Shekulli Online, 16.05.2010
Ish-presidenti propozon disa variante për të zgjidhur krizën dhe për të afruar palët në bisedime
Moisiu: Transparenca e zgjedhjeve? Duhet të shohim kutitë
“Nëse ne nuk do të mësohemi të respektojmë njëri- tjetrin nuk do të na respektojnë edhe të tjerët”. Ish-presidenti i republikës, z.Alfred Moisiu niset nga një përvojë e hidhur personale e pak ditëve më parë, kur gjeti mbyllur sallën VIP në aeroportin e Rinasit, ndërsa kthehej nga parada e Moskës, me rastin e 65-vjetorit të fitores mbi nazizmin.
Dhe jep mesazhin që është përsëritur jo pak herë për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, se kjo mënyrë sjelljeje na ka zhytur në inferioritet dhe presim që zgjidhjet të na i japin të huajt.
80-vjeçari që disa herë është shprehur publikisht për bashkëbisedim dhe kompromis politik mes drejtuesve të PD-së dhe PS-së, sërish u bën thirrje palëve që të ulen në bisedime: “Askush nuk ka ndërmend të merret me ne gjithë jetën”,-thotë ish-presidenti duke deklaruar se politikanët tanë duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për veprimet e tyre dhe në mënyrë të veçantë këtë përgjegjshmëri duhet ta ketë maxhoranca sepse ajo drejton qeverinë dhe shtetin dhe sipas tij është detyrë e saj të jetë më tolerante.
Z. Moisiu, para pak ditësh ju ishit në Moskë ku morët pjesë në kremtimin e 65- vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. A mund të më thoni me çfarë statusi ishit ju i ftuar nga organizatorët e këtij aktiviteti?
Tashmë është traditë që në kremtimin e përvjetorëve të përfundimit të Luftës së II-të Botërore, krahas personaliteteve të larta drejtuese të shteteve jo vetëm të aleancës të ftohen edhe veteranë të luftës.
Mendoj se me këtë status nga Shqipëria organizatorët më kanë ftuar mua por edhe disa ish- drejtues shtetesh të vendeve të Rajonit si Mesiçish presidenti i Polonisë e një sërë figurash të tjerë të rëndësishme.
Por krahas tyre, në këtë eveniment ishin të ftuar dhe drejtues aktual shtetesh si nga Ballkani apo edhe vendeve që sot janë superfuqi në botë. Ndërkohë, nga zvministri i jashtëm rus mësova se në këtë eveniment pritej të ishte pjesë edhe Kryeministri Italian, Silvio Berluskoni, Presidenti i Francës, Sarkozi, apo dhe ai i Shteteve të Bashkuara, Obama.
Por në momentet e fundit ata kishin njoftuar mos pjesëmarrjen për arsye objektive. Në Kremlin unë isha ndër personalitet e para që u pritën në nisje të këtij evenimente kaq të rëndësishëm në përkujtimin e një luftë heroike.
Kjo mesa duket ishte për hir të protokollit që organizatorët ndoqën në zhvillimin e kësaj ceremonie. Me thënë të drejtën u ndjeva mirë, jo për shkak të përkëdheljes së sedrës personale por se unë aty përfaqësoja Shqipërinë.
Por njëkohësisht ndjeja dhe një keqardhje ku më shumë të respektojnë në vendet e huaja se sa në vendin tënd. Kur u ktheva në Shqipëri edhe salla e VIP-ave në aeroport ishte e mbyllur.
Më vjen çudi se kur vjen zonja Nano ky shërbim qëndron i hapur deri në mes të natës ndërsa kur flitet për ish- Presidentin e Republikës, dyert e tij janë të mbyllura. E përmend këtë për shkak të keqardhjes që ndiej se kjo është bërë tashmë një fenomen dhe jo një gjë e rastësishme.
Ne jemi ende larg respektimit të njërit- tjetrit ku jashtë ekzistojnë rregullore të pashkruara por të respektuara deri në detajin e fundit. Unë ua kam thënë edhe ish-kryeministrit Nano dhe Berishës. Nëse ne nuk do të mësohemi të respektojmë njëri- tjetrin nuk do të na respektojnë edhe të tjerët.
