Pa normativitet, s’ka normalitet

0
69

Mero Baze

Albin Kurti, 16.05.2010

Duke kërkuar diçka vetëm për hir të dobisë e përfitimit, gjithmonë do të pranojmë edhe më pak, madje gjithnjë e më pak

Në demonstratat e vitit 1981 kërkohej Republika për Kosovën. Parimi i kërkesës, si një nënshtrat i kësaj kërkese, ishte barazia. Pra, nuk brohoritej “Kosova Republikë” vetëm pse republika do të sillte më shumë të mira materiale e shpirtërore apo për shkak se mungesa e mëtutjeshme e këtij statusi të avancuar do të ishte shumë e dëmshme.

Kërkesa për Republikën e Kosovës bazohej në barazinë që duhej ta kishin popujt në ish-Jugosllavi. Motivi i kërkesës nuk kishte thjesht karakter utilitar: ia vlen të burgosemi e vritemi disa ashtu që një ditë të jetë shumë më mirë për të gjithë.

Motivi kishte edhe karakter normativ: Kosova duhet të jetë republikë, meqë ajo duhet të jetë e barabartë me njësitë e tjera të federatës. Më parë sesa që interesi i ngjallte dëshirat, vullneti po i diktonte veprimet.

Një dekadë më vonë, kërkohej pavarësia e Kosovës. Ish-Jugosllavia po shpërbëhej dhe nga republikat e saj po dilnin shtete të pavarura. Kosova, e cila e kishte shpallur pavarësinë me 2 korrik 1990, po ashtu synonte që të bëhej shtet i pavarur. Mirëpo, sërish, jo vetëm për shkak se nuk dëshironte të mbetej nën Serbinë e Madhe dhe as vetëm për arsye që si vend i pavarur do të mund të zhvillohej e përparonte.

Pavarësia na duhej, sepse ajo na bënte të barabartë me të tjerët. Të barabartë me shtetet e reja që dolën prej Jugosllavisë në Europën e shteteve, të cilave po u shtohej numri. Sikurse kërkesa për republikë, edhe kjo për pavarësi, ngërthente në vete një dimension universal. Kërkohej ajo që do të ishte e përbashkët për të gjithë, që do ta kishte secili (nëse tanimë nuk e kishte). Pra, duke kërkuar diçka për veten tonë po afirmohej e njëjta gjë edhe për të tjerët.

Dy dekada më vonë, pra pasi që mbaroi lufta, vazhdonte kërkesa për pavarësi. Mund të mendohet që asgjë nuk paska ndryshuar sa i përket kërkesës, mirëpo nuk është kaq e thjeshtë. Kërkesa për pavarësi e kishte humbur tashmë aspektin e vet normativ.

Statusi i Kosovës ishte kurthuar në KS të OKB-së, ku ishte zënë peng në rrjetin e interesave të fuqive të mëdha. Në instancën më të lartë globale, e cila krenohej me universalitetin e dokumenteve të saj, paradoksalisht, Kosova ishte nxjerrë jashtë universales.

E ndihmuar nga injoranca e meskiniteti i elitës politike vendase, statusi i Kosovës ishte bërë ekskluzivisht çështje e hegjemoneve të anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së. Shoqëria kosovare nga të qenit faktor nuk mbeti as aktor, por veçse spektator i ndeshjeve diplomatike të të mëdhenjve.

Kërkesa për pavarësi sigurisht që ishte aty dhe i drejtohej bashkësisë ndërkombëtare. Por, kjo është dashur të jetë një arsye më shumë që të mirëmbahet dimensioni normativ i saj. Ne duam pavarësi sepse duam të jemi të barabartë me shtetet që janë njësi themelore e organizmave ndërkombëtarë si OKB, BE etj., të cilave iu drejtohej ajo kërkesë për mbështetje dhe ndihmë.

Edhe atëherë kur kjo kërkesë i adresohej një shteti të vetëm është dashur të ruhet karakteri normativ: ne duam të jemi shtet ashtu sikurse ai shteti nga i cili kemi kërkuar përkrahje.

Universaliteti e reciprociteti janë terme të afërta. Por, ato u bënë pafundësisht të largëta nga termi ‘statusi i Kosovës’. Nuk vonoi shumë e na definuan si “sui generis” – jashtë prej çfarëdo parimi, norme a kriteri.

Ishim dëbuar jashtë universales të cilën po e përforconim negativisht. Universalja u bë ca më e qartë se përpara nëpërmjet faktit që dihej se universale është diçka që nuk është rasti i Kosovës.

