Burrështetësi

0
57

Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka, 21.05.2010

Ndjen trishtim dhe pezmatim që përsëri presim nga të huajt “litarin” për dalë nga honi i kaosit dhe absurdit ku kemi rënë duke shtyrë njëri-tjetrin. Pas dy dekadash demokraci, prioritetet e shoqërisë duhet të ishin krejt të tjera. Eshtë zhgënjyese dhe e sikletshme që Perëndimi ende “ul” standardet për ne. Për ironi të fatit jemi shumë pranë tyre për të na bojkotuar pafund.

Ndërsa është e pritshme dhe normale që vendi të jetë gjithnjë e më i përfshirë në filtrat demokratikë të Klubit të Perëndimit ku aspirojmë, është dëshpëruese që vazhdimisht të drejtohet gishti ndaj nesh dhe indirekt diskretitohen kapacitetet tona për të ndërtuar një demokraci funksionale.

Ndër syresh që mbajnë peng emancipimin demokratik është mentaliteti i klasës politike për të cilën politika mbetet “luftë” dhe toleranca dhe tërheqja është turp dhe dështim.

Burrështetësia shpesh për ta është mision i pamundur, ndërkohë që me burrëpushtetësinë ata janë komod. Kjo jo vetëm pranohet shpesh si normale nga një pjesë e shoqërisë, por jo rrallë edhe përshëndetet prej saj në emër të “liderit” të fortë, me të cilën ata identifikojnë dhe përjetojnë vetveten ideale.

Ky rreth vicioz, rrjedhojë, por dhe faktor impakti në tranzicionin shqiptar, stonon në raport me Perëndimin ku aspirojmë duke na bërë jo rrallë jo vetëm të brishtë, por me “bisht” në sytë e tyre.

Burrështetësia kërkohet dhe merr vlerë në situata kur në balancë është ekonomia, integrimi evropian, por dhe imazhi vendit dhe ajo duhet të demonstrohet nga të tërë aktorët politikë, por në radhë të parë nga shumica, e cila ka parzmoren e pushtetit veshur.

Opozita dhe lideri saj e dëshmoi atë kur pas ngjarjes së Gërdecit, për hir të integrimit të vendit në NATO, (meritën për të cilën sot pushteti përpiqet ta monopolizojë), ofroi dorën e bashkëpunimit dhe nuk ndezi motorët e protestës, – akt për të cilën ajo u vlerësua dhe prej partnerëve tanë strategjikë.

Ndërsa vendi fitoi nga ky akt, vetë opozita konsolidoi asetin e saj politik duke krijuar një precedent dhe standard që është në pritje të konfirmimit nga pala përballë.

Në hierarkinë e dinjitetit, ai i mbarë vendit qëndron më lart se të tjerët. Burrështetësia edhe në tërheqje jep dinjitet, aset për të ardhmen dhe lë hapur derën për rikthim.

URTËSI PRESIDENCIALE

Në emër të dinjitetit të vendit dhe konfirmimit të kapaciteteve tona përkundrejt sensibilitetit të miqve tanë ndërkombëtare, vetë Presidenti duhet të bënte gjithçka duke ushtruar ndikimin e tij formal dhe informal ndaj politikës.

Ai duhet të inicionte tryezën e rrumbullakët për të testuar dhe kapitalizuar mbi vullnetin politik dhe përgjegjshmërinë e politikës duke injoruar ndrojën se ata mund të mos përgjigjen apo marrin seriozisht atë – sepse nëse ndodh, nuk ul dinjitetin e tryezës presidenciale, por ekspozon dhe eliminon alibi pafund prej aktorësh që ndryshe do të mbanin peng më tej procesin.

Edhe nëse dështon një seancë, edhe nëse interpretohet si rënie imazhi presidencial një thirrje apriori palëve për ulje në tryezë, më mirë të rrezikohet ai sesa përmes heshtjes apo pritshmërisë olimpike, të mos i jepet një shans imazhit të vendit.

Ndërkohë që nuk “bie”, por konsolidohet imazhi i disa dhjetëra politikanëve, delegacioneve dhe ambasadorëve të respektuar të vendeve dhe organizmave më të fuqishme në botë në përpjekjet e tyre të pareshtura publike për të ulur në tryeza deri tani jo efikase politikanët shqiptarë, ai presidencial nuk kishte dhe nuk ka përse të jetë më “delikat” ndaj duhet të ofronte një tryezë aktive jo thjesht në rolin e protokolluesit, por të prezantimit të drafteve konverguese dhe menaxhuesit me urtësi të kompromisit.

