Edhe njëherë për vëllavrasësit (anonimë) të vetidentifikuar

0
56

Kiço Blushi

Nga: Kiço Blushi

Herën e kaluar mora shkas të hulumtoj për një vëllavrasës konkret, – i cili tash ndodhet në burg, me siguri i penduar – që çoi në botën tjetër vëllanë për “dy rrënjë domate”…Ky fatzi e lumëzi që u bë kriminel nga gjaknxehtësia apo qoftë edhe nga babëzia e nakatosur me padituri, më shërbeu për të dëshmuar se sa kobsjellëse është vëllavrasja që kryhet ndër ne, herë me armë, por më së shumti me fjalë e me vepra dëmsjellëse jo vetëm për vete, por edhe për shoqërinë; herë instiktivisht, po më së shumti me vetëdije; herë hapur, por më dendur në errësirë, në anonimitet, në tufë e në turmë, d.m.th, në pusi e pas gardhi, si e kemi pasur për adet jetemot!

Ndoshta e kam gabim, por gjithnjë e më tepër më ngjan se kjo është një ukube e vjetër, e trashëguar që gjallon, gjakon e gëlon edhe sot e kësaj dite mes nesh. Nuk mund të mohohet që llapaqenëria politike sot mëkon dhe mban gjallë luftën e klasave, në vend që të shuhej në demokraci, si patëm shpresuar. Lufta e klasave ka marrë përmasa të reja, ndoshta edhe më të frikshme, për shkak të keqpërdorimit që u bëjnë krerët partiakë “intelektualëve” tanë sa të shquar, aq edhe të panjohur…

Kështu, vëllavrasja me llapaqenëri çuditërisht sot ka marrë një lulëzim të paparë, jo vetëm në sajë të pluralizmit, tranzicionit të paanë e të pafund, teknologjisë televizive dhe internetit, shitblerjeve, por veçanërisht falë abuzimit tonë instiktiv me atë lloj lirie që dreqi e di përse paska aq shumë qejf të vrasë lirinë e tjetrit për hiçmosgjë: për dy rrënjë domate, për militantizëm, për një qejfmbetje, për partitokraci, d.m.th, “për inat të sime vjehrre”…

Liria për të shpifur e për të sharë cilindo që nuk është “me ne”, është gracka ku demokracia është kapur si laraska! Për këtë arsye vëllavrasësit mediatikë bëhen kollaj VIP-at tanë, edhe pse abetaren e urrejtjes së ndërsjellë nuk e heqin nga dora e nga goja! Kësisoj, armiku i kryetarit të partisë “time” detyrimisht do të quhet hasëm, edhe kur ky i fundit bën mirë, edhe pse është një vëlla shqiptar, edhe pse kur nuk të ka bërë keq, edhe pse nuk e njeh, edhe kur ndikon në të mirën tënde e të shoqërisë…

* * *

Në ndryshim nga vëllavrasësi dibran, të cilin sinqerisht e quaj fatkob, shumica tjetër e vëllavrasësve tanë të djeshëm e të sotëm të shpresës, në vend të armës, të thikës, të drurit apo të gurit pas koke kundër “armikut të kllasës”, kundër hasmit të partisë, e sidomos kundër Udhëheqësit legjendar e të pagabueshëm, janë “oralë”, janë mediatikë, propagandistikë, partiakë të paskrupullt, folklorikë të majekrahit, janë tekefundit ca hyrjabyrja e ca bjeritibiem të kohës moderne dhe të shoqërisë medemek demokratike!…Për këtë arsye ia vlen, besoj, të hulumtojmë mbi këtë xhins, në genin e këtij sojsorrollopi, pasi këta tipa tash janë bërë të kudondodhshëm, për më tepër edhe të keqpërdorur nga krerët partiakë si gjyle dhe si mish për top.

