Izolimi i Berishës

0
58

Arta Dade, 19.05.2010

Po mbushet viti që Shqipëria është mbërthyer në krizën më të thellë politike, si dhe krizën të funksionimit të demokracisë shoqëruar kjo dhe me thellimin e krizës ekonomike. Zgjedhjet e 28 qershorit dhe vlerësimet rreth tyre janë bërë tashmë vijë ndarëse midis dy mënyrash të të vepruarit e të menduarit, midis dy perceptimesh rreth realitetit në Shqipëri dhe midis dy perspektivash, njëra që ka në themel axhendën evropiane dhe tjetra që na mban larg familjes së vlerave dhe parimeve të shenjta të demokracisë.

Kur Partia Socialiste vendosi marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin, e cila u perceptua si bojkot nga mjaft miq e partnerë ndërkombëtarë, ata u gjetën të befasuar pasi në raportet e prodhuara prej tyre ishte vlerësuar risia e uljes së konfliktualitetit në politikën shqiptare. E padyshim kjo meritë i atribohet Partisë Socialiste, e cila mori lidershipin në reformën zgjedhore dhe hartimin e Kodit Zgjedhor, dha konsensusin për një sërë ligjesh që çuan në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Kjo padyshim duhet të detyronte maxhorancën qeverisëse që në sfidat e mëpastajme të demokracisë të respektonte standardet e një vendi të NATO-s.

Por për fat të keq, ndodhi e kundërta. Sali Berisha shkeli në mënyrë flagrante dhe arbitrare Kodin Zgjedhor, duke u bërë shkaktari dhe përgjegjësi i vetëm për këtë situatë. Sali Berisha edhe si përfitues nga konsensusi dhe kompromiset e ofruara, kur ishte në opozitë, duhet të kishte mësuar diçka nga funksionimi i demokracisë dhe rregullat e lojës. Por gjatë gjithë karrierës së tij politike, nuk ka asnjë moment në të cilin ai dhe grupimi që përfaqëson kanë respektuar rregullat e parimet e demokracisë. Dhe kjo është e kuptueshme për një politikan që mbart mbi vete barrën e sistemit, produkt i të cilit është.

Që në fillim të krizës, faktori ndërkombëtar kishte deklaruar se klasa politike shqiptare duhet të manifestonte pjekuri dhe duhet t’i jepte fund krizës politike. Megjithatë, shqetësimi dhe angazhimi i ndërkombëtarëve lidhur me situatën në Shqipëri nuk ka munguar.

Pak ditë më parë, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë artikuloi domosdoshmërinë që palët të pranojnë kompromisin shumë të mirë, që kanë mbi tryezë për zgjidhjen e krizës. Reagimi i Kryeministrit dhe sulmi ndaj Ambasadorit të OSBE-së është pjesë e praktikës dhe mentalitetit që ka ky politikan, i cili në 20 vjet, pavarësisht se kë kundërshtar ka pasur përballë ka qenë vetëm konfliktual, hileqar, autoritar, pa respekt për atë që në shumicën e rasteve është detyruar të nënshkruajë, pra një politikan i papërgjegjshëm dhe pa kredibilitet.

Loja e tij me faktorin ndërkombëtar është e rrezikshme për interesat e vendit dhe për imazhin e Shqipërisë. Ai pa asnjë droje mashtron duke vërtetuar kartëcipërisht atë çka Partia Socialiste ka kohë që ka paralajmëruar shqiptarët, opinionin publik vendas dhe të huaj. Në mënyrë të vazhdueshme, Partia Socialiste ka ofruar opsionet ligjore dhe politike për daljen nga kriza, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe kompromiset bazuar në Kushtetutë, kuadrin ligjor dhe përvojën pozitive ndërkombëtare.

