Çfarë mund të bëjë Presidenti Topi

0
35

Artan Fuga, 13.05.2010

Ditët e fundit, në kushtet e rritjes së tensionit midis grupeve të protestuesve, të nxitur nga deputetë të Partisë Socialiste, për të bllokuar rrugët e kombit dhe forcave të policisë, si edhe përpjekjeve për të zgjidhur kontekstin e vështirë të grevës së urisë (e cila nuk ka të bëjë si filozofi me aktet e para), dhe bllokimin politik të Kuvendit, janë shtuar edhe zërat kritikë që kërkojnë nga Presidenti Topi të jetë më aktiv.

Disa edhe pothuajse e anatemojnë, duke prekur kështu me ose pa qëllim edhe tullën e fundit të mureve të shtëpisë sonë të përbashkët, e cila duhet pranuar ndodhet para goditjeve të forta.

Të gjejë një zgjidhje – i kërkojnë. Por si mundet që një njeri i vetëm, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës, të gjejë zgjidhje kur dihet që kuadri kushtetues i vendit e detyron atë të veprojë vetëm brenda disa kompetencave ligjore të përcaktuara.
Çfarë i kërkojnë atij? Që të urdhërojë Qeverinë apo Kuvendin që komisioni hetimor të nisë të numërojë fletët e votimit në kutitë e hapura? Apo që t’iu mbushë mendjen grevistëve që të heqin dorë nga greva e urisë? Kuptohet që janë kërkesa që ai sado të ketë dëshirën e mirë nuk mund t’iu japë zgjidhje.

Duke qenë se javë më parë, kur Presidenti Topi nisi tavolinën e negociatave, kam qenë shumë i rezervuar, përse jo, le të themi kritik, për këtë përgjegjësi që ai mori mbi supe m’atëkohë, nuk më lejon ndërgjegjja për të mos thënë dy fjalë lidhur me çfarë i kërkohet atij nga artikullshkrues të vetmuar, nga moralistë apo edhe grupe njerëzish nga kampe të ndryshme: Ku është Presidenti Topi?

Përse isha kritik disa javë më parë, kur ai mori iniciativën e tavolinës së negocimit, pavarësisht dëshirës së tij të mirë?

Sepse roli i tij në këtë rast nuk do të ishte juridik, por thjesht politik. Kurse Kushtetuta, veprimin presidencial e mbyll tërësisht brenda një kuadri juridik të qartë e të prerë veprimesh, dhe bën shumë mirë. Aksioni i lirë politik, po ta trajtosh Kushtetutën rigorozisht, nuk është se i lejohet shumë Presidentit të Republikës. Isha kritik m’atëherë edhe sepse gjykoja se Presidenti i Republikës është i fundit që hyn në lojë, në një krizë politike të vërtetë apo të stisur. Sikur tavolina të dështonte, sikurse dështoi, kisha frikë se kjo disfatë mund të merrte me vete edhe reputacionin dhe autoritetin shtetëror dhe moral të Presidentit të Republikës, për të cilët kombi ka shumë nevojë të qëndrojë i paprekur.

Gjithmonë një institucion ka nevojë të mbetet i paprekur nga krizat dhe konfliktet politike kalimtare. Ku është edhe një nga funksionet e republikave parlamentare. Të ndahet roli i shefit të shtetit nga krizat politike partiake.

Se nuk na rrihet ne! Kur Republika ishte gjysmë presidenciale, donim një President të dobët, pra një Republikë parlamentare, kurse tani që e kemi, duam një President Republike të fortë, pra një President të gjithëfuqishëm që i jep fund me një të rënë të sopatës krizave politike.

Duam atë që nuk kemi. Kjo është drama jonë që shpreh mungesë në pjekurinë politike.

Nuk isha partizan i saj tavoline në atë kohë, edhe për shkak sepse doja që funksionet e Presidentit të Republikës të mos bëheshin ato të një “shkesi” që bën mediatorin për kompromise, të cilat shpesh kanë qenë krejt të paprincipta dhe që kanë sjellë kriza edhe më të mëdha në të ardhmen. Shpesh ky rol i “shpëtimtarit” e përkëdhel sedrën e një burri shteti, që e shënon këtë akt në CV-në e tij, por që nuk ka të bëjë me ruajtjen e themeleve të shtetit. Zgjidhjet e minutës së fundit janë gjithmonë me pasoja të rënda.

Prandaj tani kur Presidenti Topi po qëndron disi mënjanë, sigurisht i shqetësuar dhe me dëshirën e zgjidhjes së tensionit politik, nuk mund të mos ndihem disi i qetë.
Çfarë i kërkohet Presidentit Topi? Të shkojë t’i japë një dorë për ta ngritur atë policin, që disa njerëz të papërgjegjshëm e gremisën nga bordura e udhës dhe që u ngrit me vuajtje për t’u rivënë në krye të detyrës? A ka ardhur koha ta kuptojmë se asnjë prej qytetarëve të këtij vendi nuk është i sigurt në jetën e tij personale, kur vihet dorë mbi një polic e jo më kur gremiset ai nga bordura e rrugës dhe askush nuk ngre zërin për këtë? Nuk duhen bërë shaka të tilla. Shumë është shumë. Nuk ka të bëjë dhuna ndaj policisë me idealet e një greve urie në përgjithësi dhe filozofinë e saj të vuajtjes. Bashkimi i të dyjave jep simbole të turbullta që nuk dihet se ku na çojnë.

