FRIKA NGA TRANSPARENCA DËSHMI E PALIGJSHMËRISË

0
54

Daut Gumeni

Reagimi i deritanishëm i pushtetit ndaj grevës së urisë që zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” – që zhvillohet aty midis dy godinave që kryeqyteti ynë ka trashëguar njërën nga koha e diktaturës fashiste dhe tjetrën nga koha e diktaturës komuniste – tregon veç të tjerash edhe një frikë të madhe nga transparenca. Tregon jo vetëm frikë nga transparenca e zgjedhjeve të dështuara të radhës me 28 qershorin e kaluar, por tregon frikë nga transparenca e mënyrës se si përdoren paratë publike të mbledhura nga taksat e qytetarëve. Tregon frikë nga transparenca e marrëdhënieve të pushtetit aktual të Tiranës me miqtë e pushtetit të tyre në institucionet ndërkombëtare, tregon dhe frikën e madhe të pushtetit aktual nga transparenca e marrëdhënieve të tij me fqinjët tanë e me miqtë dhe aleatët strategjikë në BE dhe në Uashington.

Gjithkush bën pyetjen këto ditë të nxehta të krizës politike, që kulmojnë me grevën e urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” :”Si është e mundur që grevistët e urisë nuk i ka vizituar ende asnjë përfaqësues i pushtetit?”…

Dhe është më se e natyrshme të vijohet gjatë me pyetje të tilla… A kanë marrë përsipër ta qeverisin këtë vend pushtetarët tanë aktualë, apo edhe këtë herë i vodhën votat për ta sunduar? A kanë një fije përgjegjësie pushtetarët aktualë, të paktën për sigurinë e jetës së qytetarëve të këtij vendi? Nuk e kujtojnë fare pushtetarët tanë aktualë as atë thënien e urtësisë njerëzore se “Një pushteti që nuk të siguron dot jetën, nuk i detyrohesh për asgjë”?…

Dhe pastaj vjen vetiu ajo pyetja e pyetjeve e më e thjeshta e më thelbësorja e të gjithave: Përse kanë kaq shumë frikë nga hapja e kutive të votimit, kur janë aq të bindur sa të bindin dhe miqtë e pushtetit të tyre në BE se na i paskan fituar paq ato “zgjedhjet më të lira, më demokratike e më të ndershmet e zhvilluara në historinë e këtij vendi”?… Për të mos përmendur që, kur tremben kaq shumë të hapin kutitë edhe për zgjedhjet “më të mira e më të lira” që kanë zhvilluar në historinë e tyre pushtetarët tanë, merret me mend lehtë se ç’paskan punuar me zgjedhjet e tjera (!)…

* * *

Pastaj, kur qenka e vërtetë se kriza politike dhe vetë sakrifica e grevistëve të urisë na qenka “vetëm pjellë e interesave personale të kryetarit të opozitës” apo më saktë pjellë e fantazisë së tij, pse nuk i hapin kutitë faqe gjithë botës që edhe “armiku i radhës i demokracisë” së klonuar në laboratorët e Partisë së Punës të largohet nga politika, pasi ta ketë parë bota mbarë humbjen e tij në “zgjedhjet më të lira e më të ndershme të historisë”?… Kur qenka aq e vërtetë se kreu aktual i opozitës e bën tërë këtë gurgule vetëm për të mbajtur të uzurpuar Partinë Socialiste, pse nuk i hap kutitë pushteti aktual dhe t’i gjejë edhe Partisë Socialiste një Sali Rexhep të ri fringo për ta shpurë Shqipërinë në BE me një parti të vetme e me parullën e dikurshme “Populli në këmbë, Partia në ballë!”… Mbase ka dhe në Europë nostalgjikë të “vitorjeve” të tilla, doemos midis miqve të pushtetit tonë aktual…

