
Mustafa Nano
Zululand
Berisha do bënte një gabim fatal, nëse protestuesve të opozitës do t’u nxirrte përballë njerëzit me uniformë blu. Ai po bën ca tentativa të ndrojtura (këto të ditëve të fundit, në fakt, nuk kanë qenë dhe aq të ndrojtura) për ta mobilizuar policinë e republikës, por duket se hë për hë synon të masë pulsin e të tjerëve (të opozitës, të opinionit publik, të ndërkombëtarëve etj., etj.), e jo të realizojë praktikisht një konfrontim të tillë.
Por nuk është çudi, megjithatë, që në të ardhmen ta humbasë logjikën në atë masë, sa të urdhërojë policët të ushtrojnë dhunë mbi protestuesit. Pas shumë javësh, në harkun e të cilave kish ruajtur një lloj qetësie në komunikimin publik, e pamë më në fund të dilte e të fliste me zhargonin e vet. “Bllokqenët”, ishte gjetja e tij më e re në shtërzimin folklorik e linguistik për të zëvendësuar emërtimin “bllokmenët”, me të cilin ai dallon socialistët. E lezetshme, apo jo? Bllokmenët nuk jetonin dot ato kohë pa pasur rrotull lloj-lloj bllokqenësh. Ec e merre vesh, se kush ka qenë bllokqen!
Kjo do të thotë se është duke e humbur toruan. E në këto rrethana, edhe mund ta marrë vendimin për ta zgjidhur këtë krizë nëpërmjet policisë. Duhet të ketë plot rrugaçë, që sillen rrotull pushtetit, të cilët mund t’ia këshillojnë këtë zgjidhje. Ca syresh janë dëgjuar të thonë: “Ja, shihni ç’po bëhet në Greqi! Aty policia po vepron ashpërsisht. Edhe në vende të tjera shteti nuk toleron bllokime rrugësh e veprime të tjera, që pezullojnë jetën nacionale”.
Nuk e dinë, apo bëjnë sikur nuk e dinë, që nuk ka asnjë lidhje midis trazirave në Greqi, apo gjetkë, dhe krizës në Shqipëri? Kjo e fundit është një krizë politike. Me fjalë të tjera, në Shqipëri është ngritur në këmbë opozita. Policia mund të përdoret ndaj demonstruesve, të cilët përfaqësojnë interesa lokale apo të limituara, e të cilët vihen dhunshëm në mbrojtje të këtyre interesave, por policia nuk mund e nuk duhet të përdoret kundër opozitës. Në demokraci kjo e fundit është më e rëndësishme se sa çdo institucion tjetër. Është më e rëndësishme edhe se sa vetë policia, madje, edhe se sa vetë rendi kushtetues. Në momentin që Policia e Shtetit përdoret kundër opozitës, atëherë policia nuk është më e shtetit dhe shteti nuk është më i opozitës.
Në asnjë vend normal demokratik policia nuk përdoret kundër opozitës. Kur opozita del në rrugë, qeverisë nuk i mbetet shumë për të bërë: është e detyruar të ulet e të bisedojë me opozitën, pavarësisht nga “qiqrat në hell” që kërkon kjo e fundit. Madje, përshkallëzimi e radikalizimi i protestës së opozitës në demokraci bën dramatikisht më të nevojshëm, jo mobilizimin shtetëror kundër opozitës (kjo ndodh në republikat e bananeve), por bash reflektimin e pushtetit lidhur me kërkesat e opozitës.







