Shekulli Online, 19.05.2010
FJALA E PLOTE E RAMES – Kryetari i PS Edi Rama, ka kerkuar sot ne mbremje mbylljen e greves se urise dhe ka njoftuar nisjen e bisedimeve me kryeministrin Sali Berisha neser ne Stasburg. Rama ka lene te kuptohet ne fjalen e tij se ka nje garanci nga nderkombetaret per zgjidhjen e krizes. Por ai ka theksuar se nese transparenca nuk arrihet, protesta nuk do ndalet.

Mbyllja e grevës së urisë 19 ditore
‘…Le të urojmë miq, të dashur motra dhe vëllezër, qytetarë e qytetare të këtij vendi, se nesër është dita e mbarë, por ne nuk zmbrapsemi dhe jemi të gatshëm për përpjekje e sakrifica të reja në rast se zgjidhja nuk do të vijë dhe në rast se arsyeja e forcës do vazhdojë ti imponohet forcës së arsyes…’ – u shpreh ai
Fjala e plotë e Ramës në protestën e mbasdites:
Motra dhe vëllezër ju shpreh të gjithëve mirënjohjen e thellë për mbështetjen, kurajon, këmbënguljen dhe me një fjalë të vetme pasionin me të cilin jeni bërë pjesë e kësaj rruge të vështirë. Kjo mirënjohje është për ju që jeni këtu. Është për të gjithë ata që na ndjekin sot nëpërmjet kamerave të televizionit, të cilat nuk i janë ndarë kësaj proteste të pandalshme. Por edhe për të gjithë ata që sot ndoshta nuk na ndjekin drejtpërdrejtë, por na kanë ndjekur duke u bërë pjesë e kësaj rruge, secili në mënyrën dhe me mundësitë e tij.
Kjo është rruga e vështirë e së vërtetës që bie ndesh me gënjeshtrën në pushtet. Është rruga e vështirë e transparencës që ndesh në trysninë e errësirës ku mbahet peng demokracia shqiptare. Është rruga e vështirë e një kapërcimi historik nga kapitulli rraskapitës i zgjedhjeve të deformuara e të kontestuara, në një kapitull të ri zgjedhjesh të lira, të drejta dhe transparente. Është thjeshtë rruga drejt “Shqipërisë si gjithë Europa”.
Kemi përjetuar në këtë rrugë të mundimshme situata nga më të vështirat, mes shpifjeve , fyerjeve, akuzave apo keqkuptimeve, sulmeve nga të katër anët. Kemi jetuar momente nga më ngazëllueset, kur ëndrrat dhe shpresat tona janë bërë det njerëzor dhe janë derdhur në këtë bulevard, në manifestime të paharrueshme proteste, për lirinë e votës, për transparencën e zgjedhjeve. Për një Shqipëri më të drejtë e më të zhvilluar ekonomikisht. Protesta që i kanë bërë nder atdheut tonë dhe i kanë bërë nder të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në to, duke mbrojtur pikërisht parime e vlera mbi të cilat ne e dëshirojmë të gjithë të ngritur atdheun tonë. Po mbi të gjitha kemi kaluar ditë të jashtëzakonshme.
Si këto 19-të ditët e fundit ku shpirti opozitar është mishëruar si kurrë më parë në 202 trupa, burrash e grash, djemsh e vajzash. Që i kanë dëshmuar Shqipërisë se idealet dhe idetë për këtë vend as kanë vdekur e as janë katandisur thjesht në fjalë boshe. Këta njerëz si ne të gjithë kanë bërë në këto 19-të ditë për të gjithë ne diçka madhështore, për të cilën që të gjithë u përulemi me mirënjohjen, respektin dhe admirimin më të madh. Kanë bërë diçka të paharrueshme për kujtesën opozitare të këtij vendi. Diçka të pashlyeshme, nga fletët e librit të historisë së demokratizimit të këtij vendi. Diçka që koha vetëm do ta rrisë në peshë dhe në vlerë, për shoqërinë e këtij vendi.
U kërkoj ndjesë që sot nuk mund ti përmend që të gjithë me radhë. Në rast se disa prej tyre do ti veçoj, kjo nuk e bën aspak më të vogël kontributin e atyre që këtu nuk mund ti përmend, për arsye kohe dhe vendi. Dua të veçoj me radhë Blendi Klosin, i cili ndryshe nga të tjerët që do të përmend hyri në këtë grevë, me barrën e një organizmi që nuk ja këshillonte sakrificën që ai e bëri. Duke kapërcyer çdo parashikim edhe pse na mbajti të gjithëve me zemër të dridhur përditë, në një lojë me vdekjen. E cila ishte shprehja më shembullore e kësaj sakrifice të pashoqe.
