
Preç Zogaj, 17.05.2010
Hetimi i kutive ku mbahen materialet zgjedhore dhe konservimi i kutive ku mbahen fletët e votimit, në pritje të një opinioni nga Komisioni i Venecias. Kjo është formula më e fundit për zgjidhjen e krizës. Nuk ka dalë nga opozita. Propozuesit dhe njoftuesit, në përgjithësi, kanë qenë dhe janë të paanshëm në raport me palët në krizë.
Madje ambasadori i OSBE-së, zoti Boch, e ka rënduar disa herë opozitën me të folurën e tij pa doreza. Për ketë shkak, lajmi që ai dha pardje se kishte një “kompromis shumë të mirë”, u prit me skepticizëm, për të mos thënë me dyshim nga disa politikanë të opozitës.
Çfarë mund të nxirret nga materialet zgjedhore, po nuk u panë edhe fletët e votimit? Si mund të kuptohet sa vota janë shtuar në procesverbale, nëse nuk numërohen fletët e votimit? Ç’duam ne në Komisionin e Venecias? Ç’kuptim ka të vijmë pas gjithë këtyre sakrificave te një zgjidhje me bisht?
Këto ishin pak a shumë vërejtjet dhe kundërshtimet, që skeptikët po i debatonin me mbështetësit e kompromisit, ku bënte pjesë edhe kryetari i PS-së, zoti Rama. Këta të fundit e vlerësonin formulën e “shumicës së ndërkombëtarëve” si një zgjidhje të mesme. Qeveria pranonte gjysmën e asaj që po kërkon prej muajsh opozita.
Opozita pranonte gjysmën e asaj që kishte kërkuar qeveria. Zgjidhja qëndronte brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të vendit. Me pranimin e saj, merrte fund greva e urisë; komisioni hetimor parlamentar fillonte menjëherë nga puna për të bërë transparencën e famshme të zgjedhjeve, që çdo vend me një minumim demokracie e bën pa sforcimin më të vogël.
Por Shqipëria politike e ka talentin e saj, ndërlikimin e gjërave elementare dhe banalizimin e gjërave të bukura!
Po vendosej mes diskutimesh e debatesh pranimi pa entuziazëm i kompromisit.
Dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se zgjidhja e mesme mund të refuzohej nga kryeministri, nga shumica, madje edhe nga ata qeveritarë që ua kishin lënë në dorë ndërkombëtarëve ,me sa duket për të luajtur bllofin me opozitën, me paramendimin se opozita do ta hidhte poshtë, duke harruar se kur bllofi pranohet nga pala tjetër nuk mund të luhet më si bllof, nuk mund të tërhiqet më, sepse prishet gjithçka.
Do ishte mirë të kishte një draft të shkruar të kompromisit dhe ky draft t’i jepej me respektin e duhur kryministrit të vendit.
Por realisht, ndërsa kriza ka një dinamikë të sajën që ndryshon nga dita në ditë e nga ora në orë, nuk është e rëndësishme a është shkruar apo jo drafti , a ka shkuar apo jo në zyrën e kryeministrit.
Prezenca ndërkombëtare në Tiranë e zgjedh vetë mënyrën si vepron për të na ndihmuar. Për ne ka interes ajo që ata propozojnë dhe jo mënyra si e propozojnë. Pra ka interes përmbajtja dhe jo forma e propozimit. E rëndësishme është a e pranon në parim zgjidhjen e ofruar pala qeveritare, a e pranon Berisha?
Prononcimet e tij të deritanishme, megjithëse nuk janë të drejtpërdrejta, priren ta refuzojnë atë.
Refuzimi përfundimtar i kompromisit, që sipas Boch ka mbështetjen e shumicës së ndërkombëtarëve, domethënë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të hapte një faqe të re të krizës që po jeton vendi: faqen e zhvlerësimit të plotë të argumenteve që ka përdorur deri me sot pushteti për të refuzuar transparencën.
Nuk ka realisht asnjë kontradiktë midis formulës së kompromisit që u njoftua pardje, rezolutës së Këshillit të Europës dhe sugjerimeve të Komisionit Europian për Zgjerimin. Të gjithë kërkojnë transparencë në respekt të kushtetutës. Edhe OSBE, edhe KiE, edhe BE, edhe SHBA, edhe opozita. Qeveria shqiptare ka luajtur deri tani me idenë sikur kushtetuta pengon hetimin e kutive të votimit.
Duke respektuar principin se çdo veprim duhet të mbështeten në ligjin themelor të shtetit, ndërkombëtarët i kanë bërë jehonë karakterit kushtetues të hetimit parlamentar. Por ata po lexojnë tani Kushtetutën e Shqipërisë dhe po kuptojnë se qeveria po e përdor kushtetutën për të mbuluar mosdashjen e saj për të bërë transparencë.
Kjo është arsyeja që në përpjekjen e tyre fisnike për të ndihmuar Shqipërinë, ndërkombëtarët po kalojnë nga formulat e përgjithshme të rezolutave, te formulat konkrete të rrugëdaljeve nga kriza, duke ruajtur bashkë me parimet, edhe dinjitetin e palëve.
Kështu meriton të lexohet e të vlerësohet njoftimi i zotit Boch. OSBE nuk është një shtet. Me OSBE nuk japim e nuk marrim as mallra, as fuqi punëtore, as viza, as armë dhe teknikë luftarake.
Marrëdhëniet me OSBE “kufizohen” në fushën e vlerave dhe standardeve të demokracisë. Që do të thotë se përfaqësuesi i OSBE-së nuk është si diplomatët e tjerë. Atij i shkon të flasë pa doreza.
E folura e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve më të lartë të zyrës së OSBE-së ka qenë gjithnjë një lloj kurthi për politikanë të ndryshëm shqiptarë, që kanë reaguar deri me fyerje, kur qëndrimi i këtyre përfaqësuesve nuk u ka ardhur për shtat. Të mësuar me qytetarët e tyre, të cilëve tradicionalisht u kërkojnë të zgjedhin” o me ne, o kundër nesh, rrugë të mesme nuk ka”, ata e kanë pretenduar edhe nga te huajt këtë zgjedhje arkaike, poshtëruese.
Edhe pse të pasjellshëm, këta politikanë nuk besoj se kanë qenë e janë naivë që të mos e kuptojmë se e folura e OSBE-së është një mënyrë të foluri e shteteve me peshë të kësaj organizate. Por në pamjen e jashtme, OSBE, aq sa ç’është e gjithë vendeve, nuk është e asnjë vendi. Pra është jetime në kuptimin që kanë për forcën politikanët ” e fortë” të Shqipërisë. Prandaj ndodh ti turren me ” bjeri ti biem”. Ky është kurthi.







