Tre gjeneralët e shkarkuar kanë akuzuar ministrin e Mbrojtjes për abuzime me Forcat e Armatosura dhe punësimin e militantëve
Nga Lindita Çela, 31 Maj 2013
Tre gjeneralët e shkarkuar nga Presidenti i Republikës, Sandër Lleshi, Abaz Lleshi dhe Dhori Spirollari kanë publikuar fakte tronditëse mbi shndërrimin e Ministrisë së Mbrojtjes në një institucion të uzurpuar nga Arben Imami dhe të mbushur me një personal të paaftësh dhe militantësh.
Gjatë një konference për shtyp, ish zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sandër Lleshi ka argumentuar se shkarkimet e Presidentit Nishani kanë qenë të jashtëligjshme, ndërkohë që kanë akuzuar Imamin se për shkak të keqmenaxhimit, sot Shqipëria nuk ka një Strategji për Sigurinë Kombëtare, ka një trupë të forcave të armatosura me uniforma të rreckosura dhe pa mjete logjistike. Sipas Lleshit, shpeshherë trupat e ushtrisë shqiptare transportohen me karroca si të ishin në shekullin e 19-të.
E ndërsa gjeneralët kanë denoncuar gjendjen e mjerueshme të Forcave të Armatosura shqiptare dhe uzurpimin që Imami i ka bërë institucionit, gjatë një deklarate për shtyp, shefja e kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Donika Çapi, i ka cilësuar shkarkimet e tre gjeneralëve si të ligjshme. Sipas saj, gjeneralët nuk janë liruar nga detyra por janë nxjerrë në rezervë.
“Në pamundësi për t’u përballur me të vërtetën e hidhur dhe skandaloze, Imami u fsheh sot pas një zonje, pas shefes se kabinetit te tij. Për një ministër dhe për një zotëri nuk është e hijshme të nxjerrë dhe te keqpërdorë në publik një njeri plotësisht inkompetent për çështje”.
Kështu ka deklaruar gjeneral Sandër Lleshi, sipas të cilit Imami përmes gojës së shefes së kabinetit foli për “nxjerrje në rezervë” të tre gjeneralëve.
Lleshi thotë se dekretet e Presidentit flasin për lirim të tyre nga detyra dhe se Imami as nuk i ka lexuar ato.
Më herët, ish- zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka deklaruar se arsyeja e vërtetë e lirimit të tyre nga detyra është reagimi emnotiv i Presidentit pas disa shqetësimeve të ngritura për funksionimin e Forcave të Armatosura.
Reagimi është bërë më 25 mars të vitit 2013 tek Presidenti i Republikës, Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.
Akuzat e gjeneralëve
Shqipëria nuk ka asnjë Strategji të Sigurisë Kombëtare edhe pse prej katër vitesh është vend anëtar i NATO-s.
Ky ka qenë ndër shqetësimet kryesore që ka ngritur gjeneral Sandër Lleshi, sipas të cilit mungesa e një strategjie ka bërë që Forcat e Armatosura të zhvillohen mbi bazën e improvizimeve të momentit dhe pa një vizion strategjik të qartë.
Që prej vitit 2004, Forcat e Armatosura nuk kanë realizuar asnjë reformim ligjor.
“Përqendrimi absolut dhe vendimmarrja personale nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministri i Mbrojtjes e ka kthyer menaxhimin e personelit në një problem akut për FA. Pasojë e këtij sistemi janë shumë emërime pa asnjë kriter profesional, dekurajimi i personelit cilësor dhe me integritet si dhe inkurajim i të kundërtës”, tha Lleshi.
Sipas gjeneralëve, shkurtimet e herëpashershme dhe të pashoqëruara me një argument ligjor kanë shkaktuar një faturë të konsiderueshme për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Në vijim të këtij shqetësimi e pyesim publikisht Presidentin e Republikës, Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm: Kush duhet të mbajë përgjegjësi për milionat e humbura nga buxheti i shtetit për shkak të vendimeve të tilla?”, tha Lleshi.
Një tjetër çështje e denoncuar nga gjeneralët ishte dhe mungesa e uniformave të ushtrisë shqiptare.
Lleshi tha se kur uniforma nuk kanë gjeneralët e ushtrisë, është e paimagjinueshme se si mund të jetë pjesa tjetër e Forcave tona të Armatosura.
“Një pjesë e konsiderueshme e personelit të FA, burra e gra, udhëton çdo ditë mbi karroceritë e kamionëve ushtarakë të amortizuar dhe të papërshtatshëm, në një kohë që kjo formë transporti është harruar edhe në zonat më të thella të Shqipërisë. Jo vetëm imazhi i FA, por edhe motivimi, dinjiteti dhe shëndeti i këtyre njerëzve cenohet përditë nga një trajtim i këtij lloji. Dëmi në shëndetin e njerëzve nuk mund të kompensohet prej marketingut virtual mediatik. Madje në këtë mënyrë nuk mund të kompensohet as dëmi në imazh. Milionat që shpenzohen për këtë qëllim janë fonde të humbura kot dhe keq”, tha më tej gjenerali.
Por ajo që është konsideruar si një skandal nga ish- drejtuesit e Forcave të Armatosura është përdorimi i ushtrisë nga Arben Imami.
“Një pjesë e konsiderueshme e kapaciteteve organike në njerëz dhe mjete të parashikuara për këtë qëllim, janë atashuar praktikisht në mënyrë të përhershme pranë disa njësive lokale të përzgjedhura. Është e vërtetë që ato kryejnë punë të dobishme, por në thelb ato kryejnë punën që nuk u përket. Në vijim të këtij shqetësimi e pyesim publikisht Presidentin e Republikës, Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm: Cila është, për shembull, baza ligjore që justifikon angazhimin selektiv të njësive të FA në punime civile në Qarkun e Elbasanit e në qarqe të tjera prej shumë kohësh”, tha ish zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
E ndërsa kanë akuzuar Imamin për përdorimin për fushatë elektorale të Forcave të Armatosura, gjeneralët kanë thënë se që pas vitit 2005 Ministria e Mbrojtjes është kthyer në një institucion ku militojnë militantët e dhe të paaftë.
Drejtuesit e lartë të ushtrisë thanë se me qindra vetë janë të punësuar në struktura pa lidhje dhe mbi të gjitha pa produkt, në fushën e sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes.
Sipas tyre kohët e fundit janë ngritur organizma të ekzagjeruar me fokus kulturor, artistik, sportiv, mediatik, publicistik, që Leshi thotë se janë identike me epokën komuniste.
Sipas gjeneralëve, zgjerimi dramatik i numrit të drejtorive, kakofonia alarmante e emërtimeve dhe e përgjegjësive ka arritur në nivele kulmore historike.
Për të ilustruar akuzën e tyre, gjeneralët thanë se në vitin 1966 Ministria e Mbrojtjes kishte 6 drejtori nga 19 që kishte në vitin 1983 dhe nga 20 që kishte në vitin 2003.
Ndërsa sot, nën drejtimin e Arben Imamit në Ministrinë e Mbrojtjes ekzistojnë 29 të tilla. Dhe ky numër paraqet vetëm “majën e ajsbergut” në raport me numrin e drejtorive, qendrave dhe strukturave të tjera, të “sistemuara” jashtë ministrisë.