Berisha e Rama të pranojnë dialog politik pa kushte

0
39

Rexhep Meidani & Alfred Moisiu, 13.05.2010

Duke shprehur shqetësimin tonë njerëzor e qytetar për gjendjen shëndetësore të përkeqësuar nga ora në orë e grevistëve të urisë
Duke e ndjekur me mjaft preokupim situatën politike të krijuar prej kohësh në vendin tonë, mungesën e theksuar të dialogut politik, mosfunksionimin e institucioneve kryesore politike dhe mosbesimin e thellë midis forcave kryesore politike
Duke paralajmëruar se përshkallëzimi i kësaj gjendjeje nga këmbëngulja e palëve për protesta apo kundërprotesta, refuzim të institucioneve apo refuzim të detyrimit kushtetues për mirëqeverisjen e vendit, mund të çojë në një situatë akoma më alarmante
Duke shprehur pakënaqësinë ndaj një fushate përdorimi, keqpërdorimi, ndarjeje dhe etiketimi midis dhe ndaj grupeve të caktuara të shoqërisë, shoqërisë civile, medias dhe aktorëve të tjerë civilë
Duke vlerësuar se çdo zgjatje apo thellim I krizës nuk është në interesin madhor të vendit, të aspiratave tona shtetërore dhe publike dhe as në dobi të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe atyre të angazhuar në parti politike
Dhe sidomos duke rikthesuar rëndësinë e madhe që ka për vendin tonë stabiliteti demokratik dhe ecja pa vonesë drejt procesit të integrimit europian

• Një shtet demokratik dhe një vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për në BE ka detyrimin dhe përgjegjësinë të sillet në mënyrë sa më demokratike e qytetare, të përgjegjshme dhe institucionale. Asnjë individ, parti, pushtet apo projekt politik nuk ka të drejtë dhe nuk mundet të lejohet të nëpërkëmbë këtë interes madhor kombetar. Ndaj,

• Me përgjegjësinë qytetare por edhe përgjegjësinë e institucionit të lartë të kryetarit të shtetit shqiptar, të cilin kemi patur nderin të përfaqësojmë, apelojmë të dy aktorët politikë dhe forcat politike mbështetëse të tyre, që të përdorin të gjitha energjitë e tyre në dobi të zgjidhjes politike, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situates, deklarimet e veprimet provokuese apo denigruese dhe të vendosin interesat e Shqipërisë mbi interesat politike të momentit.

– Mbi këtë bazë, apelojmë zotin Sali Berisha, kryeministër dhe kryetar i PD-së dhe zotin Edi Rama, kryetar i PS-së, që së bashku dhe sa më shpejt të heqin dorë nga aksionet politike të njëanshme dhe të pranojnë hyrjen në dialog politik të pakushtëzuar. Dialogu dhe vetëm dialogu politik i bazuar në normat kushtetuese të respektit të institucioneve dhe detyrimit të patjetërsueshën për transparencë publike, është rruga e vetme dhe e denjë për të gjetur një zgjidhje politike të shpejtë, të pranuar, përfshirëse dhe afatgjatë.

Rexhep Meidani, President (1997-2002), Alfred Moisiu, President (2002-2007)