Vlerat evropiane të betejës së opozitës

0
48

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Opozita shqiptare arriti të gjunjëzojë kryeministrin Berisha pas një beteje 19 ditore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Si asnjë herë më parë në politikën shqiptare, bilanci i një proteste maratonë ka ndryshuar tërësisht për tri javë qasjen e kryeministrit arrogant ndaj krizës dhe e ka detyruar atë të pranojë ndërmjetës ndërkombëtarë për krizën, sikur vendi të ishte në gjendje lufte. Kjo është hera e dytë pas ndërhyrjes ndërkombëtare në vitin 1997, kur zoti Berisha ka nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare për të zgjidhur krizat politike që prodhon me kundërshtarët e vet.

Pavarësisht çfarë do dalë nga Marrëveshja e Strasburgut, protesta e opozitës ka arritur suksesin më të madh të mundshëm të saj, pasi ka bërë aleatë në çështjen e opozitës shqiptare personalitet më të larta të Bashkimit Evropian. Ajo arriti ta ngrejë debatin mbi transparencën e zgjedhjeve shqiptare, nga një debat i brendshëm në Partinë Socialiste dhe nga një debat cinik në politikën shqiptare, në një debat serioz të krerëve më të lartë politikë dhe ekzekutivë të Bashkimit Evropian. Një sukses tjetër i rëndësishëm i betejës së opozitës është deinkurajimi i frymës antiopozitare në vend.

Për gati një vit kjo betejë provokoi gjithë sëmundjet e fshehura të shoqërisë shqiptare që mbarteshin nga viruset e kohës së komunizmit. Për një vit rresht ne pamë se si kryeministrit Berisha iu ringjallën instinktet e Sekretarit të Partisë Komuniste duke udhëhequr, që nga antimitingjet dhe rreshtimet e intelektualëve mediokër, deri te zëvendësimi i informacionit me propagandë në mediat e kontrolluara prej tij. Për një vit resht ai ka një bilanc të hidhur të përpjekjeve të tij për të izoluar betejën e opozitës dhe për ta denigruar atë.

Ai udhëhoqi fushata ta pashembullta shpifjesh dhe fyerjesh personale ndaj gjithë faktorëve opozitarë në vend, udhëhoqi një luftë klasore ndaj medias kritike me të dhe bizneseve të atyre që i konsideron kundërshtarë politikë dhe në fund degradoi në një dordolec që kërkonte të trembte opozitën me antimitingje dhe lista mediokrish të mbetur nga koha e realizmit socialist. Për një vit ai përdori gjithë njerëzit e privuar nga liria personale në këtë vend, në shërbim të kauzës së tij për reduktimin e lirive politike dhe ekonomike në vend. Por më në fund dështoi.

Opozita arriti t’i vjetërojë gjithë përpjekjet e tij, të cilat pas betejës ngjajnë edhe më qesharake. Së fundmi, opozita arriti ta kthejë betejën e saj në një betejë për vlerat evropiane të Shqipërisë. Daullet e Sali Berishës, se protestat e opozitës duan të izolojnë Shqipërinë nga Evropa, tani duken qesharake. Beteja e opozitës ringjalli vlerat perëndimore në Shqipëri dhe e bëri çështjen e opozitës çështje të Bashkimit Evropian. Deklarata e djeshme e kryetarëve të grupeve parlamentare evropiane, qartësonte se integrimi i Shqipërisë rrezikonte të bllokohej nëse nuk zgjidhej kriza.

Kjo deklaratë është një kambanë alarmi për ata që nuk njohin krizën në këtë vend dhe që duan ta mbajnë atë fshehur nga Evropa. Kjo është një kambanë alarmi për sjelljen politike të Sali Berishës, i cili ka një vit që përpiqet ta injorojë këtë krizë, e cila realisht bllokon demokracinë shqiptare. Gjunjëzimi i Sali Berishës para presionit evropian dhe ulja e tij në tryezë për të zgjidhur krizën me opozitën, është pasaporta e parë evropiane që opozita po u jep shqiptarëve, para proceseve normale teknike dhe politike të liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në Evropë.

Me këtë betejë, opozita ka qartësuar gjithë pikëpyetjet perëndimore për Shqipërinë, duke detyruar qeverinë shqiptare të riplotësojë gati gjysmën e pyetësorit të gënjeshtërt që dorëzoi disa javë më parë në Bruksel. Nuk është e sigurt nëse Berisha do të ulet sot në Strasburg i dorëzuar para krizës, apo i vendosur për të na çuar në krizë të re, por e sigurt është se opozita shqiptare e ka çuar betejën e saj nga Ruzhdia në Strasburg.