
Nga: ANILA BASHA
TIRANE- Kisha dy ditë me radhë që mendoja nëse editorit të televizionit “Klan” duhet t’i ktheja ose jo një përgjigje. Jo se pashë shkrimin e Mozës (Dervishit) te gazeta “Shqip” dhe vendosa të reagoj, por sepse më duket realiste, e nderuar kolege (po të drejtohem tashmë ty), të them disa fjalë më shumë sesa ato që ti ke thënë në atë shkrim.
E para, më vjen keq sa tmerrësisht na polarizoi kjo situatë, na vuri në dy skaje, pa dashur të jemi të tillë.
Moza e dashur,
Ti i konsideron fletërrufe, emrat tanë të vendosur në atë listë te televizioni ‘Klan’. Unë nuk e konsideroj të tillë këtë listë. Unë e ti, e dashur Moza, nuk bëmë asgjë fshehtas… E bëmë ballas, e bëmë në mes të sheshit, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, e bëmë në sy të të gjithë njerëzisë e kamerave që ishin vendosur aty. Se na përmendi “Klan”, apo “55”, apo “RD”, apo “Gazeta Shqiptare”, kjo, pak rëndësi ka. Sepse po, unë isha te grevistët e urisë në atë shesh, me një tufë me lule, në shenjë mirënjohje për 200 burra e gra që sakrifikohen.
Nuk isha aty për Edi Ramën, të cilin e gjykoj për mungesën e një strategjie të qartë se çfarë do të ndodhë më tej (sepse, më rezulton se nuk ka asnjë lloj strategjie)… Por, isha atje sepse ndiej dhimbje për ata njerëz të shtrirë mes sheshit (aty ku edhe unë jetova 24 orë)… Sepse, besoj vërtet në aspektin human, atë që mendoj se duhet ta shohin edhe shumë kolegë të tjerë të mi, të cilët vërtiten rreth kafes së Fidelit, apo në vilën Logoreci (pronë e deputetit Artan Gaçe që vuan grevën e urisë prej 13 ditësh)… Sepse, mendoj se ky është edhe misioni ynë i përbashkët. Yti, imi, i Andit, Erlit, Rudinës, Arbanit, Ilirit, Bledarit, Aleksandrit, Enedit, Samiut, Blendit, e shumë kolegëve të tjerë, pra, të shohin atë që populli nuk e sheh dhe ta transmetojnë ashtu sikurse e shohin.
Edhe ne gazetarët, nuk mund të jemi të ftohtë. Ne jemi editorë të gazetave dhe televizioneve kryesore në vend. Sot në botën e medias, nga ajo që themi e ajo që shkruajmë, një popull (jo kaq indiferent sa ç’duket) na dëgjon e na shikon në mënyrën sesi transmetojmë e flasim. Nëse themi ka krizë, kjo nëse nuk besohet, ka elementë të së vërtetës, nëse themi ka konflikt, kjo po aq është e vërtetë konsiderohet prej tyre ose jo… Nëse japim mesazhe paqeje, na dëgjojnë edhe më shumë.
E zgjodha të dialogoj me ty nga mediumet tona të shkruara, jo se nuk i diskutojmë në kafe këto, por sepse duhet që mendimet tona t’i shohin dhe dëgjojnë edhe ata për të cilët ne shkruajmë. Sepse, unë jam gazetare, punoj në Shqipëri, në tranzicionin tonë të pështirë, të tejzgjatur, të masakruar nga një klasë politike që nuk e çan kokën për ata grevistë, për qytetarët e thjeshtë, por as mbështetësit e vet të secilit kamp. Dhe si e tillë, në pikëpamjen njerëzore ndikohem… ndikohem nga realiteti ku një palë është duke shfaqur shenjat e para të rebelimit, dhe pala tjetër hesht…
Sepse, edhe mua, sikurse ty e dashur Moza, më kujtohet greva e urisë së deputetëve të PD-së përballë TVSH. Nuk kishte çadra në atë kohë, kishte një makinë të vendosur mes ambasadës italiane dhe TVSH. Mesnata më gjente me deputetët e PD-së çdo ditë të grevës. Berisha (lider i opozitës në atë kohë) që i vizitonte në orën 1 pas mesnate, kur më shihte aty të vetmuar, pa asnjë televizion në atë kohë apo gazetar tjetër, thoshte: kjo është misionarja e fjalës së lirë…E pse të mos më kujtohet sot ky episod, kur sot më vendosin emrin në atë fletërrufe që përmend ti?
