GLLASNOST!

0
77

Andrea Stefani

Andrea Stefani, 14 Maj 2010

Dy dekada më parë Europa mbështeti pa rezerva Gllasnostin në Moskë, por sot ngurron ta bëjë një gjë të tillë në Tiranë. Hap shumë probleme? Por mos është edhe më problematike një krizë pa fund pikërisht për shkak të mungesës së transparencës? Brukseli duket nuk po nxjerr mësimet e duhura politike nga kriza greke. Sepse nuk është ajo një produkt e mungesës së gjatë të transparencës?

Rreth 20 vjet pas përmbysjes së komunizmit nuk ka shteruar nevoja për atë metodë që Mihail Gorbaçov vuri në themel të atyre ndryshimeve që reformuan jo vetëm Rusinë, por tërë Lindjen. Shqipëria e mbytur nga korrupsioni e ka qarë këto dekada me kriza dhe gjak mungesën e transparencës. Kriza e piramidave financiare e vitit 1997, që pati për epilog rrënimin e shtetit, i kish edhe ajo rrënjët te mungesa e transparencës.

Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për Gllasnost, për transparencë. Dhe nuk është fort e habitshme që edhe disa zyrtarë europianë në Tiranë dhe Bruksel nuk po e ndjejnë një nevojë të tillë. Nuk e ndjejnë sepse edhe ata, madje akoma më shumë ata, nuk janë në gjendje të shohin prapambetjen reale të reformave integruese në Shqipëri. Pikërisht sepse mungon “gllasnosti”, mungon transparenca që të jep mundësi të shikosh qartë dhe për rrjedhojë edhe të kuptosh qartë. Duket se në Bruksel i besojnë plotësisht raportet e progresit pa progres që hartojnë skribët e tyre të paaftë në Tiranë.

* * *

Sikur transparenca të mos qe një nga ata elementë thelbësorë që dallon sistemin me liri nga ai pa liri, Gorbaçovi nuk do qe bazuar te gllasnosti në çastet kur perëndonte stalinizmi dhe dita e lirisë agonte nga mesi i errësirës diktatoriale. Prandaj është shqetësuese të shohësh sot ca zyrtarë në Bruksel apo Tiranë, që po e përdorin Kushtetutën si shkop nën rrota transparencës për votën dhe kur këshillojnë që opozita të heqë dorë nga kërkesat e saj europiane në emër të “integrimit europian”.

Është gabim fatal t’i cilësosh protestat e opozitës, dhe aq më tepër grevën sublime të urisë për transparencën, si të rrezikshme për integrimin. Në fakt, është krejt e kundërta. Aksioni i opozitë po çjerr maskën e një stabiliteti fals, pa drejtësi, e një stabiliteti autoritarist që në afatgjatë nuk premton integrim, por veçim final të Shqipërisë nga Europa. Ndaj në Bruksel është mirë ta kërkojnë kërcënimin e stabilitetit jo tek aksioni emancipues i opozitës, por tek ai faktor që ka 20 vjet që kërcënon e dhunon lirinë e njerëzve dhe institucioneve në Shqipëri, tek autoritaristi i pandreqshëm Sali Berisha dhe klani i tij i korruptuar.

Krizës në Shqipëri nuk i jepet fund duke bërë thirrje impotente për një dialog që nuk ekziston në kuadrin e institucioneve që nuk ekzistojnë. Kështu vetëm se zgjatet agonia, sikundër edhe po ndodh. Krizës i jepet fund duke folur jo si magjistricat e Makbethit, duke i bërë të dyja palët njësoj fajtore për krizën, por duke thënë troç të vërtetën, duke i thënë mjaft dhunimit që qeveria po i bën transparencës së votës. Vetëm kështu rriten shanset për drejtësi, për një stabilitet të themeluar mbi drejtësinë e për rrjedhojë, edhe shanset për integrim të Shqipërisë në BE. Sepse a nuk është themeluar liria e Europës mbi drejtësinë dhe transparencën? Dhe nëse Brukseli nuk është në gjendje të mbrojë parimet e demokracisë në Tiranë, nuk do të vonojë që Brukseli nuk do të jetë në gjendje t’i mbrojë parimet e demokracisë as në Bruksel. Ky është një tjetër alarm që ngrihet nga çka po ndodh këto ditë në Tiranë.

* * *

Gabimi që bëjnë jo pak “ndërkombëtarë” në analizën e situatës në Shqipëri (edhe të krizës që po përjeton ajo) është mosperceptimi i fakteve, ashtu sikundër ato janë në të vërtetë, si një zinxhir zhvillimesh që vazhdojnë të qëndrojnë në rrënjë të krizës politike. Gabimi tjetër është se i drejtohen vullnetit të liderëve politikë, i bëjnë thirrje atyre që të kuptojnë më drejt “rëndësinë e momentit” për integrimin e Shqipërisë, ndërsa injorojnë një mal të tërë faktesh që denoncojnë se në Shqipëri ka liderë dhe klane të grupuar rreth tyre, me interesa krejt në kundërshtim me ato të integrimit europian të Shqipërisë.

