerimi i situatës gjatë muajit maj dhe mungesa e hapur e vullnetit të palëve për një fund të arsyeshëm të kolapsit politik, mesa duket e shtyu Europën e Bashkuar të aplikojë gjuhën e forcës dhe strategjinë e kushtëzimit.

E zhvilluar nën këtë shpatë virtuale të Damokleut, darka e restorantit me emrin alegorik në Strasburg, ka qenë një bankoprovë e madhe për të dy liderët. Sidomos për kryeministrin, i cili deri atë moment kishte parë jo pa kënaqësi sesi ndërkombëtarët kontestonin kryesisht vendimin e opozitës për të hyrë në grevë urie, duke kursyer përgjithësisht qeverinë. Nga ky moment llogaritë duhen bërë të paktën në mënyrë simetrike.

Rama arriti ta zyrtarizojë edhe jashtë vendit krizën, t’i nxjerrë njerëzit nga një grevë urie që po bëhej e rrezikshme për jetët njerëzore, në këmbim të një gjesti të fortë të ndërkombëtarëve, të detyrojë sërish maxhorancën që ofrojë si zgjedhje (moralisht të dyshimtë) djegien e fletëve të votimit dhe ç’është më e rëndësishmja e të gjithave, të kushtëzojë procesin e integrimit të vendit, me arritjen e një kompromisi “të ndershëm” për krizën elektorale. Tashmë askush s’mund të thotë më se kjo po ndodh për shkak se kreu i PS kërkon të konsolidojë pozitën brenda PS dhe as me qëllimin e rimarrjes së pozitave për humbjes së zgjedhjeve. Loja është shumë më e gjerë dhe shumë më e thellë se kaq. Nuk është pak, si bilanc, për një njeri që rreth një vit më parë shihej pak a shumë si një kufomë politike.

Nga ana e tij edhe Berisha mund ta llogarisë si sukses që mundi të largojë nga bulevardi grevistët e urisë, një situatë mjaft e sikletshme për qeverinë, por edhe që vazhdon të fitojë kohë, pa dhënë një përgjigje dhe duke qenë ende në pozitën e atij që duhet të japë koncesionin final. Megjithatë kryeministri ka humbur shumë terren gjatë këtyre muajve, sidomos kur ka ndjerë sesi kriza e brendshme politike po i bëhej një barrë e padurueshme, procesit të integrimit europian dhe kur ka parë sesa nervozë janë bërë ndërkombëtarët, jo vetëm me kundërshtarin e tij të majtë, por edhe me atë vetë. Mbetet të shihet cfarë do të ndodhë në Konferencën e Sarajevës, në fillim të qershorit, ku do të vendoset për liberalizimin e vizave. Gjasat janë që ky proces, për Shqipërinë, të ketë formën e një drite jeshile me kusht.

Në fund të fundit, në këtë përplasje të transportuar jashtë vendit, zoti Berisha di mirë dy gjëra themelore në këtë krizë: e para, që kostoja e këtij sherri nëntëmujor, në çdo rrethanë dhe llogari të mundshme, dëmton më së shumti qeverinë. Sic po e shohim faktikisht orët e fundit. Së dyti, që kauza e diegies, përballë kauzës së transparencës, është moralisht më e dobët dhe mbi të gjitha, ngjall shumë më tepër dyshime. Njerëzit nuk logjikojnë dot me nene dhe klauzola ligjesh që s’i kupton askush. Ata janë të prirur t’i shohin dhe t’i interpretojnë “trashë” këto lloj krizash: ky kërkon të hapë kutitë, ky tjetri nuk e lejon. Përfundimi imagjinohet dhe në pjesën dërrmuese nuk është pozitiv për qeverinë.

Nga ana tjetër, vërtet kryeministri po kërkon të fitojë me çdo kusht kohë, porse ka një problem. Nëse kushtëzimi i letrës së Doll-Shulz do të shtrihej në mënyrë rigoroze deri në gjetjen e një zgjidhjeje, fitorja e kohës mbi opozitën do të rrezikonte termat kohorë të procesit të integrimit europian. Një operacion shumë delikat që qeveria do të donte më cdo kusht ta mbante jashtë sherrit të brendshëm politik.

Në këto kushte, dy javët e vendosura si afat në takimin e Strasburgut, marrin një rëndësi jetike për të dyja palët. Nëse në dyert e sezonit veror situata s’do të ketë ndryshuar, pasojat e asaj që mund të ndodhë janë të rënda për të gjithë. Ndryshimi i kodit të komunikimit nga ana e ndërkombëtarëve, është shenjë e qartë se vija e kuqe po kalohet. Dhe kur kalohet vija e kuqe, paguajnë të gjithë.