Çfarë ndodh në fshatrat shqiptare në kulmin e sezonit të mbjelljeve. Kostot për hektarë dhe rikthimi tek qetë, kuajt dhe gomerët për të punuar arat. Bujqësia që jep deri në 20% GDP-së, merr vetëm 1% nga buxheti i shtetit.
Nga Sebi Alla, 11 Maj 2012
Ec Kuqo të faltë Zoti… Trupmadhi kuqo vazhdon të ecë, sipas komandës së të zotit, ndërsa djersa ia ka zbutur qimen deri poshtë barkut. Ecën e çan arën duke mbuluar me plisa barin e çartur në tokën djerrë. Është i vetëm dhe pas më shumë se një ore plugim, kali nis të lëshojë edhe shkumë nga goja dhe sikur të mos i mjaftonte vetëm lodhja, një fre e shkund majtas-djathtas. Është maji i vitit 2012. Jemi në fshatin Mushqeta, afërsisht 16 kilometra larg Tiranës. Pak më tutje arës që po punohet, fadromat po hapin autostradën e re Tiranë-Elbasan.
Duket sikur janë dy botë të ndryshme që i ndan vetëm një pirg me ferra të njoma, shkoza dhe shqopë. Kamxhiku bie në kurrizin e kalit dhe këtu i zoti duket sikur do t’ia justifikojë trastën me tagji të varur në një dru të thatë. Kali i mirë vërtet e shton tagjinë e tij, por në këtë rast po zëvendëson traktorin që rri në oborret e shtëpive të fshatarëve. Ai ka nevojë për karburantin e shtrenjtë, ndaj fshatarët në pamundësi ekonomike i janë kthyer bujqësisë me kuaj, e madje edhe gomerë. Nëse kali i kuq e ka një huq, këtë herë nuk është ky rasti, sepse huqet fshihen gjetiu.
Kostoja e punimit, frezimit, farës, plehrave kimikë dhe herbicideve, kap një total që është i lartë, madje i papërballueshëm. Dhe kjo bujqësi që i ofron vendit 18-20 për qind të produktit të përgjithshëm kombëtar, merr vetëm 1 për qind të buxhetit të shtetit. Përfundimi është që tezgat e perimeve, frutave dhe agrumeve qëndrojnë të mbushura me mallra bujqësore të importuara, ndërsa tregu vendas zë vetëm pak muaj; nëse moti është treguar bujar dhe fshatari ka pasur ende kurajon për të punuar. Fundja kali sado i fuqishëm të jetë, nuk e zëvendëson dot mekanikën bujqësore e cila ka mbetur e bllokuar në oborret e fshatarëve në mbarë vendin.
Punimi dhe mbjellja
Është fillimi i majit dhe tani është koha që toka të punohet, hidhet fara dhe me shpresë deri nga gushti dhe shtatori, të merren frytet e punës së bërë, djersës së hedhur. Por më shumë se djersa e kalit, qeve apo edhe gomerëve, nevojiten shpenzime për të punuar arën me mekanikë bujqësore. Zetorat janë të shumtë në çdo fshat fushor dhe kodrinor. Të llojeve të ndryshme, me shumë aksesorë të nevojshëm. Ndërsa fshatarët duket se nuk po e përballojnë koston e shërbimit fillestar të mbjelljes, që është edhe shpenzimi më i madh në total.
Për të pluguar një hektar tokë nevojiten 20 mijë lekë të reja. Ky është vetëm shpenzimi i parë, pasi vetëm pas një muaji, kur toka është e punuar, nevojitet frezimi që shkon 15 mijë lekë të reja. Atëherë fermeri do e ketë kryer gjysmën e punës, pasi ka të tjera shpenzime, që për fshatarin me pak tokë arë, quhen jo vetëm angari por hedhje leku si në bast, ende pa marrë asgjë.
Për të arritur deri në produktin final duhen krahë të forta pune dhe shpenzime të tjera për shkak të sëmundjeve të bimëve. Këta njerëz quhen fermerë, paçka se janë disa fshatarë që punojnë ato ngastra are me shumë mundim dhe sikurse shprehen vazhdimisht: “bujqësi, baraz me shtëpi pa çati”. Dhe në këtë rast më shumë se tekat e motit, “çatia” për fermerët është shteti. Këtu nis edhe problemi i parë që ky vit nuk ka filluar aspak mbarë. Shumica e tokave janë lënë djerrë për shkak të rritjes së çmimit të plugimit dhe frezimit të arave. Çmimi momentalisht për naftën arrin në minimumi 187 lekë litri.