Kujdes !
Më mirë të bjerë një kullë diku në një shesh ndërtimi, sesa të rrëzohet një polic dhe askush të mos shqetësohet për këtë.

Shpesh gjykoje se thirrjet që krizën ta zgjidhë Presidenti Topi janë me motive psikanalitike. Sherrin e bëjmë ne, rregullin e vendos babai i kombit. Por, ja që Presidenti nuk është babai autoritar i një familje të madhe që vendos dorën mbi tavolinë dhe i bën të gjithë sus! Janë vizione psikologjike që na vijnë nga ideologjia më e lashtë shqiptare, patriarkati. Kërkojnë një zgjidhje nga lart, një mrekulli. Jemi mësuar nga librat ku heronjtë zgjidhin situata. Nuk e di sesa janë të vërtetë këto libra apo janë kujtime personazhesh që na përkundin në iluzione.

Ka tre mundësi për të vepruar për Presidentin Topi. Të tjera nuk ka. Ta mbledhim mendjen dhe të mos bëjmë si ata fëmijët që në lojë e sipër shkatërrojnë shtëpinë dhe pastaj në darkë, të penduar kërkojnë nga babai që të vendosë kartona në xhamat e thyer, nga ku hyn i gjithë shiu e breshëri i një pranvere të ftohtë.

Mundësia e parë, të ushtrojë mekanizma që sigurojnë rendin në vend, qoftë duke mbledhur komitetin e sigurisë kombëtare, etj., sepse ka shenja që ka shkelje masive dhe të dhunshme të rendit dhe të qetësisë publike. Që nuk kanë të bëjnë me grevën e urisë, e përsëris, në çdo çast. Por, ai bën mirë që nuk ecën në drejtim të kësaj ane sepse ka besim te politika dhe te qytetarët e këtij vendi, te shumica e përgjegjshme e tyre. Kujtimet e vitit ’97 nuk janë ende larg, ndonëse sikurse e kam thënë disa herë, ne jemi treguar disa herë një komb amnezik.
Mundësia e dytë, të ushtrojë kompetenca e tij funksionale në planin juridik. Ai po e thotë këtë, ndonëse do të dëshiroja ta thoshte edhe me zë më të plotë, edhe për ata që e duan troç.

Çfarë janë institucionet demokratike që ai përmend? Ligji dhe institucionet sigurisht. Nëse i kërkohet një referendum, t’i japë udhë një referendumi. Nëse çështja shkon në Gjykatën e Lartë, të garantojë funksionimin e sistemit të drejtësisë. Të bëjë thirrje që palët të kuvendojnë në Parlament dhe nëse gjejnë një ligj të mirë ta aprovojë atë. Nëse çështja shkon në Strasburg aq më mirë, edhe për Presidentin Topi. Ja këto kuptoj me zgjidhje demokratike. Por, që të marrë në mbrojtje aksione që shkelin kolektivisht ligjin, qoftë edhe për solidarizim me një grevë urie, (që ngjall shqetësim psikologjik për fatin e njerëzve të ngujuar brenda) kjo është paksa shumë për t’ia kërkuar një Presidenti Republike.

Së treti, nëse palët politike ia kërkojnë, ai po deklaron se e ka të hapur zyrën e tij për një tavolinë për negociata. Por, këtu thjesht si mikpritës sepse Presidenti nuk ka përse të kuturisë për të hyrë në kulisa kompromisesh, që nuk kanë të bëjnë fare me detyrën e tij, por përkundrazi e dëmtojnë rëndë atë. Nuk di vërtet se çfarë i kërkojnë Presidentit Topi tani dhe në kontekstin aktual? Ai nuk mund të bëjë atë që nuk ka mundësi ta bëjë. Kurse qytetarët, politikanët e të gjitha palëve, intelektualët, ata po, ata, pra ne, mund të bëjnë gjithçka.

Mund të rrinë të bëjnë sehir si vuajnë në një grevë urie disa njerëz që meritojnë tjetër fat, apo t’i brohorasin ata nga jashtë, si gremiset nga bordura e rrugës drejt e mbi dheun e pluhurosur, një polic që simbolizon sigurinë tonë të përbashkët, apo ta brohorasin atë, mund të meditojnë pak për historinë tonë të largët dhe të afërt tragjike, mund të ringrihemi të gjithë tok si sfinksa, për të ecur drejt një Shqipërie të fortë si shtet i ligjit dhe vetëm i ligjit dhe i lirisë.