Kthimi në Parlament, paraqitja e dy projekt-ligjeve për të vendosur standardin e transparencës së procesit elektoral në të ardhmen, pjesëmarrja dhe propozimet në tryezën e Presidentit e dallojnë qartazi opozitën nga maxhoranca, e cila edhe pas 11 muajsh nuk ka ofruar asnjë opsion, asnjë draft, asnjë shenjë kompromisi, por vetëm ka kundërshtuar verbërisht, së fundmi edhe atë çka është pranuar edhe nga partnerët ndërkombëtar.

Frika dhe kokëfortësia për të qëndruar në frëngjinë e vet, i rrethuar nga kutitë e mbyllura të votave të grabitura, flasin qartë për drejtësinë e kauzës opozitare lidhur me këtë problem.

Angazhimi i fundit i ambasadorëve të nderuar për të asistuar zgjidhjen e krizës solli një element lehtësimi për ata që janë realisht në favor të zgjidhjes së krizës. Daljet publike të Sali Berishës ditët e fundit, duke aluduar se përfaqësuesi i OSBE-së thotë të pavërteta, vërtetojnë katërcipërisht krizën në të cilën Kryeministri i vendit është zhytur. Në këtë krizën e vet personale, Berisha po mban të mbërthyer një numër deputetësh pa përvojë parlamentare dhe aspak përfaqësues. Sulmet e paprecedenta ndaj sakrificës sublime të më shumë se 200 deputetë e përfaqësues të opozitës, përveç të tjerave tregojnë qartë mungesën e pavarësisë së gjykimit, personalitet të paformuar dhe vasalitet të plotë ndaj kthetrave që po i mbrojnë për krimin që të gjithë bashkë kanë konsumuar ditën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Pavarësisht sofistikimit të mjeteve të manipulimit kemi të njëjtët ideatorë dhe të njëjtët ekzekutorë të dhunimit të zgjedhjeve. Sot kemi përsëri të njëjtin Berishë, si atëherë kur shteti po ç’bëhej dhe ai insistonte se nuk do të ofronte asnjë formulë për zgjidhjen e krizës, madje e thelloi krizën duke detyruar maxhorancën ta votonte për një mandat të dytë presidencial në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, të shpallur po prej tij.

Në anën tjetër, opozita përsëri ka dhënë mesazhe të qarta për zgjidhjen në mënyrë konstruktive të krizës politike, pavarësisht faktit që në gjithë historinë 20-vjeçare të tranzicionit askush s’ka mundur të bashkojë rreth vetes një numër kaq të madh mbështetësish për kauzën e demokracisë dhe betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për herë të dytë në këta 20 vjet, opozita është e detyruar të protestojë deri në mjetin ekstrem të grevës së urisë kundër zgjedhjeve të grabitura me dhunë apo me korrupsion nga i njëjti individ. Vetëmohimi dhe qëndresa e pashoqe e 200 grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve, për interesa madhore të vendit dhe të ardhmen e tij evropiane, ka mbërthyer sot zemrat dhe mendjen e shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe pa asnjë mëdyshje kjo sakrificë do të sjellë triumfin e kauzës së patjetërsueshme të demokracisë.

Opozita nuk tërhiqet dhe nuk stepet në betejën e saj edhe pse shteti ka filluar të kërcëllisë dhëmbët, ka filluar të ushtrojë dhunë ndaj protestuesve paqësorë, ka thirrur në skenë kalemxhinj e rrogtarë, dhe pse ka përballë të njëjtin Berishë që përbetohet ditën dhe natën se nuk e lejon ligji të zgjidhë krizën, por që identifikon veten dhe me ligjin, dhe me Kushtetutën, me gjykatën e prokurorinë, madje dhe me Shqipërinë të hipotekuar si pronë e tij.

Në momentin që në një demokraci, edhe pse difektoze, kreu i Qeverisë sillet si pronar i vendit dhe i të drejtës, dhe refuzon të kuptojë gjuhën e popullit të vet, atëherë ky ka nënshkruar fundin e vet të turpshëm.