Këta “mediatikë” zakonisht preferojnë të gjuajnë në errësirë për të provuar që janë militantë fanatikë, nj’ashjtu si vepruan më 14 shtator…Sa herë ka kriza, çmimi dhe vlera e tyre rritet! Si armë shfarosëse këta vëllavrasës trushkulur përdorin fjalën, spiunllëkun, shpifjen, akuzën, mallkimin, përbaltjen, nëmosjen, nxirosjen…Përherë ama, pasi hedhin gurin, fshehin dorën. Janë ata që dje ishin enveristë të thekur, sot antienveristë të tërbuar; ata që dje këndonin “Enver Hoxha tungjatjeta”, sot thurin himne e lavde socrealiste për Sali Bollëkun; këta janë të gatshëm të hedhin baltë edhe mbi Skënderbeun, ngaqë pandehin se kësisoj idhulli i tyre do të ngrihet lart e më lart.

Por nesër, kur të mos jetë Udhëheqësi, ata me siguri do të bëhen njësoj anti, ashtu si enveristët brenda natës, pasi u rrëzua monumenti, u transformuan në antienveristë! Sepse nuk kanë bindje të mëvetshme, nuk kanë shtyllë kurrizore, nuk kanë emër, nuk kanë dinjitet; ata ushqehen me kashtën e me bykun e propagandës së ditës të partisë, njëlloj si buajt e kuajt e karrocës…Asnjë diktator nuk do të mbinte dot në këtë tokë pa ndihmën e dhe pa shaluar mbi kurrizin e këtyre vëllavrasësve të shpresës e të prosperitetit kombëtar!

Njëlloj si fuksat që përdorte dje Sigurimi dhe më pas SHIK-u për të spiunuar vëllai vëllanë, gruaja burrin, fqinji fqinjin, të tillët edhe sot kërkojnë të mbeten anonimë, në hije; kurrë nuk e tregojnë fytyrën, as emrin, as origjinën, as identitetin, pasi nuk i kanë, por dhe pse kanë frikë t’i kenë këto virtyte, ngaqë kanë lindur e do të vdesin si skllevër “të lirë”…Prandaj futen e fshihen nëpër gjirize, nëpër mitingje, në turmë, duke u transformuar në numra, në kamikazë, në altoparlantë, në pseudonime…Të tjerë “lundrojnë” me shpifsharje të ndyra nëpër faqet e internetit…

Madje ka nga ata që dalin e broçkullijnë me zë nëpër televizione, por gjithsesi duke mbetur përherë ca palo anonimë “të lumtur”, ca mjeranë shpifnjakë e shtinjakë, të cilët, sipas traditës, pasi e vrasin “armikun” pas shpine me telefon e me mikrofon, përherë ikin në drejtim të paditur…

Janë këta që besojnë se kësisoj do të imponojnë “sondazhet” dhe opinionet e rrema; këta justifikojnë vjedhjen e votave, këta u japin oksigjen autokratëve të dehur me vetveten; madje me këta mercenarë kryhen operacionet e manipulimit e të “lumturisë”…Me urlat e me duartrokitjet e tyre pa tru e pa bindje krijohet përshtypja e shumicave fiktive, e asaj “elite intelektuale” që është “me ne”…

Në fund të fundit këta u japin të drejtë diktatorëve të flasin dhe më pas të ekzekutojnë kundërshtarët e tyre “në emër të popullit”! I keni parë kronikat e gjyqeve të “armiqve të popullit” pas çlirimit kur salla thërriste në korr e me histeri: “Me varje, me varje!”? Janë të njëjtët! Janë të njëjtët, besomëni! Vetëm se gjuha ndryshon. Në vend të kërkesës së “popullit” për varje në litar, sot përdoret përjashtimi, diskreditimi mediatik, shpallja armik i përbetuar, njollosja publike, mbetja pa punë, skualifikimi dhe denatyrimi…

E pra, a mund të gjendet sot një person që të jetë pa njolla e pa përbaltje në fytyrë, pa përjashtuar këtu edhe heroin kombëtar, Skënderbeun? Hyni në internet, në BallkanWeb, shihni autorët që guxojnë të shkruajnë kundër partisë në pushtet (kupto: kundër Berishës) që të zbuloni se çfarë sojsëzësh anonimë janë këta faqezinj, këta vëllavrasës pa din e pa iman që pranojnë të vetidentifikohen si të tillë, qoftë edhe duke e fshehur emrin e fytyrën në anonimitet!

