
Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha po përpiqet të provokoj protestuesit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke shtuar në mënyrë ekstreme prezencën e policisë para zyrave të kryeministrisë dhe duke u shfaqur në tarracën e kryeministrisë duke udhëzuar policinë për të siguruar objektin. Gjesti i tij vjen në një kohë kur kryeministri ka bërë kujdes të largohet drejt Kroacisë, ndërsa zoti Basha të ketë larguar drejt Holandës familjen e tij.
Shfaqja e zotit Basha është së pari një mesazh i gabuar politik për policinë. Ministri ynë i brendshëm nuk është specialist policie, dhe me ligjin e policisë, komandën profesionale për të vepruar policia e ka drejtori i përgjithshëm i policisë. Kryeministria duhet siguruar dhe duhet ruajtur, dhe njeriu që duhet ta bëj këtë është Drejtori I përgjithshëm i policisë dhe komandanti i Gardës. Lulzim Basha edhe sikur të kishte mbaruar shkollën për polic, për shkak të postit politik që ka nuk e ka të lejuar të komandoj politikisht policinë.
Po të llogarisim dhe faktin që është injorant sa i përket anës profesionale të drejtimit të policisë, dhe një ministër i dështuar që i ka ikur nga duart kontrolli mbi rendin në vend, shfaqja e tij teatrale në majë të tarracës, është thjeshtë një mesazh i gabuar politik për policinë, pasi çdo veprim i saj në momentet që vijnë, do të konsiderohet si udhëzim politik i ministrit të saj. Shfaqja e zotit Basha është nga ana tjetër dhe një gjest qesharak i qeverisë. Zoti Basha ka qenë emigrant në vitin 1998, kur ajo godinë është sulmuar, por po të pyes zotin Berisha që ka organizuar sulmin, nuk do ta bënte atë gjest qesharak, pasi nëse protestuesit duan të hyjnë në kryeministri, duhen thjesht 5 minuta që ata policë bashkë me Lulzim Bashën, të mos ekzistojnë më.
Në një shtet demokratik, siguria kombëtare dhe siguria e institucioneve garantohet nga ekuilibrat demokratik dhe respekti për ligjin dhe jo nga skemat policeske të kujtdoqoftë në krye të pushtetit, e jo më figura qesharake si Lulzim basha. Të japësh mesazh se institucionet i mbron forca policore politike e ministrit të brendshëm, është si të hedhësh benzinë zjarrit. Falë zotit që shumë njerëz njohin teatralitetin e ministrit Basha dhe ruajnë qetësinë, pasi po ta kishte bërë këtë gjest një ministër që merret seriozisht tani mund të ishte në Lanë.
Dhe së fundmi është banale që sot kur qindra mijëra njerëz mblidhen për të protestuar për transparencën e zgjedhjeve dhe krizat e tjera të demokracisë në vend, pushteti të bëjë si i fort. Nëse forca është alternativa që mund të zgjidh këtë krizë, Sali Berisha mund të mos kthehet më nga Kroacia dhe Lulzm Basha mund të mos ketë kohë të ik deri në Holandë në azilin e dytë politik. Problemi është se ata qytetarë që janë në shesh, po themelojnë institucionin e protestës qytetare në këtë vend, dhe çdo përpjekje për ta fyer këtë protestë me uniforma policësh, apo gjeste të fortësh, është një sinjal i degradimit të pushtetit.







