TemA, 30 Maj 2013
Mbërritjen në Shkodër, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka paralajmëruar me një mesazh, ku shprehej se edhe ky qark do i japë shuplakën pushtetit të Sali Berishës.
Fillimisht Rama u ndal në Bushat. “Mes shiut e njerëzve në Bushat, ku dikur nuk guxonte kush të thoshte jam socialist, ndjehet era e ndryshimit dhe dëshira e madhe për Rilindje,” shkruan Rama në Twitter.
Ndërkohë përpara banorëve, Rama tha se ata po i jap një mesazh Berishës dhe Topallit se hegjemonia e tyre ka marrë fund.
“Ju falënderoj që keni ardhur këtu me gjithë shiun dhe me gjithë vështirësitë që kanë edhe rrugët këtu. Ju falënderoj që kjo zonë ku, jo rastësisht dhe jo pa qëllim, ne e kemi ngritur këtë tribunë edhe pse është vetëm një fshat, ju po i jepni një mesazh shumë të qartë Saliut, Jozefinës dhe gjithë partisë familjare siç është katandisur sot Partia Demokratike se;
Në këto territore që deri dje kanë qenë besnikërisht me PD, hegjemonia e tyre ka marrë fund dhe pushteti i tyre do të marrë votën e ndëshkimit për një rrënim të vazhdueshëm, që nuk mund të vazhdojë më. Sepse shqiptarët nuk mundet më të mbajnë në kurriz një pushtet i cili flet gjithë ditën për ta dhe punon gjithë ditën për vete. Një pushtet i cili premton dhe gënjen, premton dhe zhgënjen, premton dhe harron,” tha Rama.
Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama theksoi se PS-ja ka në programin e saj mirëqenien e qytetarëve dhe dhënien e certifikatës së tokës.
Rama premtoi se brenda 300 ditëve të para të qeverisjes do rivendoset ligji dhe policia e shtetit do t’i kthehet qytetarëve për t`i shërbyer dhe për t`i mbrojtur ata.
“Ne sot nuk jemi këtu për t’ju treguar përralla. Përralla tregon gjithë ditën gjyshi me antiplumb. Ne jemi këtu për t’ju thënë disa të vërteta të thjeshta; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan rilindësit tanë; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata që ndërtuan shtetin shqiptar; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan edhe ata që u përndoqën, u burgosën, u pushkatuan për votën e lirë, për fjalën e lirë, për sipërmarrjen e lirë, për një atdhe të lirë; Shqipëria mund të bëhet. Ne do ta bëjmë Shqipërinë”, tha Rama./ep