TË LUASH EROS-POLITIKE

0
53

Monika Shoshori Stafa

Në Shqipërinë e dy dekadave të fundme euro-politika është vetëm një vullnet i mire. Ndërsa në atë bashkëkohore rock-politic nuk ka, sepse nuk ka kush ta bëjë. Por në Shqipëri ka me bollëk eros-politikë. Jo në atë kuptim që përdorej kjo fjalë në vitet e luftës, kur thuhej se partizanët dhe partizanet kishin zgjedhur malet për të bërë dashuri. Gjatë dy javëve të fundme, gjëja më cinike që është pohuar prej politikanësh e analistësh, është krahasimi i çadrave të grevistëve me kampingjet e qejfit. Sot sundon eros-politika, sepse njerëzit e duan politikën me eros; dhe harxhojnë pa kursim energji emocionale për të.

Gjatë një gjysme shekulli, në emër të pastërtisë klasore, politikat bolshevike likuiduan elitat shqiptare të një kohe të shkuar, “intelektualët borgjezë”. Gjatë dy dekadave të fundme politikat e reja shqiptare vepruan me një fuqi jashtëhedhëse të përbindshme ndaj njeriut të mendjes. Edhe ajo elitë që kishte nisur të mësohej me sjellje të fisme u depersonalizua. Shkrimtarët lanë penat dhe u bënë deputetë. Mjekët lanë klinikat dhe u bënë ministra. Piktorët dhe skulptorët lanë galeritë dhe u bënë funksionarë. Gazetarët lanë profesionin e tyre dhe u bënë zëdhënës, sekretarë, këshilltarë. Nuk u shenjua qoftë dhe një rast, si ai i E. Çabejt, i cili, në vitin 1942, kur u emërua ministër pa e pyetur njeri, u përgjigj: “Nëse vërtet mendoni se këtë vendim e keni marrë për të mirën time, ju lutem më shtoni dhe disa muaj bursën për të përfunduar pjesën për Shqipërinë në atlasin e gjuhëve europiane”.

Që krizat të detyrojnë pushtetet të shfaqen në anën e vet më të errët, kjo është më se normale. Por që krizat të depersonalizojnë atë që, me apo pa meritë, pretendon të quhet elitë e re, kjo është krejt e papritur. E vetmja gjë që mund të pohohet në këtë rast është se elita shqiptare vuan dhimbjet e politikës.

Në fillimet e demokracisë ndodhi për herë të parë përdorimi politik i intelektualëve. Nw dy javët e para të majit u provua se sa jemi gabuar. Rreshtimi politik tregoi dhe një herë fuqinë e vet. U pa shumë qartë se sa e mjerë është gjendja e elitës – i thënçin! Në Shqipëri, para se të pranohet prekja prej depresionit të madh ekonomik botëror, duhet të njihet ky realitet tjetër: dëshpërimi tërësor intelektual.

Po pse ndodh kjo në Shqipëri? Intelektualët shqiptarë nuk merren me politikë, por e dashurojnë atë; nuk konformohen me politikën, por e adhurojnë verbërisht atë. Ose, më saktë, nga shkrirja e kufijve midis politikës dhe intelektualëve ka dalë një biçim hibrid që nuk njihet askund: eros-politika. Intelektualit shqiptar i dridhet zëri kur flet për lidershipin, aq sa të dashurat / të dashurit e tyre me të drejtë duhet të bëhen xhelozë pwr kwtw gjendje të tillë emocionale të lartë në dashuri. Intelektuali shqiptar nuk çon trupat speciale për të mbikëqyrur një situatë, por ngjitet vetë në terracë të rezidencës qeveritare të komandojë si gjeneral. Intelektuali shqiptar nuk kënaqet të mbështesë liderin, por duhet t’ia shprehë publikisht adhurimin atij.

Nga përzierja e politikanit me artistin dhe shkrimtarin ka dalë një racë protagonistësh që të habisin më së shumti. Ata nuk e kanë haberin se politika është art i së mundshmes, që do të thotë i gjetjes së asaj pike ku konvergojnë interesat e palëve. Ata thjesht mendojnë si shefi dhe e dramatizojnë, e aktrojnë, e deklamojnë, e kthejnë në recital shprehjen e tyre publike. Ata kanë vetëm një kompleks, kompleksin e heroizmit. Ata mendojnë se rolet e tyre në filma dhe karakteret e tyre në libra janë ata vetë. Ata mendojnë se po të kenë luajtur Mine Pezën në teatër apo kinema, janë Mine Peza vetë.
Dhe kështu, të depersonalizuar gjer në inde nga politika dhe të pavetëdijshëm për kompleksin e heroizmit që kanë brenda vetes, ata janë kthyer në parodinë e kohës dhe nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse zanatin e tyre, në martesën me politikën, e kanë kthyer në një të ndërmjetme të shëmtuar: eros-politikë.