Dhe serbatorët e mëdhenj të zetorëve shpenzojnë shumë, ndaj është e kuptueshme se për një dynym arë të kërkohet 2 mijë lekë të reja. Por nëse e ndan mendjen dhe arës i vë plugun, vjen edhe koha e blerjes së farave. Një kilogram misër shkon në 500 lekë të reja. Ndërsa për të plotësuar një hektar me farë nevojiten plot 25 mijë lekë të reja. Ky çmim thuajse ka mbetur i pandryshuar edhe nga viti i kaluar. Mbjellja e misrit është më e përhapur për momentin pasi është periudha kur kryhet gjysma e punës. Është produkti bujqësor më i mbjellë, sepse përdoret kryesisht për bazën ushqimore të bagëtive, por në zona të thella malore edhe për bukën e përditshme të fshatarëve.
Imputet dhe vaditja
Të gjitha imputet bujqësore janë rritur, duke nisur nga farërat deri tek plehrat kimike dhe pesticidet që shërbejnë për mbrojtjen e bimëve. Nuk ka më ure dhe nitrat të dikurshëm që prodhohej në vend dhe hidhej pa masë në tokat e mbarë Shqipërisë, fermë apo kooperativë të ishte. As superfosfati që prodhohej në uzinën e Laçit nuk gjendet më. Kohët kanë ndryshuar dhe gjithçka vjen si mall importi. Një kuintal ure dhe nitrat shkon në 6 mijë lekë të reja. Gjithashtu edhe imputet e tjera bujqësore zenë vend gjithnjë e më shumë në grafikun e rritjes së çmimeve.
“Plehrat dhe helmet për mbrojtjen e bimëve janë shumë të shtrenjta, por kemi vënë re edhe se nuk janë cilësorë. Këtë e konstatojmë kryesisht në helmet të cilat nuk e japin efektin e tyre”, pohon Ibrahim Gjata. Sipas tij, vitin e kaluar katër herë spërkati me pesticide hardhitë dhe përsëri një pjesë e prodhimit u përfshi nga sëmundjet. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, vetëm 30 për qind e fermerëve dalin në treg me prodhimet e tyre bujqësore.
Nga kjo për qindje afërsisht 15 për qind dalin në treg me sasi të vogël malli, kryesisht gjatë sezonit të verës dhe fillimit të vjeshtës. Më pas gjithçka mbetet për të mbajtur veten me ato pak të ardhura që vijnë nga bagëtitë. Gjelbërimi i pafund në ara shihet vetëm në periudhën e pranverës, më pas vapa dhe mungesa e ujit shuan gjithçka bashkë me të mbjellat dhe pikërisht në këtë kohë bujku nis të djersijë fort, jo vetëm nga vapa, por edhe sikleti nga pamundësia për të çua ujin vaditës në bimën që po thahet. Deri para gjashtë vitesh kanalet vaditëse merreshin përsipër që të pastroheshin dhe mirëmbaheshin nga grupime të ndryshme shoqatash që thithnin fonde si nga qeveria, ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtarë.
Tashmë gjithçka ka mbetur pa investime konkrete. Kanalet vaditës kanë kaluar nën administrimin e pushtetit lokal, të komunave. Ndërsa basenet dhe ujëmbledhësit në vendburime, janë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë. Kanalet vaditëse në afërsisht 70 për qind të territorit nuk funksionojnë. Në zona që bujqësia është e zhvilluar banorët vetëorganizohen në mënyrë fshatçe dhe hartojnë kalendarë për të siguruar vaditjen, duke pastruar dhe mirëmbajtur kanalet dytësore dhe tretësore. Në shumë fshatra rezervuarëve u ka dalë pronari i vjetër i tokës dhe nuk lejojnë të lëshojnë ujin nëse nuk paguajnë. Kjo ka nxitur shumë konflikte pasi nga një anë shteti pretendon se është ai pronar i rezervuarëve dhe baseneve të ndryshme dhe në tjetrën individët bëjnë ligjin.
