Nën çorapen e mëndafshtë

1
63

Ardian Klosi

Ardian Klosi, 17.05.2010

Kujt i bie rruga shpesh natën vonë bulevardit të Tiranës, pa tjetër që do të ketë parë dy silueta burrash që bëjnë shëtitjen e tyre nokturne herë mbi njërin e herë mbi tjetrin trotuar.

Janë diku në mes të të pesëdhjetave, i pari me flokë të qethura shkurt, me syze e mustaqe, i dyti me leshra të zgjatura, trup të ngjallmë e sy gati të zhdukur nën palat e fytyrës, pak a shumë të shkurtër të dy.

Shëtitja e tyre është e ngadaltë dhe e qetë, me duart në xhepat e pardesyve të gufuara, herë-herë mbajnë hapin si të mos bien dakord mes diskutimit që bëjnë pastaj, duket si kanë rënë prapë në një mendje, vazhdojnë rrugën dhe bisedën me të njëjtën qetësi.

I pari është drejtori i Bibliotekës Kombëtare, njeri i ditur e me talente në fushën e fjalës. E njoh dhe kam miqësi me të prej shumë vitesh qysh kur përpiqeshim për letërsi më të mirë e për më shumë liri në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Naim Frashërti.

Ka kontribut të padiskutueshëm në fushën e shqipërimeve në prozë e në poezi dhe në atë të historisë së kulturës e të historisë shqiptare.

Janë të paharrueshme për të gjithë lexuesit romanet e Markezit, dramat e Lorkës, poezitë e Ahmatovës në shqipërimin e tij. Janë të vlera studimet e tij për qytetin e Voskopojës, parathëniet dhe paraqitjet e shumta që ka bërë për figura të nderuara të kulturës, fesë, botës shqiptare.
I dyti është drejtor i gazetës 55.

Kjo është fletushka më agresive dhe me shpifëse e Shqipërisë. Aty sulmohen hapur dhe me germa të mëdha të gjithë ata që mund të jenë kundër pushtetit të Berishës dhe kundër pushteteve të tjera okulte që mbajnë fletushkën.

Me gënjeshtrat e përditshme që përhap të kujton organet më të këqija të periudhës staliniste në BRSS dhe gazetat fashiste të Gjermanisë e Italisë në vitet 30. Aty mund të sulmohen me javë të tëra edhe intelektualë që nuk flasin kundër Berishës, bie fjala shkrimtari Kasëm Trebeshina, për interesa të dikujt tjetër. Sepse cilësi e botuesit të 55-ës është që ai gjithmonë i ka shërbyer më të fuqishmit.

E mbaj mend qysh në vitet 76-80 gjatë periudhës së studimeve kur i servilosej djalit të kryeministrit dhe djalit të ministrit të Brendshëm, pastaj kur doli në jetë Kadaresë e sidomos Foto Çamit dhe Ramiz Alisë.

Ishte koha kur punonte si libretisti më i patalentuar që ka njohur Teatrit Popullor në katër dekada, shkruante skenarin e famshëm të termoçifteve për filmin Furrnalta, botonte një vëllim me tregime për heronjtë e punës socialiste me titullin “Hasmi i nyjeve” (demek ata që rrëzonin pyjet shekullore) dhe pastaj shkoi te “Zëri i Popullit” ku nuk la vizitë të dy shokëve që përmendëm më lart (Çami dhe Alia), pa pasqyruar në reportazhe të një entuziazmi të vrullshëm komunist.

Pas ndërrimit të sistemeve u bë, natyrisht, i djathtë dhe u shqua sidomos në vitin 1997, atëherë kur shteti u rrënua nën ish-presidentin Berisha dhe ky pritej nga çasti në çast të largohej me helikopter nga vendi, me librin “Berisha kundër Kasandrave”, d.m.th. ky është udhëheqësi që i duhet Shqipërisë, pa le të flasin ç’të duan disfatistët.

Sa ishin në pushtet socialistët fletushka e tij nuk la ditë pa goditur kundërshtarët me shpifje dhe pëgërje lloj-lloj. Me rikthimin në pushtet të Berishës fillon edhe lulëzimi më i madh i botuesit të 55-ës.

Pasuritë e tij të panjohura, që doemos nuk i nxjerr nga një fletushkë që s’e blen kush, e bëjnë të nxjerrë libra luksozë, të mos çajë kokën për çmime (“Mali magjik” i Tomas Manit 4800 lekë të reja) dhe të ngrejë një librari të madhe me emrin Kadare në qendër të kryeqytetit.

Pa folur këtu për biznese të tjera të padukshme, si ai i ngritjes së fabrikës së Gërdecit në bashkëpunim me Mediun dhe Delijorgjin, të cilat duken vetëm kur shpërthejnë.

U ndalëm më gjatë te personazhi i dytë i shëtitjes sonë nokturne, për të shpjeguar pyetjen e pashpjegueshme që bëjmë herë pas here me kolegë e miq nga të fushës: ç’punë ka Aurel Plasari me Fahri Balliun?

