Nga Mark Mardell, 11 Maj 2012
BBC
Një oficer i lartë ushtarak amerikan ka dënuar një kurs me mësime rreth Islamit në një nga shkollat kryesore ushtarake në SHBA si “totalisht të dënueshëm”.
Nuk është e habitshme. Historia, e publikuar fillimisht nga Wired, është befasuese, dhe kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjenerali Martin Dempsey duhet të jetë vërtet i tërbuar.
Kursi u mësonte oficerëve se nuk ekziston një gjë e tillë si ‘Islami i moderuar’ dhe se ata duhet ta konsiderojnë fenë si armikun e tyre.
Në kurs mësohej për ‘luftën totale’ kundër të gjithë myslimanëve në botë, përfshi edhe sulmet e mundshme bërthamore mbi qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës dhe zhdukjen e popullsisë civile.
Pentagoni ka konfirmuar se materialet e kursit, të gjetur në faqen e tyre në internet, janë autentike.
“Diçka e çuditshme”
Me aq sa mund të shoh unë, kjo nuk ishte diçka e qëllimshme në ndonjë kuptim përveçse një ushtrim i sëmurë akademik që synon të shtrijë kufijtë e asaj që mund të mendohet. Kjo është ajo që beson në fakt oficeri që jep mësim.
Me fjalë të tjera: një budallallëk që do të tërbojë ekstremet në blogosferë.
Prandaj nuk është çudi që gjenerali Dempsey ka urdhëruar një hetim në lidhje me atë që shkollat ushtarake amerikane mësojnë në lidhje me fenë.
Kursi vullnetar për oficerët e lartë bëhej në Joint Forces Staff College në Norfolk, Virxhinia, për një vit.
Gjeneral Dempsey e përshkruan kursin si “në kundërshtim me vlerat tona të vlerësimit për liritë fetare dhe vetëdijen kulturore” dhe “vetëm si të dënueshëm dhe të papërgjegjshëm akademikisht”.
Skandali u bë publik kur një prej oficerëve të kursit u ankua muajin e shkuar. Tani ka nisur një hetim se si ishte miratuar një kurs i tillë dhe pse ishte pjesë e kurrikulumit.
Një kolonel është pezulluar nga mësimdhënia, por për momentin e mban gradën. Pentagoni shpreson se një raport i plotë do jetë gati në fund të muajit.
Ajo që duket më e çuditshme është se të gjithë këta komandantë, kapitenë dhe kolonelë kanë marrë pjesë në këtë kurs dhe nuk kanë ndjerë nevojën për t’i treguar dikujt se aty po ndodhnin gjëra të çuditshme.







