Nga Mero Baze, 28 Maj 2013
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dështuar të bindin kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, të rikthejë normalitetin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 4 javë para votimeve të 23 qershorit. Drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, ka dëgjuar prej kryeministrit Berisha arsyetimin e tij kundër normalizimit të situatës në KQZ, dhe nuk ka mundur dot të dalë nga zyra e tij me ndonjë sukses për t’u shënuar në këtë drejtim. Takimet e tjera të zotit Moore me partitë e opozitës janë fokusuar tek përgjegjshmëria e klasës politike për zgjedhjet e 23 qershorit, por duket se kjo është një gjuhë e drunjtë për Tiranën zyrtare, e cila nuk ka asnjë dëshirë që ta dëgjojë. Interesi për vizitën e zotit Moore u rrit pasi SHBA këmbëngulën në normalizimin e KQZ para zgjedhjeve, dhe u duk se do të merrnin një rol konkret në këtë drejtim.
Por Berisha ka qenë i prerë dhe ky mision, për aq sa mund të quhet i tillë, mund të thuhet se po shkon drejt dështimit. Berisha, siç është shprehur dhe në takim, ka dy opsione administrative, ose të rikthehen tre anëtarët që janë dorëhequr pas shkarkimit të anëtarit të KQZ, Ilirian Muho, ose të riprovohen tre të tjerë. Të dy opsionet janë thjesht një procedurë administrative, pa asnjë kuptim politik. Përballë këtij opsioni administrativ, është opsioni politik i opozitës, e cila kërkon ose rikthimin të KQZ në gjendjen fillestare para shkarkimit të zotit Muho, ose rikompozim të saj të plotë.
Po përse Berisha refuzon të pranojë një mision amerikan për KQZ-në?
Në aspektin politik, Berisha është i qartë se një tërheqje e tij për çështjen e KQZ-së do të jetë një sinjal për një dorëzim përfundimtar katër javë para zgjedhjeve i tij dhe do të nxisë një humbje të thellë. Bile ishte kjo arsyeja që Berisha tregoi muskujt tek KQZ sapo u prish koalicioni me Ilir Metën për të inkurajuar njerëzit e tij, që do ta mbajmë pushtetin me çdo kusht. Për këtë nuk bëri kujdes të respektonte as procedurat. Muhon e nisi ta shkarkonte si anëtar të LSI dhe e shkarkoi për një njollë në biografi, ndërsa injoroi çdo debat racional mbi zbatimin e ligjit dhe çdo këshillë perëndimore që ta ndalte këtë aksion. Sinjali i tij për militantët ishte i qartë dhe kishte të bënte me mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Një tërheqje tani nga ky vendim, do të jetë një sinjal i dorëzimit pa asnjë kusht dhe rrezikon ta zhdukë PD-në nga harta politike pas zgjedhjeve.
Në aspektin diplomatik, Berishës i intereson një konflikt i personalizuar me të dërguarit amerikanë, që mbikëqyrin zgjedhjet. Berisha është i qartë dhe i vendosur të prekë zgjedhjet dhe të fusë duart tek rezultati, gjë që e di se nuk do të tolerohet nga SHBA. Por ashtu siç ka bërë deri më sot, ai ka luajtur me dy nivele. Nga një anë paguan Podestën të relativizojë situatën në Shtëpinë e Bardhë dhe Departament të Shtetit, duke u ulur rëndësinë zgjedhjeve shqiptare dhe duke e mbajtur SHBA larg një misioni real në këto zgjedhje, dhe nga ana tjetër nxit dhe personalizon konflikte me diplomatët amerikanë të rangut të mesëm, për ta justifikuar debatin me SHBA me konfliktet e tij personale. Kështu, pas një ofensive publike kundër ambasadorit aktual, Aleksandër Arvizu, Berisha duket se është i prirur të prodhojë një konflikt dhe me zotin Moore, duke ia dështuar misionin e tij në Tiranë lidhur me KQZ.
Edhe pse zotit Moore mund ta marrë lehtë dhe qetë këtë punë, Berisha po tenton ta paraqesë para të tijve si një “thyerje hundësh” me qëllim që çdo qëndrim i ashpër i tij në të ardhmen të kanalizohet tek raporti personal. E kthyer në miniaturë, ky është modeli i konfliktit që Berisha krijoi me amerikanët në vitin 1995, kur i dërguari i presidentit, Shifter, i ardhur me mision zbutjen e krizës për pesë grekët e arrestuar, u zbua nga Berisha duke ia dështuar misionin e tij. Çdo gjë tjetër pastaj, që rëndonte mbi Berishën nga debatet me SHBA lidhur me zgjedhjet dhe të drejtat e njeriut, Berisha i justifikonte me raportet e tij të këqija me zotin Shifter dhe faktin që atij ia kishte dështuar një mision në Tiranë “duke i thyer hundët” për punën e pesë grekëve të arrestuar.
Me këtë standard Sali Berisha po sillet tani dhe me zyrtarin më të rëndësishëm të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, duke “ia thyer hundët” për një mision politik në Shqipëri lidhur me KQZ-në. Tani e tutje, nëse SHBA ashpërson gjuhën, nëse bën apele publike për KQZ, dhe nëse në fund ndodh që të ketë rezerva dhe për zgjedhjet me këtë infrastrukturë që po kryhen, Berisha do t’u kujtojë të vetëve se kjo nuk është vepër e SHBA, por e nja dy nëpunësve që ai u ka përplasur derën në fytyrë. Është shumë primitive, por në fakt është e vërtetë. Ndaj SHBA nuk ka pse sillet si kujdestare e dhimbsur për problemet e krijuara në Tiranë me zgjedhjet, pasi ato nuk janë probleme të krijuara nga padija, por nga vetëdija për të manipuluar zgjedhjet. SHBA nuk ka për të ndërmarrë misione pajtimi apo presioni, pasi as ato nuk i ha Sali Berisha. Ky i fundit ka vetëm një problem, që SHBA të mos distancohet zyrtarisht prej tij në publik. Çdo qëndrim tjetër ai e relativizon duke e personalizuar.
Ndaj zoti Moore ka harxhuar kot lekët e biletës nga Uashingtoni në Tiranë. Nga Uashingtoni shqiptarët kuptojnë më mirë kur flitet hapur për deformimet e demokracisë këtu, se sa kur hesht pasi del nga zyra e kryeministrit, ku nuk ke dëgjuar atë që pret. SHBA ose duhet të ketë qëndrim të sajin për këtë çështje, ose të mos merret fare, pasi është e tepërt që dhe ata t’i tërheqë zvarrë Sali Berisha. Dhe kur flitet për qëndrim, ai duhet të jetë një përdorimësh, dhe vetëm për t’u treguar shqiptarëve se SHBA janë në konflikt me Sali Berishën për zgjedhjet. Pastaj shqiptarët zgjedhin vetë.