Ç’mund ta lidhë një njeri të kulturës me një fabrikant të propagandës qeveritare, një njeri modest në mënyrën e jetesës e që vetëm për korrupsion nuk mund ta akuzosh në institucionin e tij, me një i vërvit milionat poshtë e lart dhe që pa korrupsionin nuk e kupton dot?

Pyetja s’ka gjetur asnjëherë përgjigje të kënaqshme, ajo le t’u mbetet për zgjidhje studiuesve të ardhshëm.

Por një shkrim i djeshëm i kolegut dhe mikut Plasari në gazetën Panorama megjithatë hedh deri-diku dritë mbi çështjen se si e pse mund të bashkohet kultura me antikulturën. Për vete u shtanga nga ai shkrim, sepse Plasarin e njoh si njeri që nuk ka qejf të prononcohet për politikën dhe për këtë gjë e kam respektuar përherë. Jo vetëm pse është mirëfilli njeri i kulturës, por edhe pse është drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Kjo gjë mund të thuhej njësoj edhe për drejtoreshën e Arkivave të Shtetit, drejtorin e Teatrit të Operës, drejtorin e Muzeut Kombëtar, drejtorin e Hipotekës dhe shumë drejtorë të tjerë. Një drejtori me rrogë të shtetit në institucione të mëdha kombëtare, që shpesh u takon të trajtojnë tema tepër të ndjeshme, bie fjala të politikës së të shkuarës, nuk i shkon të mbajë anën e PD-së ose të PS-së.

Kjo anësi shumë shpejt mund të krijojë përshtypjen në publik se edhe në institucionin kombëtar që ai përfaqëson punohet me anësi politike.

Aq më shumë për një konflikt që duket se është shumë serioz dhe kërkon njohje të thellë, përderisa ka shkaktuar dhjetëra vetë të bëjnë sakrifica të rënda trupore dhe qindra mijëra të tjerë të zbresin në rrugë.

Ne që shkruajmë jo rrallë për politikë e që herë na quajnë publicistë e herë analistë ose opinionistë (budallallëqe të gjitha, jam thjesht njeri i gjuhës e i letërsisë që s’e kam mbajtur dot dorën e gojën kur më është dukur se zëri im mund të ndryshojë diçka), jo se jemi të privilegjuar në krahasim me drejtorët, por të paktën përfaqësojmë vetëm veten, si Mark Tuejni që shkroi dikur në një hotel të Indisë në regjistër, pas një suite të madhe të princit të Panxhabit, “Mark Tuejni me valixhen e tij”.

Tani, në shkrimin e tij me titullin “Greva e gabuar” Plasari jo vetëm që mban pozicionin e qeverisë, por e mban atë në një mënyrë ekstreme.

Kujt mund t’ia marrin mendtë erudicioni, shakatë dhe metaforat që i derdh të lezeçme në atë shkrim, i lutem të lexojë thelbin apo mesazhin e tij krejt të qartë.

Të më falë autori që po ia qëroj lëvozhgat brilante të stilit dhe po e nxjerr këtë thelb për popullin e thjeshtë që mund ta ketë pasur të vështirë të hyjë në labirintet akrobatike të fjalës: Aventura e PS-së me grevën e urisë, siç do të dalë në një të ardhme të afërt, ka shkaqe ekonomike-financiare. Ajo nuk përkon me kurrfarë parimi dhe praktike të socializmit europian (vijon një shpjegim i gjatë që e mbështet këtë historikisht).

Derisa greva e urisë nuk ka traditë në socializmin europian, frymëzimin Edi Rama mund ta ketë gjetur vetëm te veprat e Enver Hoxhës që hidhte poshtë luftën parlamentare dhe sugjeronte vetëm taktikat e luftës jashtëparlamentare.

Mirëpo grevat e urisë në të vërtetë janë karakteristikë “tanimë qysh prej një shekulli e gjysmë, e individëve dhe/ose grupeve të padrejtësuar dhe/ose të papërfaqësuar politikisht”.

Përfundimi, i gjithë ky teatër me grevë urie, që Plasari e vë në paralel me premierën teatrore “Darka e gabuar”, është inskenuar nga Rama si një rrugë ekstraparlamentare për të ardhur në pushtet.

Me asnjë germë të shkrimit të tij prej 2200 fjalësh (siç del nga Word Count te Tools), Plasari nuk përmend çështjen e kutive të votimit. Në asnjë rresht nuk përmendet që njerëzit e mbyllur në çadër mund të besojnë që zgjedhjet e 28 qershorit 2009 kanë qenë një mashtrim i madh.

Të gjithë autorët që kanë ngarendur këto ditë, në emër të atij bashkimi të pandodhur intelektualësh me firma drejtorësh që fryhen e fryhen, nuk e përmendin çështjen e vërtetë të konfliktit “casus belli”, meqë Plasari e ka qejf latinishten. Çuditem pse nuk e bëjnë këtë gjë, as ai as Tupja, as Lubonja as Irini Qirjako.