Ja pse këto ditë të rënda për shëndetin e grevistëve të urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjithkush mund të çuditet me frikën që kanë nga transparenca përfaqësuesit e pushtetit. Një çuditje që të bën të mendosh se tërë kjo frikë e këtij lloj pushteti nga transparenca e të gjitha punëve të qeverisjes aktuale e jo vetëm nga transparenca e zgjedhjeve, është një dëshmi e pakundërshtueshme e paligjshmërisë së një pushteti të ngritur mbi themele kaq të lemerisura nga frika e transparencës më të nevojshme për të gjitha punët publike në të gjithë botën e zhvilluar, ku themi se duam të ingranohemi, por që pushtetarët tanë po përpiqen aq shumë për ta larguar vendin sa më tepër prej asaj bote e prej asaj dite të ëndërruar me zjarr nga të gjithë shqiptarët e varfër.

Atëherë nuk duket dhe aq e vështirë të kuptohet nga të gjithë se pse trembet aq shumë nga transparenca pushteti aktual. Pse trembet aq shumë nga ballafaqimi me të vërtetën, sa të mos guxojë as t’i shohë në sy grevistët, qoftë edhe në një vizitë mirësjelljeje në emër të detyrës së pushtetarit. Se edhe pushtetarët që bëjnë regjistrimin e popullsisë në vend të zgjedhjeve demokratike – duke nisur nga Koreja e Veriut e në Kubën e Kastrove – kanë aq mirësjellje pushtetari sa të mos i sulmojnë grevistët me antimitingje, që e kthejnë dhe Një Majin nga festë të diktaturave komuniste në festë të “fitoreve europiane”… As ai sorollop diktatorësh nuk ka arritur ta veshë dhe Një Majin e feudalëve të kuq me ngjyrë blu, si të ishte festë e policisë…

Edhe diktatorët më të fandaksur, mundohen me zor të tregohen sa për sy e faqe disi më të përmbajtur në sulmet ndaj grevistëve të urisë. Edhe përbindësha të tillë socialë, si diktatorët fashistë e komunistë, arrijnë të përmbahen sa të mos i fyejnë grevistët e urisë, ca më tepër kur bëhet fjalë për gra e për vajza greviste. As këtë përmbajtje nuk arrin ta ketë pushteti aktual dhe kjo është vetëm pasojë e frikës nga transparenca. Është dëshmia më bërtitëse se dhe vetë ky lloj pushteti e di që përpiqet kot ta fshehë paligjshmërinë e vet.

Prandaj dhe të kap vërtet një trishtim i rëndë, kur sheh se si ministra e deputetë të pozitës e harrojnë fare punën për të cilën paguhen dhe vihen në rresht për të sharë një njeri, kryetarin e opozitës. Të kap një dhembje koke, kur sheh se si vihen në rreshtat e listave të gjata për të mallkuar grevistët e urisë edhe ata njerëz, që shoqëria pret t’u prijnë proceseve demokratike dhe jo të nënshkruajnë dhe sot e këtë ditë ca nga ato letrat e famshme, që bashkëpunëtorët vullnetarë të Kooperativës së Fier-Sheganit i dërgonin dikur “udhëheqësit legjendar”…

Ja e zumë se pushtetarët tanë aktualë nuk kanë as dritë e as nevojë të lexojnë Deklaratën e Algjerit të vitit 1978, që u siguron popujve Katër të Drejta Themelore:

a) Të Drejtën për Ushqim
b) Të Drejtën për një Mjedis të Përshtatshëm
c) Të Drejtën për Zhvillim dhe
d) Të Drejtën për Paqe