Fatmir Xhafën, që u kujdes orë e çast, që gjithçka të shkojë mirë mes të gjithëve. Shega Ligorin që sot është në spital, e plagosur në këtë përpjekje të stërzgjatur. Po më shumë e prekur në dinjitetin e saj për gjithçka të padenjë që ju desh të dëgjonte bashkë me të tjera gra e vajza. Që dëshmuan në këtë përpjekje një forcë të barabartë me atë të burrave dhe të djemve. Bashkë me Olta Xhaçkën që është edhe ajo në spital sot. Me Ledi Shamkun, me Anila Batallin, me Florën, me Mimoza Boçarin e Elsa Lilën, që janë ende në çadër.
Dua të falënderoj e të përshëndes përpara jush e bashkë me ju, Ilir Beqen, Gjovalin Kadelin, djemtë dhe burrat e Shkodrës dhe të Lezhës. Së bashku me Gazmir Bizhgën, me djemtë e Durrësit e me Klodiana Spahiun. Grevisten dhe njëkohësisht mjeken e shumë përkushtuar. E më tej dua të falënderoj e të duartrokas bashkë me ju, për një sakrificë të jashtëzakonshme, Besnik Baren, deputetin e kryeqytetit. Artan Gaçin, e më tutje akoma Eltar Dedën me djemtë e Vlorës. Arben Malajn, Agim Lekën i cili vazhdon të kurojë trupin e plagosur, së bashku me djemtë e tjerë të Elbasanit. Me Skënder Hasën, Taulant Ballën dhe çunat e Librazhdit.
E me radhë që të gjithë duke u munduar që të mos harroj asnjë dhe ndërkohë një që sapo më erdhi parasysh, e që për pak e harrova. E që në fakt vlen shumë për të mbyllur këto falënderime, Ermonela Felajn, deputeten e Beratit. Me të gjithë mjekët, mjeket, infermieret, qofshin ata që këtu qëndrojnë prej 19 ditësh, 24 orë në 24-ër, me profesor Sabit Brokaj në krye. Qofshin ata që në spitalin e Tiranës kanë dëshmuar jo vetëm përkujdesje, por edhe një solidaritet të jashtëzakonshëm që ka ardhur në rritje, duke parë analizat e këtyre njerëzve. Duke parë pastërtinë e trupave të tyre të pa ngrënë ditë e ditë të tëra. Dhe duke parë vendosmërinë e tyre në një përpjekje.
që nuk është përpjekja e një pale kundër një pale tjetër, po është përpjekja e një force të bashkuar njerëzish të zakonshëm, që janë në gjendje të shkruajnë një histori të jashtëzakonshme për Shqipërinë që meriton më shumë. Për çdo familje shqiptare, qoftë me bindje e përkatësi të majta, qoftë me bindje e përkatësi të djathta. Që jeton jashtë oborrit të këtij pushteti, e që sigurisht meriton më shumë. Për çdo fëmijë të këtij vendi. Edhe për fëmijët e atyre që në emër të fëmijëve, në fakt kanë shkelur rëndë mbi etikën, mbi dinjitetin dhe mbi çdo parim e vlerë të kulturës qytetare e demokratike, për të gjithë fëmijët e këtij vendi.
Keqardhje për kundërshtarin politik, që nuk gjeti kurajo për ta parë në sy të vërtetën e bukur të kësaj sakrifice. E as mundi ti ikte ngasjes për të hedhur baltën e politikës së vjetër, mbi këtë oaz lirie, dinjiteti dhe aspiratash të mëdha për Shqipërinë dhe për vetveten. Keqardhje për këdo që u rreshtua me kundërshtarin, duke hedhur grushtin e vetë të baltës, mbi luftëtarët e kësaj barrikade njerëzore. E cila ju kundërvu pushtetit të së keqes dhe meskinitetit me forcën e zemrës dhe të dashurisë së njeriut për vendin dhe për njerëzit. Keqardhje edhe për të gjithë ata që frika dhe buka e qeverisë nuk i la ta kapërcenin pragun e kësaj proteste për lirinë e të gjithëve apo i shtyu radhë në turmat e antimitingjeve qeveritare. Por kori i zhurmshëm qeveritar, i oborrtarëve, shërbëtorëve dhe altorpalantëve të pushtetit nuk e pengoi zërin e kësaj opozite të paepur të mbërrinte në çdo vesh të interesuar për Shqipërinë.
Llogoret e hapura ngado kundër nesh, pengesat e ngritura kudo kundër nesh, rrugët e shtrembërimit të së vërtetës dhe të informacionit në dëmin tonë, nuk e penguan të vërtetën tonë të gjejë rrugën dhe as mundën të na mbanin larg të gjithë atyre miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që e kanë ndjekur gjithnjë e me shumë vëmendje e ndjeshmëri problemin e pazgjidhur të transparencës në Shqipëri.
Ata janë treguar gjithnjë e më shumë të interesuar për të kuptuar shkaqet e kësaj krize të zgjatur dhe arsyet e protestës sonë të përshkallëzuar deri në sakrificën e madhe të këtyre 19 ditëve. Dhe sot pavarësisht këndvështrimeve dhe qasjeve natyrshëm të ndryshme ndaj kësaj krize për një periudhë relativisht të gjatë kohe, të majtët dhe të djathtët europianë sëbashku kanë rënë në një mendje se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më dhe kanë shprehur gatishmërinë për tu angazhuar drejtpërdrejtë dhe për të bashkëpunuar me të dyja palët për një zgjidhje kompromisi që i hap rrugën transparencës.
Motra dhe vëllezër
Ky nuk është domosdoshmërish fundi i betejës sonë, por ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pa asnjë dyshim i vlefshëm, si një moment për të shprehur të gjithë vullnetin tonë që zgjidhja të gjendet dhe transparenca të bëhet. Ne nuk e kemi harruar për asnjë sekondë të vetme se në ç’moment është vetë Shqipëria dhe se në ç’pjesë të rrugës sonë drejt BE është vendi ynë i përbashkët. E pavarësisht se janë munduar të thonë e të prodhojnë se ne jemi të pandjeshëm ndaj sfidave të mëdha të liberalizmit të vizave dhe të integrimit të Shqipërisë në europë, e kundërta është e vërtetë. Ndjeshmëria jonë ndaj këtyre sfidave të posaçme, na ka shtyrë dhe mbajtur në këtë protestë, e cila nuk kërkon asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa Shqipërinë si gjithë Europa.
Kush i ka hedhur bashkë me ne, hapat e vështirë në këtë rrugë të mundimshme, në kërkim të së vërtetës tonë të thjeshtë apo kush i ka ndjekur këto hapa nga çfarëdo pozicioni, nuk mund të mos i kujtohet se në çdo çast ne kemi qenë të hapur dhe të gatshëm për dialog dhe për çdo kompromis që nuk komprometon transparencën në funksion të garancive për zgjedhjet e ardhshme dhe të lirive dhe të drejtave që nuk mund tu mohohen më qytetarëve dhe qytetareve të këtij vendi, të cilët vetëm përmes këtyre garancive mund të fitojnë atë stad që çdo qytetar europian ka, si një gjykues ekskluziv i atyre që qeverisin duke vendosur me votë për atë që dëshiron që ta qeveris dhe pa qenë kurrë i detyruar që të qeveriset nga ata që nuk e lenë të zgjedhë.
Nesër përfaqësuesit më të lartë të së majtës dhe të djathtës evropiane, me mbështetjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar presin në tryezë të dyja palët, për të kërkuar zgjidhjen dhe për ti hapur rrugën jo vetëm transparencës, por edhe përballjes me sfidat e integrimit. Përgjigja ime në emrin e të gjithëve ju, në emër të të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugës së gjatë dhe të mundimshme të kësaj proteste këtu e muaj të tërë më parë dhe në emër të atyre që këtë protestë e ngritën në pidestal me sakrificën e tyre këtu në grevën e urisë, ka qenë e menjëhershme dhe pa asnjë ngurim, po ne jemi të gatshëm ti japim zgjidhje kësaj krize.
Ne jemi të gatshëm të hapim rrugën e liberalizmit të vizave. Ne jemi të gatshëm të hapim rrugën e integrimit të vërtetë të Shqipërisë drejt BE. Uroj dhe shpresoj që edhe pala tjetër të ketë bërë apo edhe të bëjë të njëjtën gjë. Dhe ndërkohë unë dëshiroj të ndaj me ju bindjen se të gjithë sëbashku duhet ti bëjmë një ftesë atyre që janë ende në sakrificën e grevës së urisë që të bien në një mendje me ne për ta ndalur këtë grevë.
Është ora e një shansi të ri, është momenti i një mundësie të re, është dita për të mos e lenë këtë shans të humbasë dhe këtë mundësi të zhbëhet, sepse çdo shans që humbet, çdo mundësi që zhbëhet, është kohë e çmuar dhe energji e vyer, që humbet e ç’bëhet në një përpjekje të jashtëzakonshme, në një përpjekje të denjë sa vetë liria dhe të drejtat e njeriut, por njëkohësisht në një përpjekje plotësisht të shmangshme në rast se forca e arsyes triumfon mbi arsyen e forcës.
E ashtu si gjithmonë, ashtu si edhe në gjithë këta muaj, edhe sot ne jemi këtu për të dëshmuar se ajo që kërkojmë është zgjidhja më e mirë për të gjithë në emër jo të interesit të një pale, por të interesit të të gjithë shoqërisë.
Le të urojmë miq, të dashur motra dhe vëllezër, qytetarë e qytetare të këtij vendi, se nesër është dita e mbarë, por le ta përshëndesim njëri tjetrin duke garantuar njëkohësisht, se ne nuk ndalemi, ne nuk zmbrapsemi dhe se ne jemi të gatshëm për përpjekje e sakrifica të reja në rast se zgjidhja nuk do të vijë dhe në rast se arsyeja e forcës do vazhdojë ti imponohet forcës së arsyes.