Mua ky dyshim i fortë se te ato kuti fshihet shejtani i shishes, duke e ditur edhe se Berisha i 1996-ës lëkurën e ndërron por zakonin s’e harron, dhe aspak miqësia e vjetër që kam me Antiheroin (= Rama, sipas Kongolit, Tupes etj.), më bëri ta besoj idealizmin e një pjese të mirë të grevistëve dhe të shkoj e t’u jap dorën me përulje. Ku gjen më sot idealizëm?

Mirë nja 20 deputetë brenda që shpresuakan të marrin poste nga Rama si të kurorëzohet greva me sukses, po gjithë ata studentë, po ata fshatarë të Mallakastrës e të Vlorës që takova, çfarë shpresojnë të marrin? Për cinikët idealizmi në këtë vend ka vdekur me kohë, por për të tjerë ndoshta s’është kështu.

Aty në çadër të ngjitej edhe ty nga mendimi i tyre. Se thua: këta s’janë të qetë, edhe ti s’mund të flesh i qetë në qoftë se mbi krye të ka hipur një pushtet që s’ka ardhur aty me votë të ndershme, aq më shumë një pushtet që i bën keq vendit, që e ngjesh me borxhe, i shet një copë nga deti atje, i heq një gisht Karaburuni këtu, fal tokë andej e lumenj këndej, mbush ultësirat e bekuara me fabrika çimentoje e jep bregdet për termotece e për bërthamorët e fqinjëve. Të iki një orë e më parë në qoftë se ka bërë zullum në ato kuti.

Por të iki një orë e më parë edhe Edi Rama me të tijtë, në qoftë se na kanë rrokanisur kokën kot gjithë këta muaj, në qoftë se kanë ngritur një iluzion të madh me këto kutitë që pastaj hapen dhe u del blof. Ama krijojani mundësinë të dalë bosh, ju intelektualët e djathtë, ju anëtarët e dikurshëm të Nënës Lidhje e të Nënës Parti, kërkoni dhe ju hapjen e kutive që të qetësohet vendi.

Prandaj them se Plasari me shkrimin e djeshëm shkon edhe më larg nga pozicioni i qeverisë, i cili thotë të paktën se kutitë mund të hapen, vetëm se duhet t’i hapin gjykatat. Për arsye të shkëlqimit të jashtëm dhe mungesës së argumentit kryesor, na vjen të perifrazojmë për të shprehjen e Napoleonit për Talejranin: Ky shkrim i ngjan një çorapeje mëndafshi që ka të mbështjell brenda mutin qeveritar.

Dhe ngaqë anashkalon argumentin qendror, autorit i mbetet të merret me cinizma krejt pa shije si “nuk po e quajmë Ramën bojaxhi, për të mos fyer komunitetin e nderuar të bojaxhinjve të Tiranës” ose “ju jap 10.000 lekë sikur të më lëpini këpucët”, ose që Elsa Lila mund të vdesë urie apo ta vrasë veten se “fundja, artistët anekënd botës spikasin për aktet e skajshme: nga grevat pa-vënë gjë-në gojë te vetëvrasjet” (!)

Kur u kthyem në Shqipëri para 12 vjetësh së bashku me Edi Ramën dhe me disa miq të tjerë për të drejtuar institucione qendrore të vendit, mbaj mend një ditë Edi që më ndaloi me vrull siç bën shpesh – ishte atë kohë ministër Kulture – dhe më tha: kam një ide të madhe, do të propozoj që Aurel Plasari të bëhet drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Për qeverinë socialiste ato kohë ky propozim i një personi “të djathtë” dukej gati-gati si provokim. Mua m’u bë qejfi dhe ia miratova megjithë zemër.

Do t’i lutesha Edit në distancë që të mos pendohet asnjëherë për atë emërim, edhe pse sot kryetari i PS mund të mos jetë i denjë as që t’i lëpijë këpucët drejtorit të BK. Ai drejtorin e Bibliotekës Kombëtare e bën mirë, sikurse bën mirë në përgjithësi punët e librit dhe të letërsisë. Kurse me të tjerat gabon rregullisht.

Tani që them se shpjeguam diçka nga ajo miqësi enigmatike midis drejtorit të BK dhe botuesit të fletushkës 55, le t’i lëmë të qetë të vazhdojnë baritjen e tyre nëpër natë në bulevard, me një trajektore të kufizuar kohët e fundit nga çadrat e grevës së urisë.

1 COMMENT

  1. Tre gjera vihen re ne kete situate:
    E para, jemi bere si nje kope dhensh te humbura, pa Zot, pa barinje qe te na drejtojne.
    E dyta, na kane bere barinjte tane qe te marrim kot, nga syte kembet.
    E treta, kemi zbritur nga mali ne koder dhe po na hane armiqte, qe na gjejne ne rruge.
    Doja te shtoja se njerezit e thjeshtë nuk jane aq te interesuar per idete abstrakte, sesa jane te interesuar per individet qe i paraqesin idete.
    Problemi, Zoti Klosi, eshte se kush po e ha ate qe ndodhet brenda asaj çorape te mendafshte?

Comments are closed.