Aksident, 17 vjeç… të ulërasësh

0
42

Analiza – REDAKSIONALE, Shqiptarja.com, 28 Maj 2013

Kaq ishte mosha e drejtuesit të mjetit të djeshëm, përplasja e të cilit solli vdekjen tragjike të një tjetër 17 vjeçari dhe të një 22 vjeçari. Një aksident sa i llahtarshëm për ata prindër aq edhe tronditës për gjithë shqiptarët që kanë parë me sy makinën të ndarë më dysh nga shpejtësia shumë e madhe. Të vajtojmë është gjëja më e thjeshtë. Të ngushëllojmë…kemi kaq vjet që e bëjmë këtë. Apelet kanë mbetur rrugëve të mbushura me lule e pllakate. Ka mbetur veç të ulërijmë.

Që të dëgjojnë ata prindër që lejojnë fëmijët e tyre të ngasin makinat. Oooooo njerëzzzzzzzz mos gëzoni, e mos iu mburrni shokëve në lokalin e fshatit e në birrarinë e qytetit se shih sa bukur i jep makinës djali im. Jepi patentë djalit tënd. Mos ja bli. Lere djalin të mbushë 18 vjeç, pastaj mësoji makinën. Mos e ngrefos djalin të bëjë “të fortin”. Mësoje të dojë jetën, të respektojë jetën. Kjo është llahtarë. Nëse prindi e ka ditur se fëmija i tij po i jepte makinës, ai nuk është prind. Nuk dimë çfarë emri t’i vëmë. Por jo prind.

Sepse edhe kafsha e ruan pjellën e saj nga çdo rrezik. E makina, në dorën e një adoleshenti është një rrezik. Ashtu si ai i djeshmi. Që veshi dy nëna me të zeza. Po a kaq të lirë e keni jetën oooo njerëzzzzzzz. Vetëm kjo ka mbetur për këta prindër, e për ata që argalisen teksa fëmija-adoleshent ngre re pluhuri në rrugët e fshatit, apo xhiron gomat në asfaltin e qytetit.

Dhe policia rri e vështron. Këtë rradhë nuk i mbrojmë dot, këta lloj policë rrugore. Jo për këtë rast. A nuk ka polici. A nuk e kanë parë. A e kishte për herë të parë që dilte me makinë ky 17 vjeçar? Apo i njohin kushëririn, të jatin, komshiun? Apo njohin atë vetë? Kush është ai polic rrugor që ka kthyer kokën në anën tjetër kur ka kaluar ky benz i zi, me shpejtësi llahtarë? Pse nuk e ndaloi?

Kush është ai pronar lokali që u dha për të pirë? Kush? A nuk lejohet pijet alkoolike nën 18 vjeç? A shiti të paktën? A bëri xhiro? A i fitoi ato 5 mijë lekët? Dakort. T’i hajë gëzuar. Po si o njeriiiii nuk i the atij djaloshi të pamend, lere këtë makinë, se ta sjell unë. Ose hajde se po ju çoj unë në shtëpi. Le të silleshin keq. Le të të bërtisnin. Le të bënin si të fortë. Ata dy sot do ishin gjallë, e ai tjetri nuk do të luftonte me vdekjen.

Çfarë është duke u bërë? Prindër, qytetarë e policë sikur kanë bërë “konspiracion”. Të ikin dy jetë për “një xhiro” me makinë, për një trill fëmijësh kjo është llahtar, ky është tmerri më i madh nga gjithë të tjerët. Këtu duhet të ulërijmë të gjithë, që të dëgjojnë edhe ata në fshat, edhe këta në qytet, edhe polici i rrugores që i sheh targën, por nuk lëviz nga vendi, edhe baristi që i jep alkoolin, e i merr lekët, edhe ai qytetari që sheh “punën e tij” e largohet tutje me një “kokën hëngshi”.
Ata të rinj nuk kthehen më… Ulërini sot, që nesër të mos vajtojmë sërish.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.05.2013
Rdaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)