E prezanton Oketa, nesër merr jetë partia e Topit

0
73

TemA Online, 26 Prill 2012

Deputeti Gazmend Oketa do t’i japë nesër për herë të parë jetë aktivitetit politik të partisë së kryetarit të premtuar, Bamir Topi.

I larguar pak muaj më parë nga PD, Oketa do të shfaqet para mediave për të prezantuar zyrtarisht datën kur forca e re politike do të regjistrohet në gjykatë dhe më pas do t’i shpallet publikut të gjerë, raporton Ora News.

Gjasat janë që publikimi i të gjithë elementëve simbolikë që do të përdoren, si flamujt, posterat, dhe spotet televizive të bëhen gjatë 15 ditëshit të parë të majit, ndërkohë që po i jepet dora e fundit elementëve të stemës dhe emrit të partisë.

Sipas burimeve brenda grupit nismëtar, emri është pothuajse i përcaktuar dhe do të quhet “Fryma e Re Demokratike”.

Megjithatë kjo ende nuk është saktësuar zyrtarisht nga themeluesit e kësaj partie, të cilët deri në momentin kur do të mblidhet kongresi i parë do të funksionojë me një grup drejtues, pa kryetar, në pritje përfundimit të mandatit presidencial të Bamir Topit.

Grupi themelues i partisë së re të së djathtës ka përfunduar platformën politike, statutin e partisë dhe ngritjen e strukturave.

Nga ana jetër, në selinë e partisë, e cila do të zërë vend pranë “Pallatit të Kasmëve” kanë përfunduar të gjitha punimet dhe gjithçka është gati për të pritur drejtuesit e ri të partisë.