Kjo po vazhdon sot e kësaj dite dhe na ka çuar drejt inferioritetit. Ndjekim me vëmendje çfarë thotë një x ambasador apo si sillet ai ndërkohë që nuk dëgjojmë fjalën e një politikani që ka vite që kontribuon për të mirën e vendit.
Unë i falënderoj për kontributin e tyre por nuk jam dakord me inferioritetin e politikës sonë sepse zgjidhja e problemeve shqiptare nuk është përgjegjësia e tyre por e jona.
Z. Moisiu gjatë ceremonisë së kremtimit të përvjetorit të përfundimit të luftës është komentuar shumë mungesa e personaliteteve të larta të politikës botërore. Ju keni qenë pjesëmarrës në këtë eveniment, a keni konstatuar një bojkotim të qëllimshëm të kësaj veprimtarie?
Për protokollin e pjesëmarrjes në këtë veprimtari unë jam njohur nga zvministri i jashtëm, por nuk kam dëgjuar asnjë koment mbi mungesën e personaliteve të larta të disa shteteve të rëndësishme.
Por mua personalisht më pëlqeu fakti se në paradë morën pjesë trupat e marinës amerikane, ishte një batalion i gardës mbretërore të Anglisë, një batalion i ushtrisë franceze si dhe asaj polake.
Pra në demonstrimin ushtarak të kryer ishin pjesëmarrës të gjitha forcat që përbëjnë aleancën e luftës botërore kundër fashizmit gjerman. Madje edhe në bandën frymore që ekzekutonte gjatë aktivitetit e përbërë prej 1200 vetash kishte të njëjtën pjesëmarrje.
Kjo kishte një domethënie të madhe sepse forcat e këtyre vendeve që kontribuan për rrëzimin e fashizmit dhe nazizmit janë bashkë sot edhe në ndërtimin e demokracisë duke kremtuar bashkërisht edhe ditën e 65- vjetorit të këtij triumfi.
Pra Ju po thoni se mungesa e liderëve politike nuk e zbehu aspak rëndësinë e këtij aktivitetit?
Mungesa e tyre u vu re vetëm në anën protokollare ku rezultonte që në momentin e fundit ata kishin anuluar pjesëmarrjen. Por unë besoj se duhet të ketë qenë arsye madhore që kanë detyruar këta liderë ndryshojnë agjendën dhe nuk ka qenë çështje hatërmbetjeje midis tyre.
Ky është mentalitet shqiptar dhe jo i politikës së sotme ndërkombëtare. Politika e vendeve të mëdha bëhet në bazë të standardeve diplomatike dhe jo të hatërmbetjeve.
Z. Moisiu a mund të më thoni impresionet tuaja gjatë ndjekjes së këtij evenimenti?
Për mua ishte hera e dytë që merrja pjesë në një ceremoni të tillë. Në vitin 2005 vihej re pjesëmarrja e mbi 60 kryetarë shtetesh të rëndësishme, ndër to edhe ish- presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bush.
Por në paradën e zhvilluar aso kohe merrnin pjesë vetëm trupat franceze ndërkohë që këtë viti tabloja e trupave që parakaluan në Kremlin ishte e plotësuar me të gjitha shtetet e aleancës që fitoi Luftën e Dytë Botërore.
Kjo më la një përshtypje pozitive sepse për herë të parë forcat që luftuan përkrah njeri-tjetrit demonstruan në një paradë të përbashkët. Një tjetër detaj i rëndësishëm ishte dhe fjala e Presidentit Rus Medvedev.
Ai iu drejtua të pranishmëve me fjalët “të dashur veteranë” dhe këtu shikoje një vlerësim të veçantë për ta. Dukej një ndjenjë krenarie për ata që bënë gjyshërit dhe etërit e tyre, për sakrificat e tyre falë së cilës ata janë në jetë sot. Ndërsa tek ne është për të ardhur keq se jo vetëm që nuk është ky lloj vlerësimi dhe nderimi për veteranët por edhe shtrembërohen fakte të luftës nacional çlirimtare.