Po njerëzit e këtij vendi të varfër, që janë paguar një jetë për të qenë në ballë të zhvillimeve dhe jo në rreshtat e listave mallkuese të paramilitarëve partiakë, pse nuk e kanë lexuar një herë të vetme atë deklaratë? Se po ta kishin lexuar një herë atë deklaratë e, pasi të shikonin se pushteti (edhe ashtu me vota të vjedhura sikundër po mundohet të na e ligjërojë edhe Europa e lirive) t’i kishte siguruar popullit të vet ato të drejta, atëherë mbase mund të vinte radha edhe të bënin vërejtjet e tyre kundër protestave opozitare, në cilëndo formë që të dëshironin. Sepse ndoshta duhej së pari të uronin shëndet të mirë për protestuesit grevistë e pastaj t’u tregonin dhe mundësitë, që ata nuk i paskëshin shfrytëzuar para se të arrinin të ngujoheshin në grevë urie…

Sepse njerëzit e paguar një jetë për punë kulture, bota e qytetëruar nuk i radhit në listat e tifozëve të pushtetit, kur qytetarët e saj janë në grevë urie. Sepse bota e qytetëruar, ku duam mbase të gjithë të vemi, nuk mallkon protestuesit dhe grevistët e urisë kur pushteti ka vjedhur votat e popullit, kur pushteti ka shumëfishuar dhe çmimet e ushqimeve, të energjisë e të ujit. Bota e qytetëruar, ku mbase duam të gjithë të vemi sa më shpejt, nuk përgjërohet për pushtetet e votave të vjedhura. Bota e qytetëruar përpiqet të shëndoshë shtetin e të gjithëve dhe jo pushtetin e disa të zgjedhurve si trashëgimtarë besnikë të diktaturës së djeshme. Bota e qytetëruar, për ku duhej të na prinin të parët njerëzit e paguar një jetë për punë kulture, jo vetëm që nuk i mallkon ata që sakrifikojnë shëndetin e vet në grevë urie, por i përshëndet e i mbështet haptazi të gjithë ata qytetarë të mirë, që kanë guximin e protestuesit për të drejtat e të gjithëve.

Se në atë botën e qytetëruar, ku duhet të na prinin njerëzit e paguar një jetë për punë kulture, nuk i dërgohen pushtetit letra e lista për ta siguruar që mbeten edhe sot e këtë ditë ca “ndihmës besnikë të Partisë”… Se atëherë, më shumë se protestuesit opozitarë e më shumë se grevistët e urisë, vuan vetë kultura e një vendi, vuan vetëdija politike dhe kujtesa historike e një populli.

* * *

Dikur i paharruari Lumo Skëndo shkruante në tregimin “Plaku i Lynecit” se fati i Shqipërisë i ngjante një djepi të varur përmbi humnerë. Ishte në dorë të shqiptarëve të mos e linin fëmijën-fat të binte në valët e turbullta, por të dëgjonin Plakun e Lynecit – të mos hanin njëri-tjetrin por të bashkoheshin në udhën e përparimit…

Shqiptarët, si të shumtën e historisë së tyre, nuk dëgjuan zërin e dhimbjes që dilte nga shkëmbi i Lynecit – nuk u bënë dot bashkë kundër të keqes, por u ndanë në palë dhe e lanë djepin e fatit me fëmijën brenda të binte në valët e turbullta…

Ato çadra të grevistëve të urisë, që qëndrojnë të heshtura midis dy godinave të pushtetit (njëra trashëgimi e diktaturës fashiste dhe tjetra trashëgimi e diktaturës komuniste), është mirë t’i shohim të gjithë tok si çadra të urisë për liri. Le t’i përshëndetim të gjithë paqësisht, madje le të përpiqet dhe vetë pushteti aktual t’i përshëndesë që, të paktën një herë, e mira e vendit të dalë përmbi interesin e vockël të pushtetit të verbër. Ashtu besoj se fitojmë të gjithë, se fitojmë të gjithë kur fiton liria. Fitojmë të gjithë kur fiton Shqipëria demokracinë e vërtetë e jo këtë kaçamak komunisto-fashist, që arrin të mallëngjejë edhe zonjën e nderuar, Doris Pak, si mike të pushtetit në Bruksel, por nuk e bind dot Elsa Lilën e mirë të ngujuar për turpin tonë e nga paaftësia jonë në ato çadrat e grevës së urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.