“Me varje, me varje!” E ç’ndryshim ka kjo thirrje kriminale e pasluftës, nga ato që llapaqenërojnë nëpër internet e nëpër TëVëra këta kameleonë”të lirë e demokratë”?Këta e mbajnë peng shoqërinë sikurse dhe moralin e dyshimtë e të parestauruar të saj!

* * *

Ndërsa ata që janë futur nëpër lista, ata që kryetari i ka emëruar deputetë, drejtorë apo ministra, ata që janë bërë me prona e grada të patrashëguara e të pamerituara, janë të detyruar të dalin e të mësyjnë hapur nëpër podiume, nëpër ekrane dhe debate që të kryejnë, me zë e me figurë, me peticione e me fjalime, me tekste të shkruara e të pashkruara, me emrin dhe me fytyrën e tyre, aktin publik të vëllavrasjes së ndërsjellë të besimit te kjo shoqëri…

Kjo është një kategori sociale e trashëguar dhe e stimuluar që përdoret rëndom nga krerët e sotëm partiakë, ndaj meriton vëmendje e një studim të posaçëm jo vetëm nga sociologët e munguar e akademikët e emëruar, pasi kjo mbetje njerëzore e agjitpropagandës së djeshme, në të vërtetë ka shërbyer e po shërben si lëndë eksplozive e cila, njëlloj si dje, në diktaturë, edhe sot po hedh në erë e po shkatërron shpresën tonë për një të ardhme europiane, më të mirë e më demokratike…Janë këta që nuk e lënë Shqipërinë të bëhet një vend normal.

E pra, këta vëllavrasës mediatikë janë ku e ku më dëmsjellës se dibrani i gjorë që vrau vëllanë për dy rrënjë domate, prandaj nuk do të ishte keq po të kërkonim rrënjët genetike të vëllavrasësve tanë partiako-mediatikë.

Parimi numër një i tyre në çdo kohë e në çdo sistem mesa duket është: Nëna e së vërtetës përherë do të jetë gënjeshtra publike, kur kjo e fundit i leverdis interesit të kryetarit.

Asnjë mashtrim, gënjeshtër apo shpifje, kur këtë e kërkon kryetari, nuk është as e keqe dhe as e dëmshme, përkundrazi!

Kryetari ka përherë të drejtë, ashtu si kundërshtari i tij përherë e ka gabim… As mos e vrit mendjen të kuptosh se ç’thotë kryetari, po duartrokit e ngazëlleu, edhe kur nuk i kupton, nuk i beson apo nuk i ke dëgjuar fjalët dhe premtimet e tij…
Ai që kryen më shumë dhe më mirë vëllavrasje publike nëpër media kundër “armiqve”, ai që di të gjuajë pas shpine dhe të ndërtojë pusira e pabesira politike, ka për të përfituar më shumë poste, prona, lavdi dhe ofiqe! Kjo është shkolla e vërtetë publike!

Kush nuk hidhet në zjarr e nuk mbron kryetarin, ka për të mbetur me gisht në gojë!
Kush nuk shpif nuk quhet besnik; kush e quan veten intelektual duhet të futet patjetër në çadrën e një kryetari të fuqishëm, përndryshe ka për të mbetur qyqar, më i mjerë dhe më i harruar se këta anonimë që kryejnë përditë vëllavrasje morale nëpër mikrofona, në internete e në mitingje.

Kjo pra është fytyra e vërtetë e krizës tonë morale! Sepse pushtetin e kanë dhe po e mbajnë vëllavrasësit e sotëm dhe, mesa duket, edhe të së nesërmes të afërm! Vetëm kur të identifikojmë vëllavrasësit, vetëm kur të distancohemi dhe të izolojmë këta dëmsjellës, atëherë Shqipëria ka për të hyrë në rrugën e mbarë të demokracisë!