Ndërkohë gjatë takimeve që unë kisha me të huajt, shprehej me nderim fakti që Shqipëria ishte i vetmi vend që është çliruar nga okupatori fashit dhe nazist me forcat e veta. Dhe kjo është e vërtetë. Në Shqipëri nuk shkeli asnjë këmbë e ushtari i huaj i forcave aleate por vetëm përfaqësues të tyre.
Kur dëgjoja këtë ndihesha krenar për popullin tim por ne nuk duhet të ngatërrojmë luftën me atë çfarë ndodhi më pas në Shqipëri. Lufta qe një epope e lavdishme e shqiptarëve. Ajo na vuri në krah të aleatëve. Dhe nëse populli shqiptar nuk do të ishte pjesë e kësaj aleance rrezik, nuk do të ekzistonte kjo Shqipëri e sotme.
Z. Moisiu duke qenë se pjesëmarrës në këtë eveniment kanë qenë drejtuesit e një sërë shtetesh a e keni shfrytëzuar këtë rast për të bërë një lloji lobingu për Shqipërinë?
Aktivitete të tilla janë një rast shumë i mirë për të folur për vendin tënd. Sigurisht që unë kam bërë maksimumin për të përfituar nga çdo mundësi edhe për faktin se jam një ish-President i Republikës së Shqipërisë.
Por gjatë kësaj ceremonie do të përmendja takimin me presidentin Rus. Ishte një takim që zgjati rreth 15 minuta kur unë sigurisht nuk mund të bëj me dije hollësitë e bisedës në këtë kafe por tema e bisedës ka qenë Kosova e cila jo vetëm që është pjesë e kombit tonë por është dhe një shqetësim për stabilitetin e rajonit.
Por për mua konkluzioni i kësaj bisede është që Rusia po mban një qëndrim shumë më pozitiv për Kosovën. Sigurisht patëm dhe takime të tjera por më së shumti ato ishin në kuadër të protokollit të ceremonisë së paradës ushtarake.
Z. Moisiu në ditët që ju keni marrë pjesë në triumfin e forcave aleate, situate politike në vend është më e përçarë se kurrë. Jemi në një gjendje kaotike ku deri më tani nuk duket ndonjë zgjidhje. Si një ish- drejtues shteti, si e komentoni këtë situatë?
Unë dhe Presidentit Meidani kemi bërë një deklaratë të përbashkët ku i bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Rama që të gjejnë mundësi të ulen për të biseduar mbi krizën aktuale.
Shkuarja në ekstremitet të situatës nuk sjell asgjë të mirë për vendin. Por kështu më erdhi keq që të mërkurën policia ndërhyri në disa forma që unë nuk i quaj normale. Është e vërtetë që u bllokua rruga por policia duhet të gjejë mënyrën për të zhbllokuar rrugën dhe jo të përdori forcë.
Po të shkojmë në Francë, Spanjë, Greqi e gjetkë bllokohet rruga me muaj dhe unë nuk kam parë që të përdoret forca e policisë ndaj njerëzve në këtë formë. Pra të mos spekulohet në emër të ligjit, demokracia është demokraci dhe njerëzit kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre në të gjitha format e mundshme dhe të lejueshme kur atyre nuk u plotësohen kërkesat e tyre legjitime.
Pra në këtë aspekt transparenca e votës është thelbësore për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Kjo nuk është lojë fjalësh por një akt i domosdoshëm për të siguruar hedhjen e hapave të mëtejshme dhe pa bërë këtë ne nuk do të ndërtojmë dot demokracisë.
Ndryshe, neve, këta përfaqësuesit ndërkombëtarë që asistojnë në Shqipëri, që deri më tani po përpiqen që të na kthjellojnë, do të na kthejnë kurrizin të tërë. Askush nuk ka ndërmend të merret me ne gjithë jetën. Në këtë aspekt them që politikanët tanë duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për veprimet e tyre.