Përballë 19 ditësh grevë urie, pikës 0 në raportin pozitë-opozitë dhe një shoqërie që po ndahet më dysh për parime universale në të gjitha nivelet e saj deri në elitën intelektuale, si uniteti i kombit, Ai duhet të bënte së pari dhe së paku një vizitë humane vetëm 200 metra larg tek shtetasit e tij që nuk e kishin komoditetin e kohës dhe po përjetonin ferrin e grevës së urisë në emër të një kauze që përfshin dhe atë vetë.

NDJESHMËRI DEMOKRATIKE

Në një shtet që aspiron demokracinë perëndimore, greva e urisë ka vlerë simbolike për të treguar seriozitetin e kauzës dhe përkushtimin ndaj saj dhe nuk presupozon martirë të lirisë por bën apel për burrështetësi dhe shpejt.

Për perëndimin ndoshta ajo konsiderohet e tejkaluar, sepse shteti ligjor përmes administratës korrekte dhe sistemit gjyqësor profesional dhe të pavarur mbyll shtigjet e abuzivizmit dhe standardet e politikës janë të konsoliduar.

Në këtë dyzim, pushteti nuk duhet të “kuronte” opinionin rreth kësaj greve duke u ndalur në teknikalitete, por duhet ta merrte seriozisht qysh në ditën e parë kauzën tej partiake të saj.

Ndërsa rëndom është kritikuar ekstremiteti i saj, anashkalohet analiza shkak-pasojë, nëse ekstremiteti i grevës ekstremizoi situatën apo ajo po degjeneronte si e tillë gjithsesi dhe kjo grevë thjesht ishte pasqyra e saj.

Meraku se greva po rikonfirmonte një precedent ekstrem për të ardhmen u sfumua pas 19 ditëve me precedentin e reagimit ekstrem ndaj saj – injorim, denigrim, testim të kapacitetit biologjik dhe mbijetesës etj., veprime jo të pritshme për një shoqëri me kurs perëndimor, e cila nëse nuk e stimulon një gjë të tillë, e menaxhon me urgjencë nëse ndodh.

Nëse Kushtetuta, sipas pushtetit, nuk mundësonte materializimin e kauzës së grevës, pengesa ishte kjo dhe jo transparenca e vuajtjeve të grevistëve, ndaj në vend të porcionit ditor të sarkazmës mediatike, do të ishte më dinjitoze të vizitoheshin këta grevistë kolegë dhe bashkëkombës dhe të shiheshin sy më sy. Nëse është i pandjeshëm, grevën e urisë dhe sakrificën e saj, asnjë pushtet nuk e meriton.

Ajo nuk mund të ishte pengesë drejt integrimit europian, sepse nuk ka ngjashmëri me Gërdecin, krizën e 1997, vrasjen e deputetëve, sulmin ndaj institucioneve, piramidat financiare etj përkundrazi, me kauzën e saj na afirmoi më tej si komb demokratik me vlera për mozaikun e civilizimit europian, dyert e të cilit do të na hapen edhe pa trokitur.

ZGJEDHJET, ZGJIDHJE!

Kriza veçse rëndohet nëse injorohet pambarimisht. Testimi deri në ezaurim i kurajës e shëndetit të grevistëve pasuar dhe me ngritjen e tendave prej andej, veçse e bëjnë hendekun më të thelle.

Nëse kauza e grevës së urisë injorohet, opozita do të ketë tërë argumentin për të bojkotuar në pafundësi parlamentin, zgjedhjet lokale e gjeneruar krizë “perpetum” afatgjatë. Nëse kutitë e votimeve, duhet të anashkalohen, anashkalohen vetëm përmes rimbushjes së tyre – d.m.th., zgjedhjeve të reja.

Duke marrë bashkëpërgjegjësinë e abuzimit zgjedhor të këtyre 20 vjet tranzicion, tashmë si vend i NATO, politika ka shansin e një detante për të filluar nga e para, me rregulla të qarta loje dhe monitorim objektiv të realizimit të tyre prej kujtdo.

Duke shpallur zgjedhje të reja, shumica mund t’i japë një shans vetes të argumentojë përsëri organizimin e tyre, sepse në parim nuk mund të paragjykohet një pushtet që hedh dorashkën e sfidës për zgjedhje të reja, ndërkohë që rruga më e mirë mbetet e një koalicioni të madh ku do të amortizoheshin një seri shqetësimesh eventuale.

Për një kauzë të përbashkët dhe një të ardhme po të tillë, është koha për qenë bashkë, për t’i shtrirë dorën njëri-tjetrit dhe për t’i treguar botës mbarë që problemet tona i zgjidhim vetë.