Njerëzit nuk kërkonin më barazi, liri a drejtësi por vetëm kërkonin që të jetojnë pak më mirë. Nuk ekzistonte më fitorja porse vetëm përmirësimi. Nëse dikur ishim si i burgosuri në qeli që do të jetë i lirë, mandej u bëmë si pacienti i shtrirë në spital që shpreson t’i përmirësohet gjendja sadopak.

Nga një subjekt i fortë që shtypet e diskriminohet por që insiston në kërkesën e tij normative, u shndërruam në një subjekt të ndrojtur, i cili ndahet dyfish i kënaqur atëherë kur me lëmoshën nuk e merr edhe një shqelm prapa. Nga një subjekt të cilin nuk e pyesnin policët, sepse dihej se çka do, u shndërruam në një subjekt që pyetet veçse për ta pohuar me kokë aprovimin e mjekut më ri.

Në periudhën e luftës çlirimtare dëshironim të çlirohemi për të qenë të lirë SIKUR popujt e tjerë që janë të lirë – të jemi të barabartë me ta. Në periudhën e negociatave për statusin e Kosovës dëshirohej që të na trajtojnë si askënd tjetër, që të jemi pambarimisht të veçantë, të jemi ‘sui generis’. “Rasti i Kosovës është i veçantë dhe Kosova s’bën të krahasohet me asnjë rast tjetër”, thoshin që nga presidenti Sejdiu e teposhtë.

Për pasojë, sot pavarësia e Kosovës nuk ka bazë normative dhe prandaj vazhdimisht prej Kosovës kërkohet të negociojë me Serbinë. Për dallim, Mali i Zi nuk negocioi më me Serbinë për veten e tij. Ai i ndoqi hapat e duhur: referendumin që mishëron vetëvendosjen si e drejtë universale e pastaj shpalljen e pavarësisë të bazuar në atë referendum. Kushtetuta që ne kemi nuk na jep kurrfarë sigurie.

Në fakt, ajo është vetë pasiguria. Sepse, kjo Kushtetutë duhet të lexohet prej fundit, prej atje ku në pak nene rrëfehen fuqitë arbitrare të ICO-së dhe dominimi i Planit të Ahtisaarit mbi kushtetutën, e të cilin e interpreton sërish ICO-ja. Bazat e shtetit të Kosovës nuk janë aspak normale. Ato janë aq abnormale saqë s’mund të jenë baza që arrijnë të bartin diçka sipër tyre.

Duke e trajtuar pavarësinë vetëm si dobi e përfitim që ishte vetëm kaq i mundur në rrethanat aktuale dhe jo si e drejtë e jona e vullnet yni, pazari me Serbinë asnjëherë s’arrin dot të mbyllet. Shpallja e pavarësisë nuk mund të jetë fundi sepse konsiderata që ka Kosova nga krerët e saj shtetërorë nuk ka ndryshuar formë.

Tash jetojmë më mirë, na thonë politikanët. Ndoshta edhe dikush tjetër përveç politikanëve po jeton më mirë, por problemi është gjetiu. Të jetosh më mirë do të thotë që ende nuk po kërkon të jetosh mirë (si vendet normale). Më mirë, kurrë s’është mirë. Vetëm mirë është mirë. Duke e kërkuar këtë ‘më mirë’ nuk mund ta arrijmë atë të mirën normale. Pa normativitet, s’ka normalitet.

Duke kërkuar diçka vetëm për hir të dobisë e përfitimit gjithmonë do të pranojmë edhe më pak, madje gjithnjë e më pak. Përderisa kërkesa e synimi nuk kanë edhe bazë normative rezultati final gjithmonë del i shpërfytyruar. Disi sikurse kjo pavarësia jonë. Me logjikën e kufizuar nga dobia e përfitimi madje edhe vetë këto mbesin të pakta.

Këto ditë, tri dekada më vonë, megjithatë dëgjoj gjithnjë e më shumë njerëz teksa thonë që duan jetë normale. Dhe, kjo gjë natyrisht që ma ngroh zemrën. Është e qartë që normale ata e quajnë jetën e qytetarëve në një vend të BE-së.

Njerëzit në Kosovë duan të jenë të lirë si ata e të barabartë me ta. Ata po bëhen përherë e më të gatshëm që ta braktisin përvojën (gjithsesi të hidhur) si pikënisje për ta bërë atë që duhet (sipas vullnetit të tyre). Rruga për te normaliteti kalon nëpër normativitet.