Dështimi i projektit europian dhe rënia e NATO-s

0
25

Nga Financial Times, 16.05.2010

Është më tepër sesa ironike që NATO-ja është përkushtuar për të përcaktuar një koncept të ri strategjik, pikërisht në momentin kur marrëdhëniet transatlantike konsiderohen si më pak të afërta që nga vitet 1930.

Кy zhvillim, në njëfarë mase, pasqyron suksesin e Evropës. Ndërsa Evropa ishte arena qendrore në pjesën më të madhe të shekullit 20 dhe një teatër kryesor për të dyja luftërat botërore dhe luftën e ftohtë, ajo tani është kryesisht në paqe.

Çarja franko-gjermane është zëvendësuar nga një integrim më i gjerë i kontinentit brenda Bashkimit Evropian, me Francën dhe Gjermaninë në thelbin e tij. Evropa është në një masë të madhe e kompeltuar dhe e lirë. Çfarë ndodh brenda saj, nuk do tа përcaktojë harkun e shekullit 21.

Por, humbja e rëndësisë e Evropës gjithashtu pasqyron dështimet e saj. Projekti evropian po rrëzohet. Greqia është problemi më i theksuar, i nxitur nga vetë moskokëçarja e saj dhe lidershipi i dobët evropian, që ka lejuar të veprojë përtej mundësive dhe t’i shkelë kushtet, nën të cilat është vendosur euroja.

Kriza u përkeqësua nga ngurrimi gjerman dhe fillimisht nga përgjigjet e ndrojtura të institucioneve dhe qeverive evropiane. Dhe, euro mund të jetë një nga viktimat.

Tashmë ka shenja se kriza po përhapet në vende të tjera, të cilat janë duke vuajtur nga falimentimi. Pakoja e shpëtimit prej 750 miliardë eurosh, që u miratua këtë javë, do të blejë kohë, por nuk do ta adresojë falimentimin në thelb.

Rimëkëmbja e Evropës do të jetë e dobët në terma absolutë dhe relativë. Evropa tani është ekonomia më e madhe në botë, pak më e madhe se Shtetet e Bashkuara, por nuk do të jetë për kohë të gjatë.

Edhe para kësaj krize ekonomike, Evropa ishte dobësuar nga krizat politike. Shumë evropianë kanë qenë të preokupuar me rishikimin e institucioneve evropiane, por refuzimet e njëpasnjëshme të Traktatit të Lisbonës tregojnë se një Evropë e bashkuar nuk është më në imagjinatën e shumë banorëve të saj.

Pas kësaj është edhe realiteti i zymtë që evropianët kurrë nuk i janë përkushtuar Evropës, kryesisht për shkak të ndikimit të vazhdueshëm të nacionalizmit.

Nëse evropianët do të ishin seriozë për të qenë fuqi kryesore, do t’i këmbenin ulëset që britanikët dhe francezët kanë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me një ulëse për evropianët. Por, kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

Rrëshqitja e Evropës manifestohet edhe ushtarakisht. Disa shtete evropiane janë të gatshme të investojnë edhe 2 për qind të buxheteve të tyre për mbrojtjen. Dhe, ajo në çfarë ata i shpenzojnë paratë, ka pak kuptim.

Koha dhe demografitë nuk do ta përmirësojnë situatën. Nga mesi i shekullit, përqindja e evropianëve mbi moshën 65-vjeçare parashikohet të dyfishohet. Shumë më pak do të jenë për moshë ushtarake; një numër i vogël do të punojë për pensione.

Historia ka vendin e vet këtu. Lidhjet SHBA-Evropë dhe NATO-ja ishin destinuar të bëhen më të dobëta, duke i dhënë fund luftës së ftohtë. Aleancat tentojnë të formohen dhe të lulëzojnë në periudha të pashmangshme dhe konsensusi mbi kërcënimet dhe obligimet.

Kombinimi i të metave ekonomike, botëkuptimi i ngushtë politik dhe limitet ushtarake do ta përshpejtojnë këtë rrëshqitje transatlantike. Një Evropë e dobët do të ketë një zë më të ulët dhe një rol më të vogël.

NATO-ja nuk do të jetë më partner i përzgjedhur për politikën e jashtme amerikane. Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara do të krijojnë koalicione, të gatshme për t’u marrë me sfida të veçanta.

Këto grupe do t’i përfshijnë ndonjëherë vendet evropiane. Por, SHBA-të rrallë do ta shohin NATO-n apo Bashkimin Evropian si një. Edhe para se të fillojë kjo, koha e Evropës si fuqi kryesore botërore në shekulllin 21 duket të ketë përfunduar.