Kryesori ndër ta mbetet Kryeministri Sali Berisha, i cili prej 20 vjetësh, që kur hyri në politikë, mbetet aktor dhe regjisor konstant i krizave politike në vend. Nuk ka krizë politike që të jetë zhvilluar në mungesë të Sali Berishës. Ai është përherë në qendër të tyre (sikundër edhe sot), me intolerancën e tij patologjike. Dhe nuk mund të mos çuditesh se si disa zyrtarë e diplomatë europianë nuk bëjnë fare përpjekje të zbulojnë lidhjen mes Berishës si lider enverist “i pazëvendësueshëm”, dhe krizave kronike që po bllokojnë integrimin në Shqipëri! Nëse një hetues do ta gjente një person në vendin e një krimi, do ta dyshonte si autor, por nëse do ta gjente për të dytën herë në vendin e një krimi tjetër, nuk do të dyshonte, por do të ishte i sigurt se kish gjetur autorin.

Berisha është prezent në vendin e “krimit” për 20 vjet rresht, por disa europianë shfaqen të paaftë të nxjerrin konkluzionin e duhur nga një konstante e tillë. Dhe si për ironi e kërkojnë zgjidhjen e krizës te politikanë si Berisha. Shkaqet e këtij verbimi mund të jenë nga më të ndryshmet, nga ngushtësisht personale dhe korruptive të një diplomati e deri tek interesa shtetesh dhe gjeopolitikash, për të cilat demokracia reale në Shqipëri nuk është ende një përparësi. Koha do t’i zbërthejë më mirë mistere të tilla, por të kërkosh nga opozita që të dialogojë me një Berishë që është qartazi i vendosur të mos hapë kutitë ku fshihen votat që ka vjedhur, është njësoj si t’i kërkosh një hetuesi të dialogojë me vjedhësin për mundësinë e fshehjes së provave dhe fakteve që denoncojnë vjedhjen. Është njësoj si t’i kërkoje Gorbaçovit që të reformonte shoqërinë dhe shkërmoqte diktaturën komuniste, pa vënë në përdorim gllasnostin, pa dobësuar themelet e tiranisë të ngritura mbi sekretin dhe errësirën.

* * *

Miopia politike i ka çuar disa zyrtarë europianë deri në zhvillimin e një lloj diplomacie absurde që merr seriozisht deklaratat e Kryeministrit shqiptar, që në fakt janë gënjeshtra të rëndomta. Berisha deklaron se është i hapur për transparencë, ndërkohë që këmbëngul se kutitë nuk mund të hapen. Jo pak brukselistë e marrin seriozisht këtë deklaratë, ndonëse ajo në thelb do të thotë që të përdorësh si mjet për “transparencë” errësirën dhe jo dritën. Berisha deklaron se është gati për “transparencë”, por pa cenuar Kushtetutën.

Jo pak brukselistë e marrin seriozisht këtë sofizëm vulgar (madje komisioneri Fule i bëri jehonë atij) dhe nuk shfaqin fije aftësie të pyesin se ç’na qenka kjo Kushtetutë që i vika kushte transparencës? Sepse në një demokraci të vërtetë, një nga thelbet e Kushtetutës, fryma e saj e përgjithshme është transparenca ndërsa sekreti, misteri, janë përjashtime. Në diktaturë ndodh e kundërta, thelbi i Kushtetutës është sekreti, fshehja, ndërsa transparenca është e ndaluar.

Transparenca, rinumërimi i votave, po bëhet deri edhe në Bagdadin e përgjakur nga lufta civile, kurse në Tiranën që synon integrimin me sistemin politik që ka në zemër transparencën, ajo shpallet e ndaluar si nën komunizëm. Pse? Sepse e pengoka “Kushtetuta”! Nëse do të ishte vërtet kështu, atëherë alarmi i Brukselit duhej të qe rregullimi urgjent i Kushtetutës shqiptare. Sepse një Kushtetutë që privon transparencën, nuk është për demokraci, por për diktaturë.