Thajnë për pikën e ujit qindra hektarë tokë bujqësore dhe nuk mbajnë përgjegjësi ligjore. Ky konflikt kërkon edhe zgjidhjen e menjëhershme, pasi është propozuar që familjet apo individët që disponojnë pronat që janë kthyer në rezervuare të kompensohen në vlera monetare. Por edhe këtu nuk ka pasur kompensime konkrete. Pikërisht mungesa e ujit vaditës ka nxitur edhe përhapjen e dukurisë tjetër: Atë të kamionëve që vendosin depozita me bote të mëdha dhe i përdorin për vaditje. Madje nuk kanë munguar edhe autobotet e ndërrmarrjeve të ujësjellësve në rrethe që në mënyrë private përdorin mjetet e shtetit për të shitur ujin për vaditjen e arave të fermerëve.
Politikat në letra
Nëse do të shihen projektet dhe planet e Ministrisë së Bujqësisë, ato që në fillim të ngjallin një “bindje” se bujqësia jonë shkon mbarë e më mbarë. “Strategjia Sektoriale e Bujqësisë dhe Ushqimit është pjesë e Planit Kombëtar për zhvillimin Bujqësor dhe Rural, së bashku me Strategjinë Ndërsektoriale të Zhvillimit Rural. Ajo ka për qëllim të vendosë lidhjen midis objektivave strategjikë, me një perspektivë shtatë vjeçare, si dhe programeve të shpenzimeve të hartuara nga specialistët”. Kështu thuhet në një program të ministrisë.
Në këtë formë duket se plani 7-vjeçar do sjellë begatinë… Mirëpo ky plan tashmë duket i përfunduar, pasi deri në vitin 2013 e kishte afatin e tij. Vështirë të thuhet se janë zbatuar projektet dhe planet në letër, pasi bujqësia nuk po merr atë çfarë ajo jep. Në fshat aktualisht banon rreth 51 për qind e popullsisë. Që të gjithë konsiderohen të vetëpunësuar. Nga kjo bujqësi, qoftë edhe me shumë probleme, vendi merr afërsisht 18-20 për qind të prodhimit të brendshëm kombëtar. Mirëpo ajo merr në formë të drejtpërdrejtë investim vetëm 1 për qind të buxhetit vjetor të shtetit.
Në vendet e rajonit, për bujqësinë investohet deri në 6-7 për qind të buxhetit vjetor shtetëror, ndërsa vendet e BE-së e kanë prioritet parësor ku arrin deri në 35 për qind investim. Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Bujqësisë shprehen se investim konsiderohet edhe infrastruktura rrugore. Ky është vërtet një element i rëndësishëm, por gjithsesi ka plot fshatra të shtruara me asfalt, por tokat mbeten djerr pikërisht për shkak të rritjes së kostos për të gjitha shërbimet në bujqësi, por edhe të mungesës së krahëve të punës. Gjithashtu në kohën kur prodhimet vendase dalin në treg, mungon një politikë stimuluese fiskale përballë mallrave të importit. Ndodh njëkohësisht që rrushi që “prodhohet në vend” të vijë lirisht edhe nga Maqedonia.
Gjithashtu i njëjti problem është hasur edhe me qepën dhe pataten. Shembulli i gjallë sesi fshatarët hedhin produktet e tyre ishte ai i patates dhe qepës në zonën e Korçës. Mungesa e tregut i detyroi që të zbrazin hangarët dhe t’i derdhin në lumë, pasi era e kalbësirave mori dhënë në shumë fshatra. Si tokë bujqësore në të gjithë Shqipërinë është rreth 500 mijë hektarë, që u mban gjallë frymën afërsisht dy milionë banorëve të fshatrave. Me rritjen e çmimit të naftës dhe të imputeve të tjera bujqësore duket se është “qari” i bagëtive që kanë plot livadhe për të kullotur.
Revista KLAN








Rralle informacioni i vertete gjen mundesi te paraqitet ne faqet e shtypit.Kjo eshte nje gje e bukur!
Qe ne shekullin e XVIII,François Quesnay,duke paraqitur ne Tableau èconomique konceptet ne lidhje me Shkencen ekonomike thote: “Pasuria nuk vjen nga floriri,por nga toka;prodhimi bujqesor duhet, pra,te zhvillohet.
Industria nuk i shton te mirat,vetem i trasformon;pra eshte shterpe,ashtu si tregetia.”
Nje artikull interesant qe duhet vleresuar.
Comments are closed.