“Gaztorët e oborreve” e kanë për zakon që dashurimin e politikës ta shprehin hapur, ta manifestojnë, ta bërtasin. Ata shkojnë për humanizëm për të vizituar grevistët dhe më parë kalojnë nga stilistët dhe njoftojnë kamerat televizive, që vizita të bëhet ngjarje. Atyre nuk u intereson se si janë grevistët, a mund ta shtyjnë edhe më tej apo jo, por u intereson që lideri t’i shohë në edicionin e lajmeve në mesditë. Ata shkojnë të shprehin dashurinë për politikën.

Kur i sheh intelektualët shqiptarë aq të këndellur, të përndezur, të eksituar, të dalldisur ndaj politikës dhe të ndërsyer ndaj njëri-tjetrit, e kupton se sa e pashpresë është të mendosh një Celentano apo një Benigni shqiptar që të grushtojë politikën (“rock-politic”). Dhe e kupton më së miri se euro-politika në Shqipëri është një ëndërr e largët. Sepse ky është një vend ku edhe në një debat televiziv duhet të jenë “një imi, një yti” dhe në fund duhet të fitojë ai që kontrollon edhe drejtuesin.

Për të lexuar një kohë gjëja më e rëndësishme janë sloganet. Dhe pikërisht sloganet e kundërsloganet e kësaj kohe shprehin thelbin e gjendjes së dëshpëruar ku jemi. Eshtë fiziologjikisht e përligjur që, dy javë pas hyrjes në grevë urie, të ngujuarit të rrojnë me psikoza, të fillojnë të besojnë se janë pjesa më sublime e kombit; të këndojnë me zjarrmi vargjet e Naimit “Kur më shihni se jam tretur / mos pandehni se kam vdekur”. Sepse mjekët thonë se pas javës së parë të urisë fillojnë halucinacionet. Por më shumë halucinacione kanë heronjtë që janë jashtë, të cilët madje i zemëron qetësia e grevistëve. Ata evokojnë me shpirt madhështor një grevë që i kanë prirë, një të shtyrë në një fushatë; që lideri ta dëgjojë dhe një herë si kanë rrezikuar për të, pa e përfillur logjikën normale, e cila më përpara duhej të kujtonte se si rrojnë njerëzit duke numëruar vahtet sepse u mungon buka e gojës.

Eros-politika është stili shqiptar i të bërit politikë. Intelektuali shqiptar, jo deri në vitet 1990, kur me kushtetutë ndalohej mendimi ndryshe nenit 5, ku ideologjia komuniste shpallej ideologji e vetme; por edhe sot, dy dekada pas përmbysjes së totalitarizmit, nuk guxojnë të mendojnë ndryshe. Jo vetëm që nuk guxojnë të mendojnë ndryshe, por, edhe kur mendojnë njësoj si lideri, mendojnë me afsh, mendojnë me dashuri të verbër, mendojnë me trurin e partisë. Ata mund të pranojnë t’u ironizohet e folura, veshja, mbiemri, emri, familja, atdheu, por nuk mund të pranojnë qoftë dhe një fjalë të vetme dyshuese kundër liderit. Dhe nuk është një adhurim fetar, është një dhurim i vetvetes, është një dedikim i vetvetes.

Politika shqiptare është zhburrëruar, elita shqiptare është rifshatarizuar dhe të dyja bashkë, nën një kostum euro-kloni, kanë bërë eros-politikën. E çfarë ka ndryshuar në krahasim me dy dekada më parë, kur poeti vjershën e parë duhej t’ia kushtonte partisë; kur piktori tablonë e pare duhej t’ia kushtonte udhëheqësit; kur aktori duhej të parakalonte në rrugën e Elbasanit, para ish-ambasadës sovjetike, kryelartë?!” Kjo është Shqipëria e sotme, kur ende nuk guxohet të thuhet se njeriu është i lirë të shkojë deri tek mosbindja qytetare; dhe kjo është kushtetuese; kur ende elitat rreshtohen pro liderit njësoj si intelektualët – ndihmës të partisë në vitet 1980, që hiqnin dorë vullnetarisht nga Tirana, nga jeta qytetare, nga puna dhe paga e mirë, nga honoraret, nga pushimet verore, sepse ashtu donte i pari. Kjo është Shqipëria, e cila kurrë ndonjëherë nuk arriti të ketë një elitë të vërtetë si në vitet 1920-1930, kur shtetarët hiqnin dorë nga shpërblimi për t’ua çuar përfitimin zgjedhësve; megjithëse atëherë vendi nuk kishte as universitete, as akademi, dhe as institucione arti.
Eros-politika është dëshpërimi i Shqipërisë së sotme.