* * *

Mbi të gjitha në Bruksel nuk po kuptojnë se në Shqipëri nuk ka të ngritur një sistem institucionesh të lira të afta dhe me guximin për t’i vënë kufij politikës dhe liderëve të saj. Nuk ka skutë të shtetit, të institucioneve, medias, drejtësisë e deri edhe shoqërisë civile, që t’i ketë shpëtuar ndikimit të qeverisë në veçanti dhe politikës në përgjithësi. Në fakt, kriza e sotme ka në rrënjë të saj kapjen e institucioneve dhe drejtësisë nga politika. Sikur në Shqipëri të kish pasur një Komision Qendror Zgjedhor me integritet profesional, si dhe një Kolegj Zgjedhor të pavarur, kriza do të ishte shmangur dhe secili do kish marrë atë që i takonte, pa qenë e nevojshme t’i fshihej transparencës.

Këtë ca “ndërkombëtarë” e dinë, por bëjnë sikur nuk e dinë, për hatër të “stabilitetit”. Dhe ja Berisha deklaron se opozita duhet t’u drejtohet gjykatave dhe ca “ndërkombëtarë” e marrin “seriozisht” këtë këshillë të Kryeministrit, si një rrugëzgjidhje të krizës. Ata e marrin seriozisht këtë farsë berishiste me gjykatat, duke harruar ato që sapo kanë thënë vetë për sistemin gjyqësor në Shqipëri, pra që është një sistem i kapur nga politika dhe korrupsioni i lidhur me politikën. Dhe kush nga bota e politikës mund t’i kapë gjykatat para Berishës, që është më i fuqishmi i kësaj bote?

Provat e kësaj kapjeje tragjike, që po përdoret si alibi për të maskuar “me ligj” vjedhjen e votës dhe si argument kundër transparencës, janë sheshit. Për shkak të kësaj kapjeje, gjykatat nuk kanë mundur të hedhin dritë ende deri edhe mbi një krim të llahtarshëm, kupola e zjarrtë e të cilit e përzhiti krejt Shqipërinë dhe u pa nga e gjithë bota. Ministri direkt përgjegjës për këtë tragjedi, është ende ministër si simbol i një sfide të hapur që arroganca e një pushteti që qëndron mbi ligjin, i bën drejtësisë. Fatmir Mediu është sot ministër, sepse drejtësia e kapur e mbylli çështjen e tij. Mediu është sot i mbrojtur me vendim gjykate, tamam ashtu sikundër misteri i kutive të votimit është i mbrojtur me vendim gjykate.

Shqipëria vazhdon si nën komunizëm të jetë shteti ku padrejtësia, antitransparenca, sekretet kriminale të pushtetit, mbrohen me vendim gjykate, me padrejtësi, “me Kushtetutë”. Një pushtet i tillë drejtësie është pa pushtet. Ai nuk ka këllqe, nuk është i lirë të marrë vendime që cenojnë pushtetin e Berishës. Edhe Gjykata Kushtetuese, që e përflasin aq shumë, jo vetëm që do ta zvarriste marrjen e vendimit, por do ta hidhte “topin” në Komisionin e Venecias. Ky i fundit e ka vërtetuar me prova se për çështje me ndjeshmëri të lartë politike, ka dhënë opinione jo siç është e drejta, po siç e do konjuktura politike, jo si e kërkon demokracia, por si e do “stabiliteti”, qoftë edhe autokratik në vende të vogla si Shqipëria, që u dashkan sunduar me “dorë të fortë” para se të bëhen gati për demokraci reale.

Këtij cinizmi politik, Komisioni i Venecias i ka shërbyer në disa raste kur ka dhënë opinione për Shqipërinë. Më flagranti qe ai i vlerësimit “OK” të ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2008, që tashmë mundëson zgjedhjen e Presidentit të Republikës (që është dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë), edhe me shumicë të thjeshtë, pra me votat e deputetëve të qeverisë. Këtë amendim të Kushtetutës shqiptare që cenon hapur parimin e ndarjes së pushteteve, që rrënon inxhinierinë shtetërore të anti-absolutizmit, është Komisioni i Venecias që e ka shpallur të drejtë. Pse? Sepse duket që në opinionin e këtij Komisioni të nderuar, në këtë rast, ndikimi i politikës dhe diplomacisë ka zëvendësuar të drejtën.

Shquhen qartë në atë opinion gjurmët e gishtërinjve dhe ndikimeve të një diplomacie europiane që për momentin kërkon më shumë “stabilitet”, sesa demokraci në Shqipëri. Por pa demokraci, pa votë të lirë, pa liri, pa drejtësi, pa transparencë, stabiliteti është autoritarizëm. Dhe a mund të integrohet në Europë një Shqipëri autoritare? Kemi frikë se në këto kushte gjithçka thuhet mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është vetëm propagandë e një procesi prej letre që rrezikon, herët a vonë, të griset. Dhe pikërisht atëherë liderë autoritaristë si Berisha, do t’ia kenë arritur qëllimit të tyre të fshehtë, mbajtjes së Shqipërisë larg Europës.