Në mënyrë të veçantë këtë përgjegjshmëri duhet ta ketë maxhoranca sepse ajo drejton qeverinë dhe shtetin. Është detyrë e saj të jetë më tolerante. Ajo duhet të ulet të bisedoje për të gjetur një zgjidhje. Unë nuk them se opozita nuk ka përgjegjësinë e saj por përgjegjësia kryesore i mbetet maxhorancës dhe ajo duhet të reflektojë.
Z. Moisiu prej mëse dy javësh 200 veta ndodhen në grevë urie ku kushti kryesor është pikërisht transparenca e zgjedhjeve. Ndërkohë që qeveria hesht në lidhje me kërkesat e opozitës. Në këtë situatë a shihni ju një qasje për të gjetur një zgjidhje të krizës?
Unë mund të them se nuk ka situatë pa zgjidhje, por e rëndësishme është vullneti politik që për fat të keq mungon deri më tani. Për të dalë nga kjo situatë unë do të sugjeroja uljen e palëve në bisedime. Transparenca është e rëndësishme por kjo nuk mund të behet me fjalë por mbi bazë të fakteve për të gjykuar se çfarë ka ndodhur.
Dhe për të bërë këtë duhet të shikojmë se çfarë kanë brenda kutitë e votimit. Për të gjetur zgjidhjen një variant mund të jetë që të mos hapen të gjitha kutitë, një tjetër është hapja vetëm e materialeve zgjedhore.
Kjo është më se e domosdoshme sepse mbi bazën e kësaj mund të shkojmë dhe në korrigjimet e kodit zgjedhor. Tashmë është e qartë se ky kod zgjedhor nuk funksionon. Atëherë duhet korrigjuar por për këtë nuk duhet të nisemi në mënyrë abstrakte pa parë së çfarë gabimesh kanë ndodhur.
E dyta, që është shumë e rëndësishme, komisionet tona zgjedhore janë shumë partiake. Por sidoqofshin ata nuk duhet të veprojmë mbi urdhrin e partisë por mbi atë të ligjit. Ndërsa deri më tani kanë vepruar mbi urdhrat e partisë qoftë nga njëri krah qoftë edhe nga tjeri. Unë mendoj se komisioneri që është emëruar nga një forcë politike ai duhet të zbatojë ligjin.
Dhe unë mendoj se ai që ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet përballë tij. Duhet që ata që kanë abuzuar të përballën me drejtësinë. Këto do të ishin disa forma diskutimi që do të nxirrnin vendin nga kriza. Por agravimi i situatës ka shumë artificializëm brenda dhe mendoj se politikanët e të dy krahëve, sidomos mazhoranca, duhet të tregohen shumë të kujdesshëm.
Z. Moisiu si do t’i gjykonit negociatat e ndërmarra deri më tani nga Presidenti Bamir Topi për zgjidhjen e krizës? Kam parasysh këtu që dhe ju jeni përballur me një situatë, megjithëse jo kaq dramatike?
Për fat të keq politikanët shqiptar nuk është e lehtë t”i ulësh në bisedime. Por t”i referohemi situatës së 2007 bisedimet u paraprinë ne negociata vetëm për tu ulur në tavolinë që zgjatën 6-7 muaj. Unë i kam ndjekur me vëmendje lëvizjet e Presidentit Topi dhe them me bindje që ai ka bërë pjesën e tij. Por në qoftë se palët nuk duan të bisedojnë Presidenti nuk mund t”i detyrojë me forcë.
Ndaj, në radhë të parë besoj se duhet ndërgjegjësim i palëve dhe fati i bisedimeve është në dorë të ndjenjave të përgjegjësisë që kanë mbi supe palët. Unë kam dëgjuar deri më tani deklarata që të dy palët janë gati për bisedime por deri më tani asnjë nuk është ulur në tryezë.
Për mendimin tim do të diskutohet për fillimin e zgjidhjes së krizës vetëm atëherë kur palët do të ulen në bisedime dhe këtë duhet të jenë të detyruar ta bëjnë për hir të ardhmes së kombit dhe vendit.