E provuan edhe këta të huajt ç’do të thotë të kesh kryetare Jozefinën

0
21

TemA, 23 Nëntor 2011

Pas publikimit të lajmit se Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi nuk arriti të zhvillojë punimet e saj në Tiranë, nisën të dalin në pah detajet e këtij skandali. Këtë gjashtëmujor, presidencën e këtij forumi që përfshin vende si Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia, Ukraina dhe Serbia, e mban vendi ynë.

Sipas rregullores, Presidente i bie që të jetë kryetari i parlamentit vendas, dmth në këtë rast zonja Topalli. Dhe kjo e fundit ka menduar se po drejton parlamentin shqiptar. Madje do jetë ndjerë akoma më e fuqishme se quhej presidente. E në këtë mënyrë brenda pak orësh arriti të shkatërrojë samitin e rëndësishëm që mbledh rregullisht dy herë në vit politikanë e biznesmenë nga këto vende.

U plasi në tribunë tre ministra të Berishës dhe bashkë me të mbajtën fjalime propagandistike që trulluan të huajt. Më pas, duke menduar se është si në parlamentin e vet, thirri kryetarin e parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqin në samit, edhe pse mësohet se ai vetë nuk ishte e sigurt nëse duhej të shkonte aty pasi Kosova nuk është vend anëtar.

Pasi ka shkaktuar këto incidente në ditën e parë, është mbledhur Byroja e Asamblesë Parlamentare, që nuk është si byroja e Kuvendit tonë që përjashton deputetin që merr kërcënime me vrasje. Ata kanë vendosur të mos vijojnë më tej. Topalli ka shpërndarë një njoftim të shkurtër, kurse zyra e shtypit e saj bëri të ditur se samiti pati disa probleme teknike (?!). Të nesërmen mediat qeveritare shpallnin me të madhe “Topalli mbledh 400 biznesmenë në Tiranë”, kur ata mblidhen rregullisht dy herë në vit.

Sikur të kishte arritur të mbante edhe Krasniqin aty, do kishte bërë goditje të dyfishtë. Në fakt ishte një humbje e një skandal i dyfishtë. Samiti u prish, biznesmenët u larguan nga propaganda e përdorimi i këtij eventi të rëndësishëm, Topalli heshti duke menduar se propaganda do bënte punën e saj dhe lajmi nuk do dilte. Të paktën e provuan edhe të huajt se si e drejton punën ajo që duhej të ishte thjesht një spikere. Ne po bëjmë gjashtë vite që e durojmë.