Sigurisht, Bejtja s’ka nga ta dijë këtë fakt, sepse nuk ka qenë kryeredaktor i “Koha Jonë” në atë kohë, gazetë ku unë punoja. Por, ja e nderuar kolege, paskan ndryshuar kohët! Siç ndanë artistët, duan të na ndajnë edhe ne gazetarët, që gjithmonë kemi ndenjur bashkë…si edhe në ’97, kur mbronim po me aq fanatizëm kolegët tanë që nuk i donte mileti. Ashtu sikurse më kanë mbrojtur mua, e nderuar kolege, kur mbuloja në ’98 aktivitetin e PD-së dhe sa e sa herë kanë dashur të më rrahin…
E ja pra, kohët paskan ndryshuar. Ose jo. Jo, u shpreha gabim, ne gazetarët kemi ndryshuar. Ç’të të them Moza? Të të them se ata që na gjykojnë, janë ata, bosët, megapronarët, pronarët e mëdhenj të ndërtimeve, ata që nuk llogarisin më sesa shtëpi kanë bërë në emër të lirisë së medias apo në emër të profesionit të gazetarit, por ata që ulen kafeneve të shtrenjta të Tiranës dhe krahasojnë se çfarë marke i kanë marrë kostumet. Dhe na gjykojnë ne, mua, pse ndenja 24 orë në grevë dhe bëra detyrën e gazetarit, ty, Rudinën, Enon, Lorencin, Ilvën…
Dhe, ta them me bindje, se shtëpinë time 1 + 1 të cilën nuk e kam shlyer akoma nga kredia (e verifikon çdokush me bankën se kam edhe nja 18 vjet për ta shlyer), apo Rudinës, apo ty, që nuk je stacionuar ende këtu, Enos, Ilvës që e njoh njëlloj, po e bëjmë pak e nga pak me profesionin tonë të gazetarit. Jo nga gjobat që i kemi vënë Edi Ramës, as Sali Berishës për politikën editoriale të mediumeve që drejtojmë e të cilën s’e kemi në dorë, sikurse bëjnë kolegët tanë të nderuar…
E dashur kolege,
Nuk do kisha shkruar asnjëherë kështu, por them se po nuk folëm pikërisht tani, kur media sulmon median, s’do të flasim më kurrë… do na baltosin për të treguar se jemi kundër të drejtës sonë. Por, unë të them me bindje: nuk na baltos dot një gazetar me tre shtëpi në Tiranë e dy vila në bregdet; as ndonjë tjetër që na tregon garderobën e fundit që ekziston në botë dhe që e ka veshur më së fundi; as ata që shëtisin me ‘BMW’ X5 apo me ‘Tuareg’, as ata që e kanë ngritur nivelin me ‘Benz’ tip i fundit; as ata që janë bërë bashkëpronarë ndërtimesh; as nga ata që kanë zaptuar ligjshmërisht toka të mrekullueshme në periferitë e Tiranës…
Të them të drejtën, këta vetëm gazetarë nuk janë… Habitem si nuk gjej ndonjë vendim qeverie firmosur prej tyre, ose ndoshta ekziston diku fshehur, joligjor. Ndaj, nuk e ndiej veten pjesë të asaj fletërrufeje që pashë edhe unë, sikurse ti, te ‘Klan’. Dhe, ne që nuk e ndiejmë veten të tillë, jemi shumë më shumë sesa këta që të përmenda. Një lloj ndjenje indiference na pengon të reagojmë. Të reagojmë për mungesën e profesionalizimit te lajmi dhe te e vërteta, që po arrin në nivelet e tij të ulëta.
Dhe, po aq poshtë sa ka rënë ky lloj e soj komuniteti që unë përmenda, po aq poshtë ka rënë dhe ka degjeneruar shoqëria shqiptare, që informatat e fundit i pret prej këtyre njerëzve mediokër.
(G.